Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, sot njoftoi një paketë të madhe ndihme ushtarake për vendin që mbrohet nga agresioni rus për më shumë se dy vjet.
Paketa e re e ndihmës ushtarake gjermane do të përfshijë 100 raketa të fuqishme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe mijëra dronë luftarakë, njoftoi ministri gjerman gjatë një vizite tek ushtarët ukrainas, të cilët po i nënshtrohen trajnimit mbi sistemet Patriot në Gjermani.
Ukraina prej kohësh u kërkon partnerëve perëndimorë më shumë sisteme të mbrojtjes kundërajrore në mënyrë që t’i rezistojë sulmeve ajrore ruse, të cilat kërcënojnë të shkatërrojnë rrjetin elektrik të Ukrainës.
Kujtojmë se sot kryetari i qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, Ihor Terekhov, tha se situata në qytet dhe rajon është më e qetë pasi ukrainasit përdorën armët perëndimore për të goditur raketat ruse, me të cilat rusët shpeshherë sulmojnë qytetin e miliona njerëzve.
Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera aleate i kanë dhënë Ukrainës dritën jeshile për të përdorur armët e dërguara nga vendet perëndimore për të synuar territorin rus.
Në veçanti, u dha miratimi për sulmet në vendet nga ku rusët sulmuan Kharkivin dhe rajonin përreth, ku hapën një front të ri me një ofensivë ndërkufitare në muajt e fundit.
Ndryshe, Zelensky u prit me ovacione në Budenstag gjersa iu drejtua me një fjalim deputetëve gjermanë.