Kryeministri Hristijan Mickoski dhe zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti qëndrojnë në Londër në kuadër të Samitit të Bashkësisë Politike Evropiane. Nga atje ata njoftojnë se kanë takuar liderë dhe përfaqësues ndërkombëtar për të biseduar për domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë. “Bashkëpunimi i vendeve të rajonit është i domosdoshëm për prosperitetin e shteteve dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Popujt tanë kanë nevojë për lidhje ekonomike, energjetike dhe infrastrukturore”, shkruan Mickoski pas takimit me krerët e Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë. Ndërkohë, Mexhiti rreth Samiti shkruan edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar. “Partneriteti ynë me Britaninë e Madhe dhe SHBA-të është një shtyllë e fortë që siguron paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë. Këto takime, jo vetëm që forcojnë lidhjet tona me partnerët ndërkombëtarë, por gjithashtu shërbejnë si një shtysë e rëndësishme për avancimin e agjendës sonë, për anëtarësimin e plotë në strukturat euroatlantike”, shkruan Mexhiti. Mickoski dhe Mexhiti, në korniza të Samitit takuan presidentin ukrainas Volodimir Zelenski të cilit i shprehën gatishmërinë për mbështetje të mëtejshme. Samiti në Mbretërinë e Bashkuar është për të përforcuar bashkëpunimin tregtar dhe të sigurisë mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.