SHBA synon Moskën me sanksione të reja

SHBA ka vënë në shënjestër rreth 400 kompani dhe biznese në të gjithë Rusinë, Indinë dhe Kinën me një valë të re sanksionesh, duke i akuzuar ata për ofrimin e produkteve dhe shërbimeve që mundësojnë përpjekjet e Rusisë për luftë dhe ndihmojnë aftësinë e saj për t’iu shmangur këtyre masave ndëshkuese.

Bëhet e ditur se përpjekja e udhëhequr nga Departamenti i Thesarit dhe i Shtetit ka për qëllim ndëshkimin e “palëve të treta” që akuzohen për ofrimin e ndihmës materiale për Kremlinin ose për të ndihmuar Rusinë në shmangien e mijëra sanksioneve që janë vendosur ndaj vendit që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Të sanksionuara nga Departamenti i Thesarit janë 274 kompani të akuzuara për furnizimin e Rusisë me teknologji të avancuar, si dhe kompani të mbrojtjes dhe prodhuese me bazë në Rusi që prodhojnë produkte ushtarake, shkruan euronews.

Për më tepër, Departamenti i Shtetit vendosi sanksione diplomatike ndaj disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, individëve në Bjellorusi dhe një grup kompanish me bazë në Kinë që eksportojnë mallra me përdorim të dyfishtë dhe plotësojnë boshllëqet në bazën ushtarako-industriale të Rusisë.

Ndryshe, ky veprim është i fundit në një seri sanksionesh amerikane që janë vendosur ndaj kompanive ruse dhe furnizuesve të tyre në vende të tjera që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Në fillim të këtij viti, SHBA miratoi një paketë ndihme për Ukrainën që lejon administratën të konfiskojë asetet shtetërore ruse të vendosura në SHBA dhe t’i përdorë ato për të mirën e Kievit.

Menjëherë pas kësaj, udhëheqësit e G7 ranë dakord të krijonin një hua prej 46.2 miliardë eurove për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *