VJEN “HEREZIA E DERVISH MALLUTËS”
Shtëpia botuese NOA njofton se së shpejti do të futet në shtyp romani i Teki Dërvishit, “Herezia e Dervish Mallutës” (që do të jetë botimi i dytë).
Në vështrimin rreth botimit të parë, dr. Ibrahim Rugova, do të thotë: “Vetë titulli i romanit Herezia e Dervish Mallutës, fare qartë dhe në formë konkrete na bën me dije se kemi të bëjmë me çështjen e herezisë dhe të heretizmit… Në romanin e T. Dërvishit kjo çështje realizohet në fushën e artit, të rrjedhës së proceseve jetësore e intelektuale të një mesi. Në këtë roman kemi të bëjmë me fenomenin e herezisë, të cilin autori e nxjerr nga empiria e një grupi social që jeton në bazë të asaj teorie… Me këtë nxjerrim konstatimin se në qendër të herezisë dhe të heretizmit qëndron paradoksi, kundër ¬thënia e kundërshtia me shkakun dhe pasojën e vet.”
Ndërkaq Xhamail Mustafa do të konstatojë se “Elementet dhe kualitetet e romanit Herezia e Dervish Mallutës të Teki Dërvishit kanë më tepër karakter dhe qëllim konstitues, ontologjik: krijojnë iluzionin mbi vërtetësinë e kësaj bote artistike, motivojnë idetë dhe situatat nëpër të cilat sprovohet individi i tjetërsuar e përplot me botëkuptime të paqëndrueshme, religjioze.”
Nga ana tjetër, Ramadan Musliu do të shkruajë: “Romani Herezia e Dervish Mallutës është një vepër letrare, një tekst artistik, para së gjithash, kompleks dhe me shumë shtresime kuptimesh. Shumësia e ideve, sinteza e motiveve, forma poetike e narracionit, galeri e tërë personazhesh që lejojnë mundësi të një¬sohen në tipat e njerëzve të përditshmërisë sonë, lokalizimi i vepri¬mit në një kohë e hapësirë konkrete, prirja që personazhi kryesor të shihet si një inkarnim i individit në rrethana të tëhuajsuara, nga të cilat ngritet me fuqinë shpirtërore-intelektuale, kanë mundësuar që të shihet si etimon shpirtëror i shkrimtarit, i cili sa e aktualizon vlerën e artit, aq na bën të ditur se kemi të bëjmë me një krijues me potenciale të dallueshme, si në planin e individualitetit krijues, ashtu edhe në atë ku shihet potenca e impulseve krijuese, fuqia sublimuese dhe mundësia që preokupimi subjektiv të gjejë ekuivalentin letrar-artistik brenda tekstit.”(Hejza)