Policia e Kosovës (PK), në përputhje me objektivat strategjike dhe planifikimet afatgjata për ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, logjistike dhe teknologjike, ka nisur furnizimin me pajisje të reja për njësitë e saj.
PK thotë se këto masa synojnë të rrisin efikasitetin dhe efektivitetin e kryerjes së detyrave policore në interes të sigurisë së qytetarëve dhe vendit.
“Nga themelimi i saj, Policia e Kosovës ka ndjekur politika të vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës policore, duke përfshirë furnizimin me automjete, që janë thelbësore për përmbushjen e misionit të saj”.
Përveç automjeteve patrulluese të zakonshme, PK ka blerë kohët e fundit automjete të blinduara dhe autoblinda, të cilat do të përdoren për nevoja specifike operacionale.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me planifikimet për ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve të saj në fushën e burimeve njerëzore, logjistikës dhe teknologjisë, duke synuar një përmbushje profesionale të misionit për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit kushtetues në vend.