MUHAMED HALILI /

Në ditën e sodit para njëzet vitesh në vilën “Biljana” në Ohër u ndërprenë bisedimet shqiptaro-maqedonase.

Ekspertët dhe liderët politik parafuan tekstin e negocuar të Marrëveshtjes Kornizë i cili tekst u nënshkrua zyrtarisht nga katër liderët e partive politike në Maqedoni nën praninë e ndërmjetsuesve Francois Léotard dhe James Pardew dhe kryetarit Boris Trajkovski, në Shkup me 13 gusht 2001.

NDËRMJETËSIMET BRENDASHQIPTARE: NË KAFE TE “DORA”

Bisedimet partiake në lidhje me Planin Frowik PPD dhe PDSH i bënë të ndara sepse ende mes tyre nuk kishin krijuar lidhje miqësie pas qëndrimeve diametralisht të kundërta për konfliktin 2001. PDSH nuk i njihte udhëheqsit e UÇK-së e as që donte të dëgjonte të ulej në një tryezë bisedimesh. PPD mbante qëndrim të kundërt dhe ngulte këmbë që ata t’i ndalin luftimet dhe të amnistohen dhe marrin pjesë në bisedimet eventuale politike me palën maqedonase. Midis liderëve politikë të të dy partive Imer Imerit dhe Arben Xhaferit nuk kishte ndonjë miqësi të posaçme pas zgjedhjeve lokale ku PPD në shenje proteste në të gjitha qytetet u tërhoq nga gara për shkak të incidenteve zgjedhore.

Liderët nuk kishin mendim të mirë mes tyre. Në një intervistë me njohsin e mirë të luftës Petrit Menaj ( 2004) Dr. Imer Imeri për Arben Xhaferin shprehet kështu: “… Si politikan i atij kalibri që është, dinte të bënte edhe lajka, dinte të bënte edhe hile për konkurentin e vet, që shpesh herë ia kam zënë për të madhe, sepse ka dashur që të ulë të tjerët dhe, vetë të jetë konkurent i pakontenstueshëm, kurse të tjerët të jenë vetëm në shërbim të tij…”

Nisur nga fakti se një ulje në tryezë midis dy liderëve ka qenë e pamundshme për shkak të mospajtimeve mes tyre diku në fillim të majit Miftar Zyberi, një profesor dhe nismëtar i lëvizjeve politike pluraliste atë kohë kishte marrur një nismë të shihet mundësia e takimit të dy partive bazuar në nismën e Arben Xhaferit. Miftari këtë nismë ia kishte transmetuar Prof. Havzi Mehmetit, një ndër veprimtarët e parë për themelimin e PPD-së. Pasi Havziu ma transmetoi kërkesën e Miftarit atij iu përgjigja se një gjë e tillë është e mundëshme poqese edhe ai më shoqëron në atë takim.
Një ditë të fillimit të majit 2001 me Havziun shkuam në selinë alternative të PDSH në ndërtesën ku ishte kafeteria “Dora”. Në takim përzemërsisht na priti zavendëskryetari Menduh Thaçi dhe pas një kohe të shkurtër na u bashkangjit edhe kryetari Arbën Xhaferi. Edhe pse pa dijen dhe mandatin e kryetarit Imeri në takim u morrëm vesht si vijon:
-t’i lëmë anësh zënkat e panevojshme politike dhe t’i japim përkrahje luftës,
-të bëjmë koalicion të zgjëruar dhe të bëjmë përpjekje për ndaljen e konfliktit,
-të inicojmë pranë partive politike maqedonase dhe faktorit ndërkombëtar dialog aq të kërkuar shqiptaro-maqedonas për ndryshime kushtetutare,
-të bëjmë platformë dhe ekip të përbashkët për bisedimet e ardhëshme shqiptaro-maqedonase,
-Sipas modelit të Këshillit koordinues të partive politike shqiptare në ish Jugosllavi kryesuar nga Dr. Ibrahim Rugova të bëjmë Këshill koordinues mes PPD,PDSH dhe UÇK që katër vitet që vijnë shqiptarët të udhëhiqen në mënyrë të koordinuar dhe të zbatojnë me disiplinë atë që do të merren vesht me palën maqedonase në bisedimet politike,
-që kryetar i Këshillit koordinues të jetë përfaqsuesi politik i UÇK-së Ali Ahmeti,
-që Këshilli koordinues të del me platformën e saj të koordinimit mes partive politike.

