Forcat izraelite mund të kenë shkelur në mënyrë të përsëritur parimet themelore të ligjeve të luftës dhe nuk janë kujdesur të mbrojnë jetët e civilëve në fushatën e tyre ushtarake në Rripin e Gazës, tha të mërkurën zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.
Raporti i publikuar sot u kritikua nga Izraeli, që për nëntë muaj po vazhdon operacionin kundër Hamasit. Në një raport që shqyrton gjashtë sulme izraelite që shkaktuan numër të madh viktimash dhe shkatërruan infrastrukturën civile, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se forcat izraelite “mund të kenë shkelur në mënyrë sistematike ligjet e luftës”, përfshirë parimin për të bërë dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve, masat paraprake dhe shkallën e forcës së përdorur në sulm.
Misioni i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë i cilësoi si të gabuara gjetjet e këtij raporti dhe metodologjinë e përdorur. Raporti analizon hollësitë e gjashtë incidenteve që ndodhën mes 7 tetorit dhe 2 dhjetorit. OKB pati mundësinë të vlerësojë armët, qëllimet dhe mjetet e përdorura në këto sulme.
“Menduam se është me rëndësi nxjerrja e këtij raporti tani, veçanërisht duke e ditur se kanë kaluar rreth tetë muaj nga disa prej këtyre sulmeve dhe ende nuk kemi parë hetime të besueshme dhe transparente”, thotë Ravina Shamdasani, zëdhënëse e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut.
Ajo u bëri thirrje autoriteteve izraelite që të nisin një proces hetimor dhe shtoi se në mungesë të një procesi transparent është i domosdoshëm veprimi ndërkombëtar. Ndërkohë, në Jeruzalem ndodhet një delegacion dypartiak i Kongresit amerikan i udhëhequr nga ligjvënësi Steny Hoyer.
Në takimin me anëtarët e Komitetit Amerikano-Izraelit për çështjet publike, presidenti i Izraelit Isaac Herzog u shpreh “mirënjohës për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara krah Izraelit”, ndërsa bëri thirrje që mosmarrëveshjet të diskutohen me qetësi.
“Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen dypartiake që tejkalon të gjitha ndasitë dhe konfliktet e shoqërisë amerikane, në betejën tonë për një botë të lirë kundër Perandorisë së Djallit”, thotë zoti Herzog.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendon se Shtetet e Bashkuara po ndalojnë dërgimin e armëve të nevojshme për luftën në Gazë, duke lënë të kuptohet se kjo po ngadalëson ofensivën e Izraelit në qytetin jugor Rafah.
Sidoqoftë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se është pezulluar vetëm dërgimi i disa municioneve të kalibrit të madh.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë është në muajin e nëntë.
Sulmi ajror dhe tokësor i Izraelit ka shkaktuar vdekjen e mbi 37,400 personave, sipas autoriteteve shëndetësore në territorin e kontrolluar nga Hamasi.