Kjo fillim jave i bëri bashkë në tryezën e përbashkët 11 anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në atë që shënoi mbledhjen e 263-të me radhë.
Shqipton Fazliu, që është Koordinator Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, foli para prokurorëve aty për rezultatet e tremujorit të fundit të vitit të shkuar.
Ai tregoi se në periudhën tetor-dhjetor 2024, janë raportuar pasuri të konfiskuara në shumën prej 207 mijë euro në 7 raste, ndërsa vlera e sekuestrimeve kapë vlerën e mbi 3.7 milionë euro pasuri të sekuestruara në 51 raste të ndryshme.
“Kjo është veçori pozitive, meqë ka pasur raste edhe me konfiskim edhe raste me sekuestrim. Ndërsa aspekt tjetër pozitiv i hasur në tremujorin e fundit 2024 ka qenë vazhdimi i përgjigjeve pozitive në shitjen e aseteve, ku në tremujorin e fundit janë paraqitur 28 kërkesa. Në përgjithësi, 6 mujori i fundit paraqet një përgjigje më masive sa i përket insistimit të vazhdueshëm që të paraqiten kërkesat për shitje të aseteve”, tha tutje Fazliu.
Derisa bëri dallimin e një nga herët e shkuara kur nuk kishte asnjë kërkesë nga ana e Prokurorisë Speciale për shitje të aseteve, këtë herë tregoi se janë shfaqur 4 kërkesa.
“Ne, gjatë ditëve e javëve të kaluara kemi kërkuara nga ana e kordinatorëve lokal që të intensifikohet puna në paraqitjen e kërkesave të tilla, mirëpo nga përgjigjet që kemi pranuar shihet që ka prokurori e prokurorë që nuk kanë kthyer fare përgjigje në këtë çështje”, i njoftoi kolegët Fazliu.
Madje sipas tij, raporti e tregon se ka prokurori e prokurorë që më tepër se 5 e 6 vite kanë kërkesa të tilla apo vetura të sekuestruara, por nuk kanë paraqitur kërkesa për shitje.
“Buxheti i shtetit po vazhdon të dëmtohet në mënyrë të vazhdueshme me këtë çështje. Tash e tutje mbetet tek kryeprokurori i shtetit që të vlerësohet një mosveprim i tillë që rezulton me një dështim në kryerjen e funksioneve prokuroriale dhe në dëmtimin e buxhetit, qoftë të Kosovës, qoftë në paraqitjen e padive nga ana e të pandehurve nëse do të t’iu kthehet vetura pas disa vitesh, humb konsiderueshëm në vlerë”, sqaroi tutje ai.
Gjatë prezantimit të raportit të tij, Fazliu mori shembull një rast konfiskimi nga Prokuroria e Prizrenit ku bëhet fjalë për një veturë Golf 1. “Ne kemi theksuar se në raste të tilla agjencia duhet të ftohet ku ka ndodhur konfiskimi në fjalë, që të shitet për hekur, sepse një veturë e tillë nëse ndiqen procedurat e bartjes apo transportimit të veturës, apo organizimit të ankandeve, sjellë më shumë dëm për buxhetin Kosovës, se sa dobi”, tha ai.
Sipas Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, një tjetër rast ka qenë ai i konfiskimit të mbi 2 mijë eurove para të gatshme dhe konfiskimit të disa telefonave, por tha se shuma e ulët e konfiskimit dhe veprave penale është e tillë që mbase, sipas tij, duhet të ngritët një diskutim në mënyrë që raste të tilla të mos t’i takonin profilit të PSRK-së.
“Por të gjendet mënyra ligjore të transferohen në prokurori të tjera, e Prokuroria Speciale të merrej me rastet më të mëdha e profilin më të madh të mundshëm që e ka vendi”, tha Fazliu.
Ndërkohë, në këtë takim u diskutuan edhe shumë çështje të tjera të planifikuara në rend dite.