Banorët e Koliçanit të poshtëm, në protesta kundër ndërtimit të fotovoltaikëve

Banorët e Koliçanit të Poshtëm bllokuan rrugën për të penguar nisjen e punimeve të një biznesi privat të fotovoltaikëve. Në parcelën prej tetë hektarë e gjysmë që ishte në pronësi të shtetit, në hyrje të këtij fshati të Shkupit banorët pretendojnë që iu është bërë e padrejtë që iu është zënë hapësira publike, ku kanë bërë sport dhe rekreacion. Ata shprehen se nuk do të tërhiqen, pasi që nuk i ka konsultuar as Komuna e Studeniçanit e as Qeveria e Maqedonisë për shitjen e kësaj kodrine për park fotovoltaikësh.

“Ne si vendbanim me dy mijë banorë nuk kemi problem me asnjë lloj investimi të burimeve ripërtëritëse të energjisë elektrike, por të ndërtohen fotovoltaikë në hapësirën e vetme të sheshtë të fshatit, pa asnjë konsultim është shitur dhe ne e kuptojmë vetëm ditën kur fillojnë punimet. Nuk është në rregull sepse është e drejtë kushtetuese të mbahet protestë dhe çdo makineri që vjen këtu do të mblidhen qindra veta”, deklaroi Kenan Abdi, Banor i Koliçanit Poshtëm.

“E lus investitorin të mos vijë të provokoj kështu në këtë mënyrë. Ne kemi dorëzuar ankesë në të gjitha institucionet të RMV-së dhe presim përgjigje të shohim si është udhëhequr procedura, si është ndërruar leja për ndërtim dhe a ka qenë ligjore. Prandaj kemi kërkuar si nga Komuna, ashtu dhe nga Ministria për transport dhe lidhje, te Qeveria dhe Avokati i shtetit. Ne si banorë kemi bërë peticion nga mbi një mijë vendas se do ta mbrojmë këtë vend me ‘muri të gjallë’ me asnjë çmim nuk do të lejojmë që dikush këtu të na ndërtojë fotovolatikë”, tha Ajila Sali, Banor i Koliçanit të Poshtëm.

Nga ana tjetër, investitorët thonë se po ndërtojnë në tokë të tyre, të cilën e kanë blerë nga shteti.

“Toka është e blerë në mënyrë të rregullt, Qeveria ka sjell vendim, Komuna e ka shpall. Ka pasur edhe një firmë tjetër që ka konkurruar, ne e kemi marr. Me dokumente jemi në rregull, por fshatarët mendojnë se kjo tokë është e tyre, por kjo tokë ishte pronë e shtetit ‘RM’ nuk ka qenë e asnjërit privat”, u shpreh Rafet Idrizi, Pronar i kompanisë.

“Kemi leje për ndërtim dhe kjo është hera e tretë që vijmë në parcelën tonë me të gjitha dokumentet e nevojshme kemi filluar me ndërtimin e fotovoltaikëve por jemi penguar nga fshatarët e këtij vendi. Kërkojmë që sa më shpejtë institucionet përkatëse që kanë dhënë leje për ndërtimin e këtij projekti të merren me këtë rast që ne të punojmë lirshëm”, deklaroi
Hekuran Murati, Drejtor i kompanisë.

Banorët thonë se nuk janë pranuar në takim nga zyrtarë të Komunës së Studeniçanit, por në oborrin e godinës u kanë kumtuar që është vonë të reagohet për këtë çështje ngaqë toka është privatizuar. Ky projekt parashikohet të prodhojë 8 MW/h energjie elektrike nga panelet diellore, investim i cili privatit do ti kushtoj rreth 5 milionë euro. Licenca është dhënë nga Komisioni Rregullator i Energjetikës, ndërsa toka është nxjerr në shitje me thirrjen publike të organizuar nga komuna dhe lokacione të miratuara nga Qeveria, për strategji të zhvillimit të kapaciteteve të burimeve ripërtëritëse të energjisë elektrike. /Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *