Kur “shpëtimi” i një institucioni bëhet justifikim për përçarje dhe fshirje të kujtesës kolektive
Nga Haxhi Vehbi Munishi
Në historinë njerëzore ka pasur personazhe që ndërtuan me përkushtim të jashtëzakonshëm qytetërime, institucione dhe sisteme. Por gjithmonë, si hije e padukshme, i ka ndjekur figura të tjera – përfitues, uzurpatorë, përçarës – që e përdorën besimin e të tjerëve si platformë për t’u ngjitur dhe më pas për të shkatërruar vetë themelet që i mbajtën në këmbë. Kjo është një skemë e vjetër sa vetë koha: nga Bruti që ther Cezarin, te Robespieri që përmbysi revolucionin e vet, te diktatorët ballkanikë që thirrën popujt në emër të shpëtimit vetëm për t’i zhytur në rrënim. Në këtë galeri të errët mund të vendoset sot, pa asnjë hezitim, edhe emri i Shaqir Fetait.
Ky njeri, i cili për më shumë se dy dekada u rrit, u përkrah dhe u ushqye intelektualisht e institucionalisht nga Sulejman efendi Rexhepi – një prej figurave më të forta dhe më ndikimplotë të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut – nuk e pa këtë investim si një borxh për t’u shpërblyer me mirënjohje, por si një mundësi për ta shndërruar autoritetin në rreng, dhe besimin në tradhti.
Shaqir Fetai, nga një imam i thjeshtë në periferi, u bë myfti, drejtues sektori, mësues në Medrese, dhe më pas u shfaq si “njeriu i dorës së parë”. E gjithë kjo karrierë nuk është fryt i ndonjë vizioni personal, e as i ndonjë talenti të jashtëzakonshëm, por një dhuratë, një lloj amaneti që i ishte ofruar nga “babai i tij shpirtëror” për ta mbrojtur dhe për ta çuar më tej trashëgiminë e ndërtuar. Dhe çfarë bëri Shaqir Fetai me këtë amanet? Ia nguli thikën pas shpine njeriut që e krijoi, duke e shpallur veten “shpëtimtar” të një institucioni që e kishte marrë formë e dinjitet para tij e me vetëmohim nga Sulejman ef. Rexhepi.
Ky akt nuk është vetëm pabesi personale – është përçudnim moral, institucional dhe historik.
Sot, Shaqir Fetai, përmes një arrogance që ngjan më shumë me delirin e pushtetit sesa me përgjegjësinë e drejtimit fetar, ka filluar një fushatë të shfrenuar për të fshirë çdo gjurmë të kontributit të Sulejman Rexhepit. Ai përpiqet ta shesë veten si reformator, si shpëtimtar, si njeri që ka stabilizuar BFI-në. Por ajo që vërtet ka stabilizuar, është heshtja, konformizmi dhe vetëqeverisja pa llogari. Në vend të një Bashkësie që rrezatonte autoritet dhe përfshirje, sot kemi një strukturë që funksionon si një klub i mbyllur interesash, ku emri i Zotit përdoret si justifikim për pushtet, jo si udhëzim për përulësi.
Historikisht, figurat që kanë shpallur vetveten si “shpëtimtarë” pa e kërkuar askush prej tyre këtë rol, kanë përfunduar në listat e errëta të dështimit moral. Edhe Benito Mussolini dhe Nicolae Ceaușescu e nisën si “shpëtimtarë”, dhe të dy përfunduan të mallkuar nga historia – jo pse nuk bënë asgjë, por sepse bënë gjithçka për veten, dhe asgjë për popullin që i besoi. Shaqir Fetai po e ndjek këtë rrugë me zell: duke krijuar përçarje, duke deformuar identitetin tradicional të BFI-së, dhe duke ndërtuar rreth vetes një sistem të heshtur frike, përjashtimi dhe poshtërimi për këdo që mendon ndryshe.
Ata që po e rrethuakan e paskan shpëtuar, sepse, ata po punuakan vetë, fare pa e lodhur Shaqir Fetain. Ky vetëmse po bëka sefa nën hijen e “përpjekjeve profesionale” të bashkëpunëtorëve të vet që nuk janë asgjë tjetër veçse marioneta prej druri!
Por më tragjikja është kjo: ndërsa Shaqir Fetai shet krenari në emër të një “shpëtimi” të dyshimtë, vetë Sulejman Rexhepi – njeriu që i dha gjithçka – po kalon ditët e tij të fundit në errësirën e zhgënjimit, i sfilitur emocionalisht, i thyer shpirtërisht, i vetmuar, ndërsa kujtesa i tretet, dhe me të tretet edhe një epokë e tërë që ndërtoi, me të mirat dhe të këqijat e saj, një Bashkësi që të paktën kishte dinjitet, hierarki dhe përfaqësim.
Historia do të jetë e pamëshirshme. Shaqir Fetai nuk do të mbahet mend si ndonjë “reformator i madh”, por si njeriu që i vuri zjarrin urës së vetme që e lidhte me vlerat, dhe më pas mbeti i vetëm në shkretëtirën e egos së vet. Në rrëfimin kolektiv të myslimanëve shqiptarë të Maqedonisë, ai do të mbetet shkatërruesi i dinjitetit institucional, manipulatori i besimit, dhe poshtëruesi i kujtesës historike.
Sepse, në fund, nuk ka pushtet që shpëton nga gjykimi i historisë. Dhe historia nuk harron!