Familjet e pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza kanë aktivizuar një sirenë për dy minuta jashtë rezidencës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për t’i kërkuar atij që të kthejë të dashurit e tyre, duke shënuar një vit që kur ata u rrëmbyen nga Hamasi.
Familjet kanë bërë fushatë të pandalshme që qeveria izraelite të arrijë një marrëveshje armëpushimi në Gaza që do të siguronte lirimin e të dashurve të tyre.
Në njëvjetorin e luftës në Gazë, të afërmit folën për pikëllimin dhe traumën që kanë përjetuar, sipas Forumit të Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, shkruan CNN.
“Ka kaluar një vit që nga mëngjesi i asaj të shtune kur prindërit e mi u zgjuan në panik. Një vit që kur terroristët depërtuan. Një vit frike vdekjeprurëse që askush nuk mund ta kuptojë”, tha Shir Siegel, prindërit e të cilës u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza.
Bëhet e ditur se nëna e Siegel, Aviva Siegel, u lirua pas dy muajsh në robëri, por babai i saj, Keith Siegel, ende mbahet peng.
“Ka kaluar një vit që kur imagjinova prindërit e mi që po ktheheshin në shtëpi dhe ne duke u përqafuar. Ka kaluar një vit, por duket si një ditë e gjatë”, tha Siegel.
Edhe disa të afërm shprehën mesazhe shprese dhe qëndrueshmërie.
“Omeri, jeta ime. Më mungon. E ndjej mungesën tënde në çdo frymëmarrje, në çdo moment”, tha Niva Wenkert, djali i së cilës u rrëmbye vitin e kaluar.