Midis nesh

Nëse të rinjtë tanë i pyet sot se çka është kultura, do të përgjigjen se “kulturë është shkuarja në teatër”, apo “kulturë është blerja dhe leximi i librave”, apo edhe “kultura është diçka që u përket shtresave elitare”! Ka të rinj që nënvizojnë se asgjë nuk po bëhet për kulturën e të rinjve! Kultura e tyre ka zbritur në nivel të argëtimit nëpër bar-lokale, ata më lehtë e përjetojnë shundin, kiçin, se sa vlerat e mirëfillta artistike, të cilat nuk i shohin askund! Të rinjtë tanë janë në udhëkryq, kanë nevojë që të orientohen kah vlerat e mirëfillta kulturore. Ata nuk dinë se kujt t’i drejtohen për nevojat e tyre kulturore, nuk dinë si t’i artikulojnë ato, madje as që i mendojnë këto nevoja, sepse i perceptojnë si luks i madh!
Jeta kulturore që zhvillohet ndër ne nuk është fare ajo që i kënaqë nevojat dhe pritshmëritë kulturore ndër të rinjtë. Të rinjtë tanë, jetën aktuale kulturore e konceptojnë si ngjarje për më të pjekurit, për personat më seriozë! Pa dyshim, shumica absolute e të rinjve tanë e pranojnë kulturën si bazë të identitetit kombëtar, por që nuk e ndjejnë të detyrueshme që vetë ata të merren me kulturë, sepse nuk ua paraqet atë kënaqësi që ua paraqet organizimi i vizitave të “shoping-qendrave” në rajon e më gjerë, sepse nuk është diçka “cool” që ua plotëson nevojat e tyre rinore.
Kulturologët janë në unison për sa i përket vlerësimit se përmes kulturës së të rinjve mund të vijmë deri te formimi i personaliteteve të rinj. Dikur përmes mediave elektronike, përmes përfshirjes së të rinjve nëpër pjesë teatrale, nëpër filma, përmes organizimit të koncerteve, të ekspozitave, nga artistë të rinj, promovoheshin personalitete të reja që sot vlerësohen si asete të rëndësishme në kulturën kombëtare. Sot, ndikimi i të rinjve në kulturë është tepër minimal, por nga ana tjetër, nuk kemi kurrfarë oferte kulturore për të rinjtë! Mbase tërë kjo është një politikë e mbrapshtë, me qëllim që të rinjtë të rrinë sa më larg kulturës, sepse reagimi i tyre ndaj fenomeneve dhe ngjarjeve kulturore është gjithnjë kritik, sepse të rinjtë kanë qasje më specifike ndaj botës.
Nuk është meritë e shoqërisë apo e pushteteve nëse në skenë dalin individë me nivel solid kulturor! Madje, shoqëria as që guxon ta vlerësojë si vlerë të veten, sepse ky fenomen, ky krijues e artist, nuk është produkt i shoqërisë apo institucioneve kulturore, por thjesht, është rezultat i angazhimit individual. Prandaj këta të rinj i japin plotësisht të drejtë vetes që të dalin në botë për t’u kultivuar e për t’u ngritur kulturalisht si dhe për të kontribuar në atë shoqëri ku e kanë arritur pjekurinë e vet intelektuale. Kur në mesin e një shoqërie shfaqet një komunitet i konsiderueshëm i të rinjve që shprehin interesim jetik për ngritje kulturore, atëherë kemi të bëjmë me angazhim institucional për ngritjen e kapaciteteve kulturore ndër brezat tanë të ardhshëm.
Kush nga subjektet shqiptare në botë sot ka ndonjë studim serioz mbi nevojat kulturore të të rinjve, mbi atë se sa të rinjtë përcjellin jetën kulturore të mirëfilltë, a i përkushtohen të rinjtë tanë ngjarjeve kulturore në kohën e tyre të lirë, a përdoret kultura në mënyrë adekuate për ta edukuar rininë tonë, a u pëlqen sot të rinjve tanë tërë ajo që ndodhë në skenën kulturore kombëtare; a i ka pyetur ndonjëherë dikush të rinjtë tanë se çfarë u pëlqen e çfarë jo nga ajo që u serviret si kulturë!
Prandaj, sot bota politike shqiptare, strukturat elitare, akademike, as që ia kanë haberin se si të rinjtë tanë e perceptojnë dhe si e kuptojnë kulturën. Nuk dinë cilat janë nevojat kulturore të të rinjve tanë. Nuk dinë se cili është niveli i qasjes së të rinjve tanë ndaj përmbajtjes së përgjithshme kulturore. Drejtuesit e shoqërisë sonë, qofshin ata politik apo akademik, “i dinë” dhe “i kuptojnë” të gjitha strategjitë e botës, por ama nuk janë në gjendje që t’i identifikojnë dhe t’i dinë barrierat në të cilat të rinjtë tanë hasin gjatë përpjekjeve për t’i plotësuar nevojat e tyre kulturore. Prandaj, këta subjekte kombëtare, as që e marrin mundin që t’i përfshijnë të rinjtë në hartimin e platformave gjatë planifikimit të strategjive kulturore. Kjo mospërfillje, fatkeqësisht, ka prodhuar këtë indiferencë tek të rinjtë tanë në raport me jetën kulturore. Ky problem duhet të jetë jashtëzakonisht brengosës për shoqërinë tonë, kurse për politikanët e kombit dhe për pushtetet tona duhet të jetë ndër prioritetet më të rëndësishme kombëtare. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Politika kulturore dhe e drejta në kulturë

Midis nesh Termin politikë kulturore do ta definonim si angazhim për t’u…

Shkumbin Gashi: KEMI PROBLEM ME SHPËRNDARJEN E PËRGJEGJËSISË

Me shkrimtarë të diasporës: SHKUMBIN GASHI Shkumbin Gashi (1991) është shkrimtar i…

Teuta Lagja: SHQIPTARËT DUAN ARTIN E THJESHTË

Teuta Lagja, piktore Teuta Lagja pikturën e pati pasion që në moshë…

Hejza: SOT AS SHKRIMTARËT NUK LEXOJNË

Sot ndodh që në promovime librash, folësit të flasin për veprën pa…

Gjysmëfinalet e “Eurovision”, kualifikohen 10 të parët

Dhjetë vende, përfshirë Serbinë dhe Slloveninë, u kualifikuan për natën finale të…