Një nga liderët e koalicionit qeveritar në Bullgari, Slavi Trifunov, i partisë “Ka një popull të tillë” ka thënë se Sofja mund të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, nëse Shtetet e Bashkuara heqin vizat për shtetasit bullgarë.

“Nëse amerikanët duan aq shumë që Maqedonia e Veriut të jetë në Bashkimin Evropian, qytetarët e Bullgarisë, si dhe qytetarët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, nuk duhet të kenë nevojë për viza për të shkuar në Amerikë”, tha Trifonov, prezantues i njohur televiziv.

Ai heqjen e vetos e ka kushtëzuar edhe me kërkesën që Bullgaria të bëhet menjëherë anëtare e zonës Shengen.

“Edhe ne duhet të jemi evropianë. Tani jemi më pak evropianë se evropianët e vërtetë. Kështu që, unë kërkoj që menjëherë të jemi pjesë e zonës Shengen dhe të mos ketë viza për Amerikë”, ka shkruar Trifonov në rrjetet sociale.

Përmbushja e këtyre dy kushteve nga SHBA-ja dhe BE-ja, si dhe përmbushja e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga Maqedonia, sipas Trifonovit, do të mjaftojnë që Bullgaria të lejojë Maqedoninë e Veriut të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Ai bëri të ditur se më 10 janar do të mbahet takim këshillues për Maqedoninë e Veriut me presidentin bullgar, Rumen Radev.

Ai nuk tha drejtpërdrejt nëse partia e tij do ta dorëzojë zyrtarisht propozimin, por tha se “të gjithë po u bëjnë presion që të dorëzohen” lidhur me kontestin me Maqedoninë e Veriut.

Trifonov ka shprehur habinë se si është e mundur që “qindra mijëra maqedonas kanë pasaporta bullgare” dhe në të njëjtën kohë të ketë “urrejtje ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut”.

“Librat tuaj të historisë thonë se bullgarët janë fashistë. Pra, ju vetë jeni fashistë”, ka thënë mes tjerash Trifonov.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2019 ka vendosur veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar fillimisht arritjen e një marrëveshjeje për gjuhën e identitetin maqedonas, që sipas Sofjes kanë “rrënjë bullgare”.

Maqedonia e Veriut shpreson se në gjashtë muajt e parë të vitit 2022 mund të arrihet zgjidhje, bazuar në një plan të kryeministrit të ri bullgar, Kiril Petkov që dy vendet të formojnë grupe punuese për të biseduar edhe për çështjet si: ekonomia, infrastruktura, shëndetësia e çështje tjera./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Kurti: Do takohem me Vuçiç, por Asociacionin serb ta harrojnë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se takimi me presidentin e serb…

Kurti në takimin me ambasadorin Kosnett: Shumë shpejtë do të formohet Qeveria e re

Albin Kurti, nga Lëvizja Vetëvendosje në takimin me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett…

Pavarësisht se i ka të numëruara orët në krye të qeverisë malazeze, Krivokapiq po vazhdon të shkarkojë dhe emërojë zyrtarë qeveritarë

Megjithatë, kryeministrin malazez nuk e ka penguar ky fakt dhe ka vazhduar…

Që nga rihapja xhamia Ajasofja u vizitua nga mbi 3.5 milionë njerëz

Imami i Xhamisë së Madhe Ajasofja në Stamboll, Ferruh Mustuer, tha se…

“Monstra”, forca të shtuara policore para Gjykatës

Forca të shtuara policore për momentin po vërehen para Gjykatës Penale në…