Pas takimit e kërkova Dr. Imerin që ta njoftojë për takimin. Edhe pse në ndërkohë dikush e kishte kuptuar se ne kemi pasur takim me udhëheqsit e PDSH (dhe e kishin nxitur mirë e mirë kryetarin se kemi bërë “punë të keqe” pse jemi takuar me Arbenin dhe Menduhin) doktori e pranoi me kënaqësi planin si një rrugë e hapjes së bashkëpunimit midis dy partive.

Tepër u çudita kur disa rivalë xheloz partiakë një javë të tërë propagandonin kundër këtij takimi madje duke u kërcënuar se do të më përjashtojnë nga partia dhjetë ditë më vonë i pashë duke i shkuar pas si lakej doktorit dhe duke u ulur në sallë ku ishte organizuar një drekë mes Arben Xhaferit dhe Imer Imerit dhe aktivistëve tjerë të të dy partive politike shoqëruar nga Veton Surroi dhe Ylber Hysa përderisa unë rija dhe pritja një diplomat në hotelin “Aleksandër Pallas” në Shkup. I painformuar fare se çka ndodhë pasi e hëngrën drekën iu bashkangjita masës dhe aty kuptova se Vetoni dhe Hysa kishin organizuar për të nesërmen (22 maj 2001) një takim në Prizren midis dy liderëve dhe përfaqsuesit politik të UÇK-së Ali Ahmeti.

,Për motivet e nënshkrimit të Marrëveshtjes së Prizrenit Arben Xhaferi shprehet kështu :”…Dëgjo Petrit! – tha ai. Ti e di se qysh në fillim UÇK-ja, u etiketua si terroriste e ekstremiste dhe, ne na duhej që ta legjitimonim këtë ushtri dhe luftën e saj. Por, ne ishim në pushtet dhe presionin për mos ta njohur këtë luftë, e kishim të madh, si nga bashkësia ndërkombëtare ashtu dhe nga shteti shqiptar. Por si shqiptar, e ndieja për detyrë që ta përkrahja e ta ndihmonim këtë luftë, pavarësisht se dukej që nuk ishte e organizuar si duhet. Me ndërhyrjen e miqve tanë nga Kosova, u takuam në Prizren, siç e di edhe ti. Unë, Aliu dhe Imer Imeri ramë dakort, që në përgjithsi, të kërkonim nga shteti maqedon, të drejtat që u ishin mohuar shqiptarëve, ato të drejta që i takojnë ç’do populli…” ( Intervistë Petrit Menaj, 2004).

Ndërkaq ish lideri i PPD-së Imer Imeri shprehet më ndryshe për motivin e takimit dhe për tekstin e Marrëveshtjes së Prizrenit: “….. Natyrisht, subjekti politik të cilin e udhëhoqi Arbëri, si një lider me fundament, ishte një kohë të gjatë në kundërshtim me luftën. Por, me zhvillimin e luftës dhe me ndryshimin e situatës si në front edhe në fushën politike, ndoshta edhe nga presionet e jashtme të cilat unë nuk i di konkretisht, filloj të ndryshojë mendimin, sepse, po dukej që lufta do të korrte fitore. Meqënëse do të fitonte, duhej edhe të përkrahej…Deklarata e Prizrenit, ashtu siç ishte në tekst me thënë të drejtën nuk më pëlqeu, m’u duk shumë e butë, madje larg nga ato përcaktime që kishim përpara dhe unë e kundërshtova, por nuk këmbëngula, sepse nuk doja që të bëhesha shkaktar, që ky takim të dilte i pasukseshëm, që edhe ashtu si ishte ajo deklaratë, kishte domethënien e vet, i jepte një hov luftës për shkak se krijoi një unitet me faktorin politik shqiptar…”
Ky konstatim i Imer Imerit ndoshta mund të ketë ardhur nga shkaku se ky ishte i vetmi dokument ku përfaqsues të PPD-së nuk kishn asnjë germë të shkruar dhe atij i ka ardhur si befasi sepse “… subjekti politik që e udhëhiqja unë, (përgjigjet Imeri)dispononte një potencë intelektuale dhe politike me një kuadër, i cili kishte përvojë dhe dinim, jo vetëm unë, por edhe të tjerët të bënin analizat e duhura. Prej andej, rridhte dhe insistimi im në Prizren, që deklarata të ishte më e fortë. Nëse nuk fitohej krejt nga ajo që ne propozonim të shkruhej, sigurisht do të ishte pak më shumë frytdhënëse se ajo që e nënshkruam, përfundon ai.( Intervistë, Menaj 2004).

