Lufta në Ukrainë ka nxitur unitetin e vendeve perëndimore. Njëkohësisht, kjo periudhë vuri në dukje lidhjet e forta të Serbisë me Rusinë. Beogradi është ndër vendet e pakta që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, për të ndëshkuar sulmin e saj ndaj Ukrainës fqinje. Eksperti amerikan për politikë të jashtme në Fondin gjerman Marshall dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Jason Steinbaum, thotë se është koha që administrata e Shteteve të Bashkuara të ndëshkojë Serbinë për lidhjet ushtarake me Rusinë dhe mos-harmonizim të politikave të jashtme me Perëndimin.

Serbia votoi pro rezolutës së Kombeve të Bashkuara që dënon sulmin rus në Ukrainë, por po vazhdon t’i rezistojë trysnisë së Perëndimit për vendosjen e sanksioneve kundër Moskës, në përpjekje për të ruajtur balancën midis aspiratave të saj evropiane, partneritetit me NATO-n dhe lidhjeve shekullore, fetare, etnike dhe politike me Rusinë.

Por, krahas tensioneve midis Perëndimit dhe Rusisë po shtohen edhe thirrjet ndaj Beogradit për të harmonizuar politikën e tij të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, bllokut që synon t’i bashkohet.

Eksperti i politikës së jashtme dhe zhvillimeve në Ballkan, Jason Steinbaum, thotë se administrata amerikane mund të shfrytëzojë një ligj të miratuar në vitin 2017, për t’i vënë sanksione Serbise, për shkak të blerjes së armëve ruse nga Beogradi.

“Ligji thotë se presidenti duhet t’i verë sanksione një vendi që angazhohet në transaksione domethënëse me ushtrinë, ose shërbimet ruse të zbulimit. Serbia ka importuar armë të rënda nga Rusia pas miratimit të këtij ligji. Ligji flet në një gjuhë detyruese, duke thënë se presidenti do të vendosë sanksione. Pra ligji nuk pyet nëse ka, ose jo vullnet për sanksione”, thotë zoti Steinbaum për Zërin e Amerikës ndërsa shton se “as administrata e kaluar, as kjo e tanishmja nuk e kanë bërë një gjë të tillë, pavarësisht detyrimit ligjor. Pyetja është nëse ligji do të merret seriozisht dhe nëse Kongresi, që e ka miratuar atë, do të kërkojë një gjë të tillë”.

Ndër vite Serbia ka importuar një numër të konsiderueshëm armësh nga Rusia, duke blerë gjashtë avionë luftarakë MiG-29, 30 tanke T-72, 30 automjete të tjera të blinduara dhe sistemin e mbrojtjes ajrore Pantsir S1. Në janar të këtij viti një ngarkesë me raketa antitank Koornet mbërriti nga Rusia në Serbi, ndërsa Beogradi ka blerë edhe katër avionë MiG-29 nga Bjellorusia.

Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë shkojnë përtej tregtisë. Dy vendet kanë kryer edhe një seri manovrash të përbashkëta ushtarake.

Ditë më parë flamujt rusë dhe fotografitë e presidentit Vladimir Putin u panë rrugëve të Beogradit, në një shfaqje të rrallë publike të mbështetjes për Moskën pas sulmit të saj kundër Ukrainës.

“Disa thonë se nëse Serbia u bashkangjitet sanksioneve kundër Rusisë, protesta mund të ishte dy herë më e madhe. Sa mund të durojnë? Varet nga presioni që Perëndimi mund, ose dëshiron të ushtrojë dhe nëse është gati që më në fund t’i thotë Serbisë se nuk mund të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë” , thotë zoti Steinbaum.

Raporti midis Kosovës dhe Serbisë shihet si një nga çështjet më urgjente në këtë pjesë të Evropës.

Zyrtarët rusë kanë përdorur rastin e Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë dhe njohjen e dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës.

“Kosova është përballur me një fushatë gjenocidale, në të cilën popullsia e saj është dëbuar, mijëra e mijëra janë vrarë dhe mijëra gra janë dhunuar. Kjo nuk ka ndodhur në Ukrainë. Unë e kundërshtoj krahasimin me gjithë zemër. NATO ka vepruar bazuar në një tragjedi humanitare, që po ndodhte në Kosovë, e kryer nga Millosheviçi. Ukrainasit nuk kanë bërë të njëjtën gjë në Krime dhe ato rajone. Të gjitha pretendimet që po vijnë nga Moska janë false”, thotë eksperti i Forndit gjerman Marshall.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

PSP nuk do të paguaj para për qiranë dhe faturat fiskale të Janevës

Shefja e PSP-së, Katica Janeva nga një shtatori të këtij viti nuk…

Gjermania thotë se më shumë se 5,000 emigrantë mbërritën nga Bjellorusia në tetor

Policia gjermane thotë se ka regjistruar më shumë se 5,000 kalime të…

Ministrja e Jashtme gjermane viziton papritur Ukrainën

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, ka mbërritur në Ukrainë në një…

Rama takon Sarkozyn në Paris: Privilegj të këshillohem me të për sfidat e Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka takuar ish-presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy.…

Pas prangosjes së ish-kryetarit të Shtërpcës, Rada Trajkoviq: Arrestimet e sotme, do t’i ndihmojnë më së shumti serbët në Kosovë

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka arrestuar ish-kryetarin e Komunës…