HEJZA me Salajdin Salihun, shkrimtar
Letërsia s’na edukon. Për këtë punë janë çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Brodski nuk kërkon që poeti të jetë misionar dhe as të krijojë letërsi me ndikim shoqëror. Poeti, sipas tij, ka vetëm një detyrim: të shkruajë bukur, ta krijojë poezinë –“formën më të lartë të ekzistimit të gjuhës”.
Avni HALIMI
Salajdin Salihu, i lindur në Tetovë, aktualisht profesor në Universitetin e Tetovës, që me librin e parë, “Vdes pas gjërave të imëta”, pati paralajmëruar se bëhet fjalë për një krijues të veçantë. Këtë e dëshmoi edhe me botimet tjera, të cilat botime, nga ana e kritikës do të marrin vlerësime të larta. Poezitë e Salihut janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë përfshirë në shumë antologji.
HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?
S. SALIHU: Letërsia nuk ka raporte të mira me sasinë. “Letërsia e njeh vetëm një gradë, gradën e parë”, tha Lasgush Poradeci. Sipas Ali Podrimjes, kur një letërsie kombëtare i mungojnë poezitë për një antologji, atëherë mjaftojnë lehjet. Fatmirësisht, letërsia shqipe ka poezi për antologji që do na nderonte kudo që të botohej. Sot botohen libra shumë të mirë, për të cilat flitet pak. Në sistemin tonë kulturor, në shoqërinë shqiptare, kemi gjendje anomie. Është përzier ari dhe rëra… Shkrimtari s’duhet të shpejtojë. Horaci tha se poeti duhej t’i botonte poezitë pas disa vitesh. Poeti duhet “të ngutet ngadalë”. Shkrimtari më shumë gris se boton.
Shkrimtarit i duhet kultura e madhe. Nuk mund ta përvetësosh artin e shkrimit pa e mësuar artin e leximit. Shkrimtari mund të jetë skandaloz në përditshmëri, por ai s’mund të jetë shkrimtar nëse i mungon kultura e madhe. Sigurisht, krijimi kërkon edhe dhunti krijuese. Pa këtë dhunti, një lexues i pasionuar mund të bëhet, të shumtën, një studiues.
HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues – lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?
S. SALIHU: Është e bukur për një letërsi dhe për një kulturë kur asaj i shfaqet një gjeneratë shkrimtarësh dhe mendimtarësh. Kjo ndodhi disa herë në historinë tonë kulturore. Mund ta përmendim “letërsinë e vjetër”. Librat e autorëve të kësaj periudhe u përkthyen në shumë gjuhë europiane. Mund ta përmendim edhe Rilindjen Kombëtare, elitën e viteve ’30 dhe periudhat që i përmendni Ju. Ka edhe periudha kur një letërsie jo vetëm nuk i shfaqet ndonjë brez i fuqishëm, por i mungon edhe një emër i shquar. Kjo ka ndodhi edhe me letërsitë tjera evropiane…
Për sa i përket kritikës le t’i referohemi Fan Nolit. Ai tha se për zhvillimin e letërsisë dhe të artit duhet ambient kulturor dhe vlerësues. Sot s’kemi as ambient kulturor dhe as ambient vlerësues. Sfera kulturore është në gjendje anomie. Dominon “filozofia e pallangës”, siç e quan një filozof. Kemi gjendje kaotike. Branko Merxhani, duke iu referuar Niçes, kërkonte që shoqëria shqiptare të krijonte prioritete dhe ta organizonte kaosin. Në kaos ka humbje energjie. Nuk dihet kush se çfarë është…
Sot jetojmë në kohën e simulakrave dhe simulimeve, në epokën e hiperrealitetit, kur banalja është bërë kategori estetike, siç tha Jean Baudrillardi. Letërsia nuk është në vëmendjen e këtij qytetërimi. Vendin e saj e ka zënë spektakli. Kësaj gjendjeje i shkon edhe alegoria e shpellës nga Platoni. Në shpellë njerëzit nuk e shohim realitetin, por reflektimin e tij…
Kur jemi te kritika, duhet thënë se krijuesin e mirë s’e bën kritika letrare. S’ka ndonjë shkollë për t’u bërë shkrimtar. Shumë shkrimtarë gjenialë s’janë çmuar fare nga kritika. Edhe më keq: janë përçmuar dhe akuzuar rëndë. Kësi shembujsh kemi nga antikiteti e deri në ditët e sotme.
Edhe kritika letrare shqiptare shpesh veproi si polici shpirtërore. Ajo foli me një diskurs që s’i shkon letërsisë. Disa shkrimtarë u quajtën “dekadentë”, “reaksionarë”, “tradhtarë”. Kjo kritikë, madje, u bëri lexim të keq edhe veprave të mira. Kritika dogmatike, e ngulfatur nga rregullat, kufizimet apo dogmat ideologjike është e dëmshme për një kulturë. Është si Prokrusti. Ia pret flatrat pasionit krijues.
Kundër kësaj kritike u rebelua edhe Danilo Kishi. Në sprovën “Për pluralizmin”, të botuar më 1974, e kritikoi kritikën tradicionale, pozitiviste, sociologjike. I kritikoi kritikët letrarë që dëshironin të dominonin me idetë dhe shijet e tyre në mënyrë tiranike, totalitare. E kritikoi kritikën letrare “realiste” që tentonte letërsia të ishte “imazh i jetës popullore”, “literaturë e kritikës shoqërore” dhe e “angazhuar në dobi të popullit”. Ai kërkoi pluralizëm idesh. Pa këtë pluralizëm një kulturë s’e arrin lirinë elementare.