Marrëveshtja e Prizrenit shkaktoi huti te faktori ndërkombëtar i cili në bazë të sugjerimeve të liderëve tanë politikë kërkonte izolimin e liderëve të luftës dhe dhënien përkrahje të forcave politike legjitime por megjithate ishte faza e parë e nismës për zgjidhje paqësore të konfliktit dhe unifikimit të faktorit ushtarak dhe politik si dhe legjitimit të faktorit ushtarak.

KOALICIONI I ZGJËRUAR DHE FILLIMI I BISEDIMEVE

Para se të bëhej takimi në “Dora” PPD mbante qëndrimin se lufta mund të merr fund poqese të gjitha partitë politike bashkërisht angazhohen të gjejnë zgjidhje. Për këtë ishte e nevojshme që VMRO-DPMNE dhe PDSH të pajtohen për krijimin e një koalicioni të zgjëruar katërpatish VMRO, PDSH, PPD dhe LSDM. Me këtë të fundit kishim rënë dakord se konflikti nuk mund të ndalet me aksione ushtaraku por me biseda politike. Aksioni i përbashkët me LSDM ishte ta bindim komunitetin ndërkombëtar që ta bind VMRO-në dhe PDSH-në për krijimin e një Qeverie të zgjeruar. Pasi në takimin e përbashkët PPD-PDSH kjo e fundit u pajtua për një gjë të tillë atëherë Lupço Georgievskit nuk i mbeti gjë tjetër përveç se Solanës dhe Robertson-it tia komunikojë lajmin se është dakord për krijimin e një Koalicioni të zgjëruar të të katër partive më të mëdha politike VMRO,PDSH,LSDM dhe PPD.

Koalicioni i zgjëruar u votua në Kuvend më 13 maj 2001. Unë pata preferuar postin e zavendësministrit të jashtëm edhe pse më është propozuar ai i zavendëskryeministrit, dhe ashtu u bë. Pasi u votua qeveria e re e zgjëruar presidenti Trajkovski me një letër drejtuar kryetarit të Komisionit të arbitrazhit për ish Jugosllavi, ish kryetarit të Gjykatës kushtetuese të Francës e juristit të mirënjohur botëror Robert Badinter për ndihmë juridike për kërkesat shqiptare. Pas kësaj letre Robert Badinter kishte ardhur në bisedë konsultative me presidentin Trajkovski.

SY MË SY ME ROBERT BADINTER : DEMOKRACIA NGA AFËR ËSHTË ZGJIDHJA

Një ditë nga fillimi i qershorit mora një telefonatë nga ambasada franceze në Shkup për bisedë me Badinter-in , jurist I mirënjohur botëror, ish minister francez I drejtësisë, kryetar I Komisionit për shpërbërjen e Jugosllavisë, në lidhje me kërkesat shqiptare. Në rezidencën e ambasadorit francez François Terral patëm një bisedë njëorëshe ku e njoftova gjërë e gjatë për kërkesat shqiptare me theks të posaçëm për demokracinë konsensuale, statusin e gjuhës shqipe, statusin kushtetues të shqiptarëve, përfaqësimin proporcional dhe mbrojtjen nga majorizimi i deputetëve maqedonas si shkak i numrit të tyre dominues në parlament.
Pasi më dëgjoi me vëmendje Badinter më pyeti pse insistojmë shumë në vendimarrjen me consensus kur ai I blokonë gjërat?

Përgjigja ime ishte se për katër vite pune si deputet në kuvendin e Maqedonisë, edhe pse ishim në koalicion me një parti maqedonase LSDM-në nuk arritëm që asnjë vendim të rëndësishëm ta harmonizojmë me partnerët e koalicionit qeveritar. Madje në kuvend partite politike maqedonase e kanë aprovuar vetëm një amandament të PPD-së për ujërat.

Pastaj Badinter më pyeti se si PPD mendon ta zgjidhë këtë çështje?
PPD, I spjegova unë, mendon se krijimi I një sistemi dydhomësh, si në Mbretërinë e Bashkuar, do të ishte I aplikueshëm në Maqedoni. Dhoma e qytetarëve do ta pengonte majorizimin për ligje të rëndësishme që I rregullojnë marrëdhëniet ndërnacionale, investimet e barabarta në tërë republikën dhe sjelljen e buxhetit.
Këtu Badinter më ndërpreu dhe hypi lartë në dhomën e tij, shpejt konsultoi literaturë, zbriti dhe më tha se do t’i analizojë praktikat e shumë vendeve dhe do të del me propozim konkret. Ky system I vendosjes sot praktikohet në Maqedoni si “shumicë e Badinter-it.

