Në fokus

I madhi aktor i kombit, Mirush Kabashi, ditë më parë qëndroi në Bibliotekën e Lezhës, në një program artistik kushtuar përvjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. Me të hyrë brenda ai u shtang dhe habinë e vet e shprehu edhe me fjalë para të pranishmëve: “Shoh këtu portretin e At Gjergj Fishtës! Sipër portretit shkruan: NDERI I KOMBIT! Këtë dekoratë presidenciale e kam edhe unë! Hiqjani Fishtës këtë titull, ju lutem, ose mua, sepse unë nuk e përfytyroj veten në lartësinë e Fishtës! Ose, krijoni një titull tjetër shumë herë më të lartë për 3 apo 4 personalitetet e larta të historisë së Shqipërisë, ose na e ulni titullin neve dhjetëra të tjerëve që kemi dhënë kontribute në fusha të caktuara”, u shpreh Mirush Kabashi!
Modestia e këtij artisti të madh të kombit flet, mbi të gjitha, për një anomali të tmerrshme që ka ndodhur me dekoratat presidencial ndër vite! Nëse i hidhet një sy listës së të dekoruarve viteve të fundit, do të shihet se dekoratat janë shqepur sikur të ishin sheqerka që i jepen fëmijëve për Festën e Halloween-it!
Vetëm një personalitet si Mirush Kabashi nuk do të pranonte që të baras-vlerësohej me një të paarritshëm në letrat shqipe dhe në kulturën e gjithmbarshme shqiptare, siç është Gjergj Fishta. Mbase aktori i madh Mirush Kabashi, por edhe artistët dhe krijuesit e kësaj kategorie, që e kanë ndritur kombin shqiptar në çdo paraqitje të tyre, si aktorë, si shkrimtarë, si piktorë, si muzicientë, baletanë, këngëtarë klasikë etj. do të duhej të dekoroheshin me ndonjë titull që është një shkallë poshtë titullit të merituar të At Gjergj Fishtës. Kështu si aktori Kabashi mendojnë plotë artistë e krijues.
Problem më vete është se me këtë titull janë dekoruar edhe anonimusët, ata që nuk njihen përtej kruzhoqeve të sekserëve! “Mjeshtër i madh” i gazetarisë! Ndërsa gazetaria shqiptare nuk e njeh! Gazetaria botërore hiç e më hiç! Asnjë gjurmë nuk ka lënë në gazetarinë shqiptare! Edhe ky person është i dekoruar me “Nderi i Kombit”! Dekorata “Nderi i Kombit” u jepet personaliteteve shqiptare që, me veprat dhe emrin e tyre, nderojnë kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Kështu shkruan në faqen zyrtare të Presidentit të Shqipërisë! Se cila është vepra me të cilën Ferdinand Samarxhiu, “mjeshtri i madh i gazetarisë shqiptare”, ka nderuar kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit, këtë mund ta dijë vetëm propozuesi apo sekseri! Tani, edhe Gjergj Fishta “Nderi i Kombit”, edhe Ferdinand Samarxhiu “Nderi i Kombit”!!! Tani, ose Presidenti ka qenë thellësisht i manipuluar ose sekseri ka qenë “magjistar”, ndryshe, ky baras-vlerësim, mbi të gjitha, është poshtërim, nënvlerësim dhe tallje me HOMERIN SHQIPTAR, At Gjergj Fishtën!
Titulli “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për akte të veçanta heroike në mbrojtjen, forcimin dhe përparimin e Republikës së Shqipërisë! Dy-tre vitet e fundit me këtë dekoratë janë shpërblyer mbi nëntëdhjetë personalitete, si: Bedri Dedja, Arif Vladi, Edmon Zhulali, Llukman Halili, Ibrahim Kelmendi, Zef Bushati, Ferid Draga, Nexhip Draga, Edita Tahiri etj. Këtë titull e ka marrë edhe një teolog nga Maqedonia e Veriut, ndonëse me një “devotshmëri” shumë të diskutueshme. “Kalorës” njeriu i cili njihet se më tepër ka shërbyer si kalë i shërbimeve antishqiptare se sa që ka “kalëruar”!
Është edhe një dekoratë tjetër, e cila e keqpërdorur nga shprehia për korruptim dhe kontrabandim të meritave, i është dhënë turlifarë “intelektuali” që ka pasur mundësinë ta blejë! Titulli “Naim Frashëri” u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja, punonjësve të shkencës, artit, kulturës dhe arsimit për veprimtari të çmuara dhe lartësimin e Republikës së Shqipërisë në fushën përkatëse. Ky titull i jepet, po ashtu, një “myftiu” nga Maqedonia e Veriut, i cili, jo që në jetë të vet nuk e ka lexuar Naim Frashërin, porse Vëllezërit Frashëri i konsideron si tradhtarë që kanë luftuar kundër interesave të Perandorisë Osmane! Se çfarë vlere shkencore, artistike e kulturore ka ky farë “myftiu” maqedonas, këtë kanë mundur ta dinë vetëm presidenti shqiptar dhe sekserët e tij! Në Maqedoninë e Veriut jetojnë dhe veprojnë dhjetëra artistë, krijues e kulturologë shqiptarë, janë nja dy-tre ansamble (Ibe Palikuqi, Emin Duraku, Xjeladin Zeqiri) që e kanë mbajtur me vetëmohim frymën e shqiptarisë në Maqedoninë e Veriut edhe atëherë kur për një këngë shqiptare të shkonte koka, të cilët meritojnë të dekorohen nga institucionet shtetërore të Shqipërisë, madje që të gjithë janë të dëshmuar, janë me emër e me nam, të cilët, kurrë nuk kanë pasur luhatshmëri në identitetin e tyre shqiptar! Por, ja që dekorohen ata që nuk gëzojnë kurrfarë respekti nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Apo, të gjitha fajet i ka “Mjeshtri i madh” i sekserizmit! Të gjitha këto defekte presidenciale, në mënyrë të përkryer, vetëm ashtu siç di një njeri i madh, i ka përmbledhur në një fjali i madhi Mirush Kabashi. “Merrjani titullin At Gjergj Fishtës, sepse…” /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Kështu foli i pacipi – Shaqir Fetai (22)

Në intervistën e fundit të porositur, Shaqir Fetait, pasi kishte festuar Kërshëndellat…

Asnjë diplome s’e kamuflon analfabetizmin!

Thënia e njohur: “të kaplon gjumi si tradhtar e zgjohesh si patriot”,…

Si të dalësh shkrimtar i mbaruar!

(Enkas për Hejza-n)Në Shqipëri kritikët janë si sazexhinjtë. Kur dikush ka “dasmë”…

Bashkëpunim kuturor pa përkrahje ndërshtetërore

Midis nesh Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Shqiptar i Shkupit, Teatri Kombëtar…

Alfabeti është “fryma e shenjë” e çdo gjuhe

Në fokus Ditët e Alfabetit Shqip që, mbi të gjitha, përkujtojnë ditët…