Policia e Shtetit njofton se lajmi i cili qarkullon në rrjetet sociale se në pikën kufitare të Rinasit nuk punon sistemi TIMS është i pavërtetë.
Në një njoftim për mediet, Policia e Shtetit saktëson se sistemi TIMS funksionon normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
“Lajmi i publikuar në rrjetet sociale, se në Rinas ka rënë sistemi TIMS dhe është krijuar kaos, është i pavërtetë. Sistemi TIMS funksionon normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në asnjë pikë kalimi nuk është evidentuar asnjë problematikë, përveç fluksit të shtuar të turistëve dhe vizitorëve që hyjnë në vendin tonë”, njofton Policia e Shtetit.
“Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për t’iu ofruar shërbim sa më cilësor të gjithë qytetarëve në hyrje dhe dalje, në pikat e kalimit kufitar, si dhe ka rritur vigjilencën për kapjen e shtetasve në kërkim, parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare”, vijon Policia.
“Lajme të tilla të pavërteta të cilat krijojnë pakënaqësi dhe cenojnë imazhin e punës së Policisë, duhet të konfirmohen nga autoritetet policore”, përfundon Policia.