Të nesërmen po në atë Rezidencë patëm një drekë pune sëbashku me Imer Imerin , Robert Badinter-in dhe ambasadorin François Terral. Pas kësaj Badinter u kthye në Paris dhe sërish erdhi në Shkup më 26 dhe 27 qershor ku pati takime pune me përfaqsuesit e partive politike shqiptare. Dy ditë rradhazi në lokalet e Ambasadës franceze në Shkup Badinter i dëgjoi kërkesat shqiptare nga grupi i përbashkët i përbërë nga Imer Imeri, Naser Zyberi, Ismet Ramadani dhe unë( ku edhe diskutoja edhe përktheja me lutjen e Badenterit sepse përkthyeset e papërvoja nuk e njihnin terminolgjinë politike) nga PPD dhe Arbën Xhaferi e Menduh Thaçi nga PDSH-ja.
Në një intervistë për gazetën e njohur pariziane “Le Monde” Badinter deklaron si vijon: “…duket se nuk mund të praktikohet demokracia konsenzuale sepse konsenzusi nuk zgjidh asgjë. E drejta e konsenzusit e pamundëson qeverisjen e një vendi i cili gjindet në vështirësi . Duhet të gjehen forma të reja të plotësimit të kërkesave legjitime shqiptare, thekson ai. Kjo është e mundshme nëpërmjet dimensionit të vetëqeversijes lokale, të një demokracie shumë të decentralizuar, të një demokracie nga afër…”
FILLIMI I BISEDIMEVE

Me paraqitjen e krizës u paraqitën edhe dilemat se si duhet zgjidhur ajo. Që t’i ikë internacionalizimit të mëtejmë të kërkesave shqiptare presidenti Trajkovski doli me propozim se forcat politike legjitime në Maqedoni kanë aftësinë e tyre që të gjejnë zgjidhje të problemeve me nisjen e një dialogu i cili do të mund të zhvillohet në Kuvendin e Maqedonisë në komisionin për integrime evro-atlantike ose në tryeza të rrumbullakta të cilat do të bëheshin nën patronatin e tij.

Në fillim këtë propozim e kundërshtoi PPD e cila në dokumentin e titulluar ” Kornizë për negociata për çështjet e hapura të shqiptarëve në Maqedoni” opinionin e patë informuar se “…PPD insiston që bisedimet maqedono-shqiptare të kenë karakter negocues dhe përveç palëve në bisedime të merr pjesë edhe faktori ndërkombëtar (EU, OSBE, NATO dhe SHBA). PPD konsideron se forum për diskutime nuk mund të jetë Komisioni për integrime evro-atlantike në Kuvendin e Maqedonisë e aq më pak Tryeza e rrumbullakët e inicuar nga ana e kryetarit Trajkovski, pa rend dite të përcaktuar që më parë, pa pjesmarrje të faktorit ndërkombëtar dhe pa status të definuar të pjesmarrësve në bisedime…” (Arkivi i PPD-së) .

këtij qëndrimi të PPD-së ajo qe e detyruar të merr pjesë në Tryezat e kryetarit Trajkovski nga presioni që asaj ia bënë faktorë ndërkombëtarë me kërcënim të izolimit të saj nga skena politike. Dëshmi e përmbajtjes së Komunikatës së PPD-së janë edhe konstatimet e mëvonshme të kryetarit të saj Imer Imeri i cili shprehet si vijon:”…Unë në fillim kur pashë se sa cekët duhet të shkonin në zgjidhjet politike, nuk u pajtova në asnjë mënyrë dhe i injorova, në disa takime nuk shkova. Faktori ndërkombëtar bënte presion që të shkonim në takim, pa marrë parasysh se ç’farë do të arrihej dhe ne në disa takime shkuam, në disa nuk shkuam…” (Intervistë Menaj 2004).

