Sadik Krasniqi për kritikën letrare

(Enkas për Hejza-n)
Thuhet se letërsia e mirë e lind kritikën e mirë. Ndërsa niveli i letërsisë dhe i të gjitha arteve venerohet përmes kritikës. Se sa kemi letërsi dhe art të mirë, nuk mund ta dimë përmes nivelit dhe sasisë së kritikës aktuale. Nuk dihet përmes një kritike aktuale, nga se kjo kritikë është tkurrur. Kritika është rralluar, rrudhur, madje edhe është zbehur nga mungesa e stimulimit (financiar) si dhe mungesa e fushës së saj të preferuar për shfaqje siç janë gazetat. Tashmë gazeta është bërë evokim nostalgjik në Kosovë. Në Kosovën e lirë s´ka më asnjë gazetë, ndërsa në Shqipëri gazetat letrare dhe artistike numërohen me gishtat e një dore. Domeni kritik që botohet në disa revista letrare në Shqipëri, Kosovë dhe vendet shqipfolëse jo vetëm që nuk stimulohen nga ato, por madje është goxha vështirë të botosh te këto, pa qenë emër i “shquar“ , pa i pasur miq, pa qenë klan i tyre, po ndodh edhe me keq, pa i paguar ato! Kjo tingëllon absurde, por është e vërtetë. Kritika sot përgjithësisht është tkurrur, varfëruar, madje degjeneruar në disa qasje të dobëta si parathënie të disa librave të këqij që botohen përditë nëpër disa shtëpi botuese nga disa botues që kanë mentalitetin e shitësit të tullave.
Këto qasje si interpretime, shfaqen të lexuara nëpër disa manifestime letrare tejet triviale të shoqëruar nga disa televizione dhe medie tejet banale. E kulmi i këtyre paçavurave është “akademia e idiotëve“ (më duket se e ka thënë Umberto Eco“) pra FB-u. Kjo që theksova më lart është e përgjithshmja, e përditshmja që e hasim në çdo sekondë të ditës. Kurrë më shumë e më kot s’është lexuar sesa sot. Themi kështu nga se vlerat letrare, artistike të të gjitha arteve lexohen, konsumohen e vlerësohen tashmë nga njerëz të paktë, nga ata që e kanë profesion këtë lëmi apo pasion, e që e ndjekin me një fanatizëm.
Është evidente se edhe kjo kohë si të gjitha kohërat e mëparshme, te ne e si gjithkund ka krijues të mirë që shkruajnë libra të mirë, bëjnë filma të mirë, drama, piktura, skulptura, muzikë e arte te tjera . Por gjithsesi këta janë shumë të paktë.
Këtë çrregullim vlerash te ne, krahas të kaluarës me sisteme ideologjike e diktatoriale e përzgjati edhe tranzicioni i stërzgjatur shoqëror në kuadër të të cilit edhe ky socio-kulturor. Andaj te ne ka individë të suksesshëm, por jo edhe koncepte dhe institucionale të suksesshme, duke filluar që nga Akademia deri te fillorja. Në këtë marramendje vlerash, natyrisht çalon edhe kritika letrare. Gëzon fakti se janë disa krijues, në sajë të talentit, njohurisë, intuitivitetit, janë në rrjedhat e nivelit të lartë kreativ jo vetëm në atë rajonal por europian dhe të përbotshëm.
Megjithatë, niveli i kritikës letrare dhe më gjerë arrihet vetëm përmes një koncepti institucional. Diskurset poetike të letërsisë ndërrojnë në mënyrë permanente. Në bazë të mungesës së një kritike determinuese ne ende nuk e dimë se në cilën poetikë strehohet letërsia jonë, në atë që të tjerët tashmë e kanë tejkaluar modernen, apo në posmodernen që është në perëndim e sipër,ose sa kanë hyrë në performatizmin me nuanca të shumta e aktuale. Këtë ngecje domosdoshmërish duhet kaluar, e mund të kalohet vetëm përmes një koncepti akademik e institucional të ndihmuar domosdoshmërish edhe nga shtetet që kemi përmes mekanizmave kadrovik e financiar.
Krijuesit si qenie janë vizionarë, andaj të shpresojmë në zënien e hapit edhe me këtë domen të ngecur tmerrësisht. E ku ka më bukur se sa të shpresosh. Tek e fundit, vetë letërsia është shpresë dhe vizion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Këto janë shtetet që po e bojkotojnë ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel

Turqia dhe Kroacia do t’i bashkohen Shqipërisë dhe Kosovës në bojkotimin e…

Dekomunistizimi i politikave kulturore

Midis nesh Për rreth dyzet vite me radhë shqiptarët zhvilluan kulturë bazuar…

Mediatizimi kulturor dhe heshtja institucionale

Letër nga Tirana Sot mediat elektronike luajnë një rol jashtëzakonisht të madh…

MEDIOKRITETI NË KRIJIMTARINË LETRARE

REXHEP QOSJA / “… Numri i mediokriteteve në letërsitë e vogla kombëtare…

PËRDITSHMËRIA PËRPLOT ME TREGIME

BISER MEHMETI për frymëzimin, procesin krijues, lirinë Frymëzimi për veprën që jam…