Në mes të protestave masive kundër qeverisë së Aleksandër Vuçiqit, opozita ka propozuar krijimin e një qeverie kalimtare për ta zgjidhur krizën politike. Ky propozim synon t`i përmbushë kërkesat e studentëve dhe të garantojë zgjedhje të lira. Vuçiq e ka refuzuar idenë, duke e quajtur një përpjekje për grusht shteti me mbështetje nga Perëndimi.
Në mes të protestave masive kundër qeverisë së Aleksander Vuçiqit dhe mobilizimit të mbështetësve të tij, opozita ka propozuar krijimin e një qeverie kalimtare si zgjidhje për krizën politike. Sipas liderëve opozitarë, kjo qeveri do të kishte për qëllim përmbushjen e kërkesave të studentëve, luftën kundër korrupsionit dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Po punojmë me kolegët opozitarë për të formuluar një propozim për dalje nga kriza përmes një qeverie kalimtare. Ky propozim duhet të ketë mbështetjen e qytetarëve, ekspertëve dhe studentëve, sepse vetëm kështu mund të jetë i suksesshëm,” deklaroi Radomir Lazoviq, nga Frontit të Gjelbër-Majtas.
Presidenti Vuçiq ka hedhur poshtë këtë mundësi, duke akuzuar protestuesit se duan të marrin pushtetin me dhunë me mbështetjen e Perëndimit. Ai gjithashtu pretendon se ka mbështetjen e plotë të presidentit rus, Vladimir Putin.
“Vuçiq nuk vepron më si president i të gjithë qytetarëve, por si pjesë e problemit. Nuk ka një mekanizëm institucional për të dalë nga kriza, ndaj po përdor strategjinë e frikësimit. Aksioni i tij për kundërmiting është shenjë dobësie, jo force”, tha Dushan Janjiq, analist politik.
Ndërkohë, studentë nga e gjithë Serbia po mbërrijnë në Beograd për të marrë pjesë në protestën e 15 marsit. Paralelisht, edhe mbështetësit e Vuçiqit janë sjellë të organizuar për të marrë pjesë në kundërmitingje. Kjo situatë po tensionon më tej vendin dhe e çon Serbinë në prag të përshkallëzimit.
Vlerësohet se mënyra se si qeveria do të përgjigjet ndaj protestës së 15 marsit mund të jetë vendimtare për të ardhmen politike të vendit.