Arrestohet i dyshuari për kërcënim ndaj Ramush Haradinajt, kërkohet paraburgim

“Ti e meriton veq një plumb te dryshkt ne ball”

Kështu u kërcënua dje në Facebook kreu dhe kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj. Madje, duke mos u mjaftuar me këtë, Haradinaj edhe u sha me nënë

Ky kërcënim atij i erdhi nga një llogari me emrin “Shpat Sokoli”.

Gazeta Paparaci nga burimet e saj ka mësuar se personi i dyshuar për kërcënimin ndaj Haradinajt është arrestuar.

Madje për të njëjtin Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh.

Paparaci kontaktoi edhe me policinë dhe Zyrën për Informim të AAK-së, por as njëra dhe as tjetra nuk e konfirmuan arrestimin.

Ndryshe, me t’u përhapur lajmi për kërcënimin e Haradinajt, llogaria me emrin “Shpat Sokoli” u zhduk dhe u fshinë të gjitha postimet dhe fotot.

Por, në orët e vona, një llogari në Facebook me emrin “Lüftung Montage Anlage” u lajmërua, duke pretenduar se është pikërisht Shpat Sokoli “i vërtetë”.

Ky profil pretendon se atij i është keqpërdorur emri.

“Sot jemi të shqetësuar nga kërcënimet që një person me emrin në Facebook, Shpat Sokoli, i ka bërë ndaj Kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Ne dënojmë ashpër këto kërcënime dhe nuk pajtohemi kurrsesi me një formë të tillë komunikimi”.

“Njëkohësisht, dëshiroj të sqaroj publikisht se unë, Shpejtim Sokoli, (i thirrur Shpat) nuk jam personi që ka kërcënuar z. Haradinaj”, u shpreh ky profil.

Ai po ashtu tha se raportimet në media gjatë ditës së sotme për të “janë të pavërteta”.

“Gjithashtu, familja jonë është shumë e shqetësuar nga publikimet në media që aludojnë në mënyrë të pavërtetë për mua. Ju lutem, mos vazhdoni të më inkriminoni as mua dhe as emrin e familjes sime”, u tha në deklaratën e postuar nga profili “Lüftung Montage Anlage”.

Shumë reagime pati pas këtij kërcënimi ndaj ish-kryeministrit Haradinaj.

Deputeti Bekë Berisha tha se do t’i ftonte për raportim shefin e AKI-së dhe Drejtorin e Policisë për të raportuar për kërcënimin ndaj Haradinajt dhe Ilir Mirenës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *