Teknologjia mund të “luajë një rol në parandalimin e vërtetë” të shpërthimit të konfliktit dhe ka ndihmuar në luftimin e dezinformimit gjatë luftës në Ukrainë, ka thënë një ambasador i OKB-së.
Duke folur në një konferencë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, James Roscoe, synoi të nënvizonte rëndësinë e teknologjisë gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Ai shpjegoi se po punohet për të zhvilluar “modele të parandalimit të konflikteve të drejtuara nga AI” dhe bëri thirrje që të punohet për të siguruar që teknologjia të përdoret si “forcë për të mirën”.
“Mediat sociale mundësojnë përgjegjshmëri më të madhe. Ajo i fuqizon njerëzit t’i tregojnë botës për konfliktet, derisa po i përjetojnë ato dhe të sigurohet që bota e di se çfarë po ndodh”, tha ai.
“Kjo do të thotë se e vërteta, përfshirë dëshmitë e mizorive masive ose shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare, nuk mund të fshihet nga ata që dëshirojnë ta fshehin atë”.
Ai dha shembullin e Rusisë që përpiqej të pretendonte se “trupat e viktimave të shtrirë në rrugët e Buçës ishin një provokim i inskenuar nga Ukraina. Ata sugjeruan se forcat ukrainase kishin ndërmarrë këtë provokim të organizuar pasi rimorën qytetin.
Sipas tij, imazhet satelitore dëshmuan se trupat në rrugët e Buçës kishin qenë atje për disa javë, duke e bërë të qartë se ata u vranë gjatë periudhës kur forcat ruse pushtuan qytetin.