Kundër këtyre kufizimeve ishin shumë kritikë dhe shkrimtarë shqiptarë. Mjafton ta përmendim manifestin “Vox clamantis in deserto”, të qarkut të Prishtinës, që i kundërvihej realizmit socialist.
Kritikët mendjehapur japin ndihmesë të madhe. Në vitet 80-të, në Prishtinë, kishte mendim të avancuar kritik, që ishte në të mirë të vlerës letrare.
HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?
S. SALIHU: Mund të ketë nëse do të dëshironim. Ose: duhet të ketë. Po cili i është përkushtuar sot kritikës letrare? Cili paguhet për këtë punë? Cili e ka profesion?
Në vendet me industri libri ka edhe kritikë letrare. Mendimi i tyre ndikon që një libër të bëhet edhe bestseller. Shtëpitë botuese e reklamojnë një libër të mirë, sepse kanë edhe përfitime materiale. Te ne mungojnë edhe recensionet në media. Në skenën e kulturës janë ngjitur ata që s’e dinë as domethënien e kësaj fjale. Ata që kulturën e kuptojnë si garë, si spektakël. Në kësi rastesh një kritik duhet të ketë nerva të forta. Ai do të sulmohet nga lukunia e mediokritetit, që kudo e valëvit flamurin e patriotizmit dhe artit e letërsisë i jep “misione”. E ngatërrojnë letërsinë me atdhedashurinë. Sipas Konicës, letërsia dhe atdhedashuria janë dy gjëra të ndryshme. Mund të jesh atdhetar i madh, por jo edhe shkrimtar i madh. Dhe e kundërta: mund të jesh shkrimtar i madh, por jo ndonjë atdhetar i dëshmuar. I japin letërsisë edhe misione shoqërore dhe edukative. Letërsia s’na edukon. Për këtë punë janë çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Brodski nuk kërkon që poeti të jetë misionar dhe as të krijojë letërsi me ndikim shoqëror. Poeti, sipas tij, ka vetëm një detyrim: të shkruajë bukur, ta krijojë poezinë –“formën më të lartë të ekzistimit të gjuhës”.
Ka që e ngatërrojnë ende letërsinë me ideologjinë. Letërsia s’njeh ideologji. Ajo qëndron përmbi ideologjitë. Letërsia nuk e ndryshon aktualitetin. Letërsia e mirë mund ta ketë shtresën aktuale, por ajo s’mjafton kur veprës letrare i mungon shtresa universale. Letërsia nuk është gazetari. Letërsia e mirë u flet të gjithë kohërave. Ajo u flet edhe lexuesve që ende s’kanë lindur.
HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?
S. SALIHU: Është e domosdoshme të ketë portale për kulturë. Portalet janë si gjithë mediat tjera dhe duhet të përfitojnë nga fondet publike, por nëse udhëhiqen nga profesionistë. Mediat e reja duhet të ofrojnë të dhëna për krijimtarinë e shkrimtarëve. Pa e përjashtuar traditën. Mjerisht, shteteve tona s’u intereson kultura. Ministritë e kulturës janë për këtë punë. Sot ende shërbehemi me histori letërsie ku flitet për shkrimtarë “dekadentë” dhe “reaksionarë”. Librat e domosdoshëm për një kulturë duhet të digjitalizohen. Të prezantohen edhe në gjuhë të tjera…
HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenave, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!
S. SALIHU: Unë e pëlqej librin e shtypur. Besoj se lexuesit e letërsisë janë më konservatorë. Ata s’do ta lejojnë vdekjen e librit të shtypur. Leximi vertikal, pra leximi i librave, siç thuhet, i bën dijet e qëndrueshme, për dallim nga leximi horizontal. Besoj se zhvillimet teknologjike s’ndikojmë fare në cilësinë artistike të një libri. Veprat më të mira letrare u krijuan kur s’kishte rrymë elektrike. Epi i Gilgameshit, një vepër e krijuar në kohën fëmijërore të njerëzimit, është kryevepër e letërsisë botërore. Ose veprat e Homerit, Hesiodit, Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Aristotelit, Platonit, Virgjilit, Servantesit, Shekspirit, Dantes, Gëtes etj.
Nuk e paragjykoj librin elektronik. Sot mundesh shumë lehtë ta gjesh një libër që të intereson. Nëpër arkiva e biblioteka digjitale ka shumë libra të çmuar dhe të panjohur për shqiptarët dhe për kulturën e tyre.
HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.
S. SALIHU: Në hapësirën shqiptare botohen disa revista letrare cilësore. Në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht, janë shuar shumë revista letrare për mungesë mjetesh financiare. Revistat letrare janë të domosdoshme. Uroj që një ditë edhe “Hejza” të botohet në versionin e shtypur. E vlerësoj këtë revistë shumë, veçanërisht sepse boton krijime të autorëve që “u harruan” prej se nuk janë në mesin e të gjallëve. Ata janë emra që do të mbeten përgjithmonë në historinë e letërsisë sonë, si: Azem Shkreli, Anton Pashku, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti, Teki Dervishi, Mirko Gashi e shumë të tjerë. Hejza më pëlqen sepse trajton edhe probleme të ndryshme socio – kulturore… Uroj të kemi revista e portale me këtë cilësi edhe për artet pamore, artet skenike, veçanërisht për muzikën.