Ashtu siç raportonin mediat në gjuhën maqedonishte të asaj kohe si tv A1, gazetat “Vecer”, “Dnevnik” liderët shqiptarë Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi nuk kanë marrur pjesë në tryezat e organizuara nga kryetari Trajkovski pas takimit të parë më 9 korrik 2001 si protestë për mospranimin e kërkesave politike shqiptare nga liderët e partive politike maqedonase të cilët në tryezë kishin rënë për ndryshime kozmetike kushtetutare duke mos i hyrë esencës së zgjidhjes së problemit.
Në takimin e fundit në nivel të liderëve të katër partive politike VMRO-DPMNE, LSDM,PDSH dhe PPD ku kanë marrur pjese edhe Solana dhe Robertson më 26 dhe 27 korrik 2001 palët bashkëbiseduese kanë ardhur në përfundim se një dialog politik maqedono-shqiptar pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve ka qenë i pamundur. Edhepse parimisht palët janë pajtuar që bisedimet të rinisin më 28 korrik në Tetovë ato e kanë ndruar për shkaqe sigurie destinacionin e tyre për në Ohër, në vilën Biljana, rezidencë e kryetarit të republikës.

Në takimin e parë që u mbajtë më 9 korrik 2001 në bisedimet e udhëhequra nga Trajkovski ku kanë qenë të pranishme katër partitë më të mëdha politike si VMRO-DPMNE, PDSH, LSDM dhe PPD pjesmarrës kanë qenë kryetari Imer Imeri . Dokumenti bazë ka qenë ai i shkruar nga eksperti francez Badinter në bashkëpunim me ekspertët maqedonas. PPD dhe PDSH kanë prezentuar dokumentin e tyre të përbashkët ku është kërkuar që Maqedonia të jetë shtet binacional me gjuhë shqipe të barabartë me maqedonishten, përfaqsim proporcional të shqiptarëve në institucionet e shtetit, me krijimin e institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejtë vetoe për çështje të rëndësishme nacionale, me polici lokale që do të reflektojë përbërjen nacionale të popullatës.

Përfaqsuesit e partive politike maqedonase i kanë hudhur poshtë këto kërkesa përderisa për përfaqsuesit e PPD-së dhe PDSH-së platforma e ekspertëve maqedonas dhe e Badinter-it ka qenë e papranueshme.
Më 10 korrik përfaqsuesve të partive politike në Tryezën e Trajkovskit u bashkangjiten lehtësuesi amerikan Pardew, ai i BE-së Leotar, përfaqsuesi i OSBE-së për minoritete Maks Van der Shtul dhe përfaqsuesi i NATO-s në Shkup Peter Feith.

Më 9 korrik në orët e vona, diku kah ora 20.00h në restoranin “Uranija” e pata ftuar në darkë familjarisht ambasadorin francez François Terral. Më vonë një telefonatë dikush ambasadorit ia vuri në die se lehtësuesi i BE-së François Léotard ka arritur në Shkup dhe ka shprehur dëshirë të na bashkangjitet në darkë. Pasi e shpreha kënaqësinë time që ai të jetë pjesë e tryezës, ai erdhi dhe deri vonë në mesnatë mes tjerash këmbyem mendime për krizën politike dhe kërkesat shqiptare. Ky takim spontan i dha lehtësuesit Leotard pasqyrë të qartë se çka ndodh dhe me cilat sfida do të ndeshet më vonë gjatë misionit të tij.

Pasi të dy palët nuk i pranuan platformat e njëri tjetrit e me qëllim të sinkronizimit të qëndrimeve përfaqsuesit ndërkombëtarë ditëve që vijnë ndarazi bëjnë takime me ekspertë të partive politike në bisedime dhe nga negociatorët shqiptarë arrijnë kompromisin që të hiqet dorë nga kërkesa për nënkryetar të shtetit me të drejtë të vetos për çështje që preknin identitetin kombëtar shqiptar si dhe për statusin e popullit konstituent të shqiptarëve. Grupin e ekspertëve të PPD dhe PDSH e përbënin Naser Zyberi dhe Xhevdet Nasufi, ndërsa ky i fundit ishte edhe nënkryetar qeverie.
Tekstin e përmirsuar dhe të korrigjuar të dytë lehtësuesit ua dorëzojnë partive politike më 16 korrik 2001.

