Letër nga Tirana

Liceu artistik në Tiranë, i themeluar që në vitin 1946 për nder të piktorit dëshmor, Jordan Misja, ka qenë çerdhe prej nga kanë dalë emra të mëdhenj kombëtar, artistë të ndryshëm që kanë nderuar kombin e që kanë ngritur peshë skena e auditoriume ndërkombëtare! Themelues dhe pedagogë ndër të parët ishin emrat më të mëdhenj të kombit në fushat e ndryshme të kulturës, si: Odhise Paskali, Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi, Guri Madhi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Çesk Zadeja, Tish Daija, Avni Mula, Feim Ibrahimi, Mustafa Krantja, Marie Kraja, Nina Mula, Ramadan Sokoli, Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, e shumë të tjerë. Këta pedagogë e artistë të kombit dhanë gjithçka që ta nderojnë këtë shkollë artistike, duke u përkujdesur që të nxjerrin sa më shumë talente të reja që do të bëhen bartës të jetës artistike në Shqipëri dhe në viset e tjera etnike shqiptare. Nga kjo shkollë doli edhe Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama!
Kryeministri i Shqipërisë, nëse do ta lexonte këtë storie, pa dyshim që do të turpërohej e do t’i pëlciste shpirti, sepse gjithçka do të kishte pritur të lexojë, por vetëm këtë rrëfim jo!
Dy motra binjake (Katja dhe Ema), këto ditë morën vendin e parë në vallëzim konteporan (njëra në vallëzim artistik e tjetra në vallëzim xhaz), organizuar nga një shkollë private e vallëzimit! Profesori i tyre mburret me këtë sukses, por jo se kishte ditur diç më shumë për motrat! Në një bisedë fare të lirë me vallëzueset e veta, profesori mëson se ato kishin mbaruar tri vite në Liceun Artistik dhe nga ky vit shkollor janë përjashtuar nga shkolla! Motrat janë me prindër të divorcuar, i ati nuk “dihet” se ku është, e ëma punon si kujdestare e fëmijëve, vetëm e vetëm që të sigurojë ndonjë kore buke për vajzat e veta. Binjaket kanë qenë në sektorin e pikturës, me një talent të rrallë! Gjithnjë të dashura, të përkëdhelura dhe me premtime të profesorëve se do t’ju ndihmojnë të hapin ekspozitë personale! Në vitin e dytë nisin të përballen me bullizëm, me ofendime, me sharje, më pas kanë përfunduar në rrahje e në keqtrajtime fizike. Dhunues kanë qenë “talentet e reja”, një grup “artistësh” të rinj, fëmijë të “oligarkëve” që kanë dëshirë që emrin e tyre ta shpëtojnë fëmijët që do t’u bëhen artistë! Po dardha, dardhë bën! “Artistë” të ardhshëm me thikë në dorë, që e lëndojnë njërën nga motrat në dorë, që ua thyejnë telajot, pavarësisht se motrat nuk hanë nga dy-tre dit vetëm e vetëm të blejnë një telajo për ta derdhur talentin e tyre në pëlhurë! Motrat do të ankohen te kujdestari i klasës, te drejtori, te sigurimi i shkollës, do të ankohen te polici i lagjes, me dorën e therur, me mesazhet në celular me një fjalor ordinere të denjë vetëm për kriminelët e gangsterët! Do t’ua thirrin prindërit dhe, në takimin e parë, binjakeve do t’u dhunohet para drejtuesve të shkollës edhe e ëma nga babai “boss” i “artistes” së ardhshme! Këtu merr fund gjithçka! Vajzat kërkojnë që t’u mundësohet shkollimi online, qoftë për disa javë a muaj! Policia nuk reagon fare, kurse shkolla jep verdiktin e kërkuar nga “artistja” e ardhshme, bija e ndonjë mafiozi dhe, binjaket përjashtohen nga Liceu! Kjo ishte edhe zgjidhja më e lehtë e problemit nga drejtori i Liceut!
Profesori i vallëzimit nuk e beson këtë storie, prandaj shkon dhe vetë interesohet në Lice për fatin e këtyre dy vajzave! Meqë “artistet” gangstere tashmë kanë përfunduar shkollën e mesme, edhe stafi akademik ndjehet më i lehtë për të biseduar pa dorashka! Po, i thonë profesorit, këtu kanë mësuar ato dy binjaket, kanë qenë talente të rralla, i kemi larguar nga shkolla, sepse kështu na ka ardhur urdhri nga lart. Sot shkon vetëm fjala e atij që është i ledhatuari i pushtetit! Fatkeqësisht, i thotë një profesor, sot Liceu i Akademisë, kjo krenari kombëtare, po na shndërrohet në “çerdhe gangsterësh”! Profesori kërkon që t’i mbledhë të gjitha punimet e motrave binjake, të cilat në këtë shkollë kanë lënë me dhjetra piktura, sepse motrat ia kanë premtuar dhuratë “Akademisë së vallëzimit”! Përgjigja ka qen: nuk kemi asnjë nga punimet e motrave, sepse “artistet” e ardhshme janë kujdesur që asnjë gjurmë e binjakeve të mos ngelë në këtë Lice! I kanë grisur e djegur që të gjithë punimet. Kemi punime me decenie që ruhen këtu, por të binjakeve nuk kemi asnjë!
Kush janë këta “artistë”, kush janë këta fëmijë që me aq lehtësi regjistrohen në këtë Lice! Me gjasë, dominojnë për nga forca, jo për nga numri, fëmijë problematikë, me prindër “të fortë”! Nëse nuk je konsumues i “barit”, i alkoolit, nëse nuk je pamje artisti me vathë në buzë e në hundë, me flokë kolor apo të rruar, me xhepin plotë që ta mundëson ikjen nga shkolla sa herë që të shkon mendja për një sandviç, nëse nuk je ithtarë dhe nëse nuk u bashkëngjitësh “artistëve” gangsterë, atëherë – më mirë në shtëpi! Mbyte talentin! Nuk ka çka të duhet, as ty as kombit! Liceu nuk është për fukarenj, të ngratë e jetimë, sepse nuk kanë lekë për një notë korruptive, për një duhan, për një “bari”, për blerjen e sigurisë nga artistët” gangsterë! Shumë poshtë na ka rënë pazari, si shtet e si komb! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

ÇDO QYTET ME ANTOLOGJI TË VET!?

Midis nesh Përgatitja e antologjive poetike është bërë një çështje shumë e…

LETËRSIA E BREZIT TË RI LEXOHET PAK DHE PARAGJYKOHET SHUMË

HEJZA me Ndue Ukajn, shkrimtar Ndue Ukaj (1977) është shkrimtar, kritik letrar…

Letër nga Shkupi / NJË PËRÇMIM INSTITUCIONAL NDAJ LIBRIT

(Si kaloi dita e parë e një nisme institucionale – “Panairi studentor…