Alon Hasa dhe Luiza Gega zbulojnë ndryshimet
Kualifikimi në Lojërat Olimpike të Parisit në vitin 2024 është vështirësuar për disa disiplina. Ulja e numrit të sportistëve apo koha më e shpejtë në gara të caktuara e bën më të ndërlikuar. Te gjimnastika kanë më pak mundësi ata që garojnë vetëm në një vegël ashtu si sportisti i Shqipërisë Matvei Petrov, i cili përgatitet në Çeki.
“Janë shtuar kuotat që marrin pjesë me ekipet dhe në 6 garësh, ndërsa janë ulur për ata që marrin pjesë vetëm me një vegël. Ata që marrin pjesë në një vegël janë vetëm 3 që dalin nga Kampionati Botëror dhe Kupa Bote”.
Atletika është një sport ku pritet të kemi pjesëmarrës me normë. Luiza Gega e cila po përgatitet në Portugali për garat e ardhshme dhe pret të jetë në Paris edhe pse koha e kualifikimit është ulur me 7 sekonda në 3 mijë metra me pengesa.
“Për mua nuk ka qenë e vështirë. Jam 13 sekonda më mirë se sa norma. Për shumë atletë është e vështirë. Nuk do të ketë 45 sportiste, por 36. Një pjesë të shkojnë direkt dhe pjesa tjetër me pikëzim”.
Ulje të numrit të pjesëmarrësve ka edhe peshëngritja që kanë zbritur në 10 më të mirët për peshë në dallim me 14 që ishin në Tokio 2020. Kampionati Botëror dhe garat kualifikuese do të jenë vendimtare në sportin që ka përfaqësuar rregullisht Shqipërinë në olimpiadë.