Më 17 korrik 2001 televizioni A1 informon se të dërguarit special të BE dhe SHBA Leotar dhe Perdju e dorëzuan versionin e fundit të platformës së tyre për ndryshime kushtetutare. “…Sipas propozimeve të tyre gjuha shqipe e merr statusin e gjuhës së dytë zyrtare. Propozim-zgjidhja e re për çështjen e gjuhës, i cili praktikisht do të thotë shpallje e gjuhës shqipe për gjuhë të dytë zyrtare, e solli dialogun në krizë. Propozimi që mbrëmë e dhanë Leotar dhe Perdju është i papranueshëm për VMRO-DPMNE dhe LSDM. Kryetari Boris Trajkovski me bisedat telefonike me disa shtetarë botëror u ka sqaruar se ajo çka e ofrojnë lehtësuesit Leotar dhe Perdju faktikisht do të thotë federalizim i shtetit, se është jashtë kornizës së dialogut bazë e të cilit janë propozimet e Badinter.

Draft versionin e fundit mediumet maqedonase si dhe intelektualët e politizuan në paskajshmëri si problematik dhe një mbështetje e hapët e lehtësuesve Leotar dhe Perdju kërkesave shqiptare si një dështim të platformës Badinter mbështetur fuqishëm nga partitë politike maqedonase dhe si një mundësi shkatrimi të shtetit. Premieri Georgievski shkoi edhe më tej në kualifikimet duke deklaruar se kjo platformë është ofruar në “stilin e kaubojve” nga ana e përfaqsuesve Leotar dhe Perdju. Kjo ka qenë data më kritike e vazhdimit të bisedimeve maqedono-shqiptare në vitin 2001.
Shtatëmbëdhjet vite më vonë ambasadori Pardew boton librin e tij “Krijuesit e paqës: lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan” ( Peacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkans) ku një kaptinë ia përkushton edhe nënshkrimit të Marrëveshtjes së Ohrit. Sipas tij si kusht për tu arritur paqa në Maqedoni kanë qenë dy kushte: statusi plotësisht i barabartë i gjuhës shqipe me maqedonishten dhe fuksionimi i policisë lokale si dhe disa probleme sekundare siç ka qenë edhe Preambula e Kushtetutës. Një kokëdhimbje të posaçme ka shkaktuar statusi zyrtar i gjuhës shqipe për të cilin edhe vetë Pardew ka pasur dilema se a duhet të jetë ashtu dhe për të cilin pala maqedonase as që ka dashur të diskutojë.

Kthesa në bisedime është bërë, shkruan Pardew, (që e dëshmon edhe Imer Imeri në intervistë e që edhe ambasadori francez Terral ma pat thënë në Luksemburg) më 16 korrik 2001 në ditën e festimit të pavarësisë franceze kur pas kritikave të ashpra drejtuar Arben Xhaferit nga ana e Pardew se shqiptarët kanë parashtruar kërkesa joreale ky i fundit ka pranuar të bëjë lëshime dhe pranojë pozicion më të dobët të gjuhës shqipe dhe të tërhiqet nga kërkesa për kontroll të tërësishëm të policisë lokale.
“Shqiptarët pranuan draft-tekst me të cilin shqipja bëhet gjuhë e dytë zyrtare por jo të niveli të njejtë. I thashë Xhaferit se poqese më jep garanca se të gjithë liderët shqiptarë do ta pranojnë propozimin, do t’ia ofrojmë kryetarit si shansë më të mirë për marrëveshtje. Disa orë më vonë Xhaferi u paraqitë me garanca….megjithatë për shqiptarët statusi i gjuhës së tyre ishte prioritet parësor…” ( Pardew, 2018).
Më 29 korrik 2001 liderët shqiptarë Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi tentojnë ta bindin kryetarin Trajkovski që ta pranojë statusin e barabartë zyrtar të shqipes me maqedonishten si kusht për çarmatimin e UÇK-së por ai e refuzon këtë. Në mbrëmje të 29 korrikut pala shqiptare pranon kompromisin që GJUHA SHQIPE TË KETË STATUSIN E GJUHËS ZYRTARE POR QË NË TEKSTIN E MARRËVESHTJES MOS QËNDROJ TERMI “GJUHA SHQIPE” (por 20%). Më 31 korrik 2001 të dy palët e pranojnë kompromisin e gjuhës por Georgievski kërcënon me lëshimin e bisedimeve.

