I rrahën dy persona në diskotekë, katër të dyshuar përfundojnë në paraburgim

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj katër të pandehurve, J.M, P.G, P.H dhe M.M, të cilët dyshohen për bashkëkryerje të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Incidenti ndodhi më 7 Shtator 2024, rreth orës 03:37, në parkingun pas diskotekës “Routte 66” në rrugën Dervish Çollaku, Prishtinë.

Sipas dyshimeve, pas një mosmarrëveshjeje brenda diskotekës, katër të pandehurit e pritën jashtë derisa i dëmtuari A.N të dilte.

Pasi ai doli, ata e goditën me mjete të forta (tulla), duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 07.09.2024 rreth orës 03:37 në parkingun mbrapa Routte 66 në rrugën Dervish Çollaku – Zona Industriale në Prishtinë, pas një mosmarrveshje të atëçastshme brenda diskotekës me të dëmtuarin A.N, të pandehurit dalin para hyrjes së diskotekës dhe presin derisa i dëmtuari të dal jashtë dhe në momentin kur i dëmtuari del nga diskoteka, katër të pandehurit e përcjellin dhe e godasin me mjete të forta (tulla) në pjesë të ndryshme të trupit”, njofton Gjykata e Prishtinës.

“Si pasojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore, me këto veprime të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor”, njofton tutje Gjykata e Prishtinës.

Gjykata miratoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për paraburgim, duke argumentuar se lënia e të pandehurve në liri mund të rrezikojë zhvillimin e drejtë të procedurës penale, ndikimin në dëshmitarë, dhe ekziston rreziku që ata të përsërisin veprën penale.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *