Gënjeshtrat mbi fitoret gjyqësore i shërbejnë për të krijuar një narrativë mbrojtëse ndaj çdo kritike të jashtme. Shaqir Fetai shpreson që përmes manipulimit të bashkëpunëtorëve, të mashtrojë komunitetin mysliman dhe të shmangë përgjegjësinë për dështimet dhe politikat përçarëse që kanë dëmtuar rëndë institucionin
Nga Enver Kodra
Shaqir Fetai, i njohur për strategjinë e tij të bazuar në përçarje dhe kontroll përmes frikës, duket se ka hyrë në një spirale të rrezikshme gënjeshtrash dhe manipulimesh. Së fundmi, humbjet e tij në disa procese gjyqësore, të cilat ai vetë i ka iniciuar për të frikësuar kundërshtarët dhe për të ruajtur pozitën e tij të diskutueshme, janë shndërruar në një teatër të gënjeshtrave. Përmes propagandës së brendshme, këto humbje janë paraqitur rrejshëm si fitore. Kjo sjellje jo vetëm që është e padenjë për një lider fetar, por edhe thellësisht e dëmshme për institucionin që ai supozohet të udhëheqë.
Pse gënjen Shaqir Fetai
I duhet ruajtja e imazhit përmes iluzionit të fuqisë! Duke qenë i vetëdijshëm për mungesën e legjitimitetit dhe mbështetjes brenda komunitetit dhe institucioneve shtetërore, Shaqir Fetai përpiqet të krijojë një fasadë të fuqisë. Gënjeshtra mbi “fitoren” e proceseve gjyqësore është një përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur një imazh të rremë të suksesit dhe kontrollit. Në këtë mënyrë, ai synon të ruajë besnikërinë e bashkëpunëtorëve të tij dhe të parandalojë çdo sfidë të re ndaj pozitës së tij.
Ai ka zgjedhur të manipulojë bashkëpunëtorët përmes një propagande të cekët dhe të shëmtuar!
Shaqir Fetai e kupton se një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij mbështeten tek ai më shumë nga frika sesa nga respekti. Veç kësaj, ai dëshiron që t’i bindë ata se askujt nuk i frikësohet për faktin që i ka korruptuar, duke i emëruar nëpër poste, ndonëse të gjithëve ua ka bërë me dije paraprakisht se nuk janë të denjë as t’i kullosin dy copa dele! Për ta, “suksesi” i tij është një justifikim për të vazhduar bashkëpunimin, pavarësisht nga padrejtësitë dhe keqmenaxhimi që karakterizojnë drejtimin e tij. Përmes manipulimeve dhe gënjeshtrave mbi rezultatet e proceseve gjyqësore, ai përpiqet të forcojë këtë dinamikë të bazuar në servilizëm dhe varësi.
Frika nga ekspozimi i dështimeve
Humbjet në gjykata janë një goditje e rëndë për një udhëheqës që ka ngritur një narrativë të rreme mbi mbështetjen e supozuar nga një “lobi gjyqtarësh” nga Gostivari. Ky është i gatshëm që të shpifë dhe t’i dëmtojë të gjithë gjykatësit nga Gostivari, vetëm e vetëm që ta arrijë efektin e frikës mbi bashkëpunëtorët e vet. Pranimi i këtyre dështimeve do të nënkuptonte një prishje të mitit që ai ka ndërtuar rreth “fuqisë” dhe “ndikimit” të tij. Për këtë arsye, gënjeshtrat janë mjeti i tij i vetëm për të shmangur shfaqjen e dobësive dhe paaftësisë së tij për të mbajtur kontrollin pa mjete represive.
Nevoja për të gënjyer kaq shumë i buron nga mungesa e legjitimitetit dhe këtë e di fort mirë Shaqir Fetai. Ai e di fort mirë se pozita e tij si “kryetar” i Bashkësisë Fetare Islame nuk është rezultat i një konsensusi të brendshëm apo i mbështetjes së sinqertë nga komuniteti mysliman, porse si rezultat i instalimit të tij nga struktura të diskutueshme dhe aspak miqësor me interesat kombëtare dhe fetare. Në mungesë të kësaj baze të fortë, ai mbështetet te manipulimi dhe gënjeshtra për të krijuar një iluzion legjitimiteti.
Frika nga kundërshtimi i brendshëm
Përçarjet brenda BFI-së dhe mungesa e një strukture të mirëfilltë meritokratike e kanë bërë pozicionin e tij të brishtë. Nëse bashkëpunëtorët e tij kuptojnë se pozita e tij nuk është aq e fortë sa ai pretendon, ata mund të distancohen ose, në rastin më të keq për të, të organizojnë një sfidë të hapur ndaj lidershipit të tij, siç edhe e organizuan tri herë radhazi dhe po kaq herë e shpëtuan policia maqedonase.
Gënjeshtrat mbi fitoret gjyqësore i shërbejnë gjithashtu për të krijuar një narrativë mbrojtëse ndaj çdo kritike të jashtme. Ai shpreson që përmes manipulimit të opinionit publik, të mashtrojë komunitetin mysliman dhe të shmangë përgjegjësinë për dështimet dhe politikat përçarëse që kanë dëmtuar rëndë institucionin.
Sjellja e Shaqir Fetait është një shkelje flagrante e etikës dhe përgjegjësisë që duhet të karakterizojnë një lider fetar. Një drejtues fetar që përdor gënjeshtrën si mjet të qëllimshëm nuk mund të shërbejë si burim frymëzimi shpirtëror apo udhëheqës i një komuniteti që kërkon drejtësi, unitet dhe transparencë.
Gënjeshtrat e tij nuk mund të fshehin për një kohë të gjatë realitetin e dështimeve dhe përçarjeve brenda BFI-së. Komuniteti mysliman ka nevojë për një udhëheqës që vepron me integritet, që promovon dialogun dhe transparencën dhe që mbështet meritokracinë si parim themelor.
Shaqir Fetai ka treguar se nuk është në gjendje të përmbushë këto standarde. Për këtë arsye, është koha që bashkësia dhe institucionet përkatëse të kërkojnë përgjegjësi dhe të ndërmarrin hapa për të sjellë një ndryshim të vërtetë. Vetëm përmes një reforme të thellë, Bashkësia Fetare Islame mund të rikthejë besimin dhe të rifitojë rolin e saj si një shtyllë e fortë shpirtërore dhe morale për myslimanët e Maqedonisë së Veriut. Dhe besimi nuk rikthehet duke gënjyer për kinse fitoret e tij në procese gjyqësore duke shpresuar se këto gënjeshtra do të efektuojnë mbi bashkëpunëtorët të cilët do t’i rrinë sus derisa ky e degradon Institucionin deri në një cirk palaçosh!