Pas kësaj date më tepër angazhime kanë pasur ekspertët se sa politikanët. Leotar në intervistën e tij për Dojçe Vele (2004)në maqedonisht falenderues për ndihmë juridike i është Badinter-it të njohur, Pardew e lëvdon për talentin e saj eksperten LAUREL MIREL e cila para se të angazhohet në Maqedoni ka punuar në kushtetutën e Bosnjës në Dejton e më vonë në Kushtetutën e Kosovës, por esenca është se baza themelore për Marrëveshtjen ka qenë Deklarata për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni e Grupit parlamentar të PPD-së e përforcuar me një pjesë të platformës së PDSH ku parashihej krijimi i institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejta të vetos për çështje kombëtare.

Pas kompromiseve të bëra, kur krejt mendonim se bisedimet do të ecnin tutje pa ndonjë pengesë serioze, më 8 gusht 2001 diku pas orës 9 në mëngjez më telefonoi dhe mu drejtua Menduh Thaçi, zavendëskryetari i PDSH-së me këto fjali: “…profesor duhet urgjent të vini në Ohër se këta tuajt refuzojnë ta nëshkruajnë Marrëveshtjen…”

Në fillim u gjeta i habitur sepse ende nuk kishte ardhur koha e nënshkrimit dhe kishte ende tema për negociata dhe nuk e dija se çka kishte ndodhur sepse ende ishte herët e unë nuk i kisha dëgjuar lajmet. Për çfarë nënshkrimi bëhet fjalë Menduh?- pyeta. Pala maqedonase don t’i ndërpresë bisedimet dhe të fillojë me granatime si përgjigje për atë që ka ndodhur në Karpallëk. Pasi e ndërpreva bisedën me Menduhin e ftova Daimin, një aktivist I cili gjithnjë në këto raste më shoqëronte me “hundain” e tij “legjendar” me targa të Tetovës më të cilin u nisëm për Ohër.
Në kthesën për Prilep dhe Ohër policia kishte ngritur barrikade dhe duke parë targën e Tetovës policëve duke iu dridhur dorët na i kontrolluan dokumentet (derisa tjerët nga barikadatat na mbanin në shënjestër)dhe na shtrinë përtokë për ta kontrolluar veturën. Kur u prezentuam se kush jemi dhe ku shkojmë mezi na dhanë leje të shkojmë drejtë. Aty mësuam se çka në të vërtet kishte ndodhur në Karpallëk të Tetovës dhe pse policët ishin aq rigoroz dhe aq të frikësuar,

Me të arritur në Ohër e pyeta kryetarin Imer Imeri se çka po ndodh e ai mu përgjigj se vetë më në fund pajtohet ta parafoj Marrëveshtjen por këtë refuzuann ta bëjë kryenegociatori Naser Zyberi si edhe Abduladi Vejseli në cilësinë e nënkryetarit pasi ka ngelur pa negocuar Universiteti i Tetovës. Pasi kryetari Imer Imeri disa herë kishte biseduar me Solanën dhe pas këmbimit të mendimeve me Leotar dhe Van der Shtul kryetarit Imeri i thashë se poqese Naseri, Abduladiu dhe Azizi nuk e parafojnë atëherë rradha më bie mua dhe këtë do ta bëjë. Më në fund Marrrëveshtjen i pari e parafoi Imer Imeri pastaj Aziz Pollozhani. Siç dihet teksti i parafuar i Marrëveshtjes u nënshkrua në Shkup më 13 gusht 2001.

Siç dihet dhe është e shkruar në kronika Marrëveshtja Kornizë pas parafimit të saj më 8 gusht në Ohër në vilën “Biljana” u nënshkrua në Shkup nga liderët e PPD-së Imer Imeri, PDSH-së Arben Xhaferi, LSDM-së Branko Cërvenkovski dhe VMRO-DPMNE Lupço Georgievski.

Krahas kontributit të madh të liderëve të katër partive politike për nënshkrimin e Marrëveshtjes kornizë të Ohrit Imer Imeri, Arben Xhaferi, Lupço Georgievski, Branko Cërvenkovski dhe kryetarit Boris Trajkovski dhe bashkësisë ndërkombëtare, konsideroj se pa vullnetin e mire dhe angazhimin e plotë të përfaqsuesit të UÇK-së Ali Ahmetit dhe bashkëpunimit të tij të ngushtë me përfaqsuesin e NATO-s Piter Fejt dhe liderët e partive politike shqiptare , një gjë e tillë do të ishte e pamundëshme.

Nënshkrimi I kësaj marrëveshtjeje pati jehonë në popullatë për shumë arsye por dy ishin më kryesoret:
-me këtë iu dha fund një lufte të papritshme e cila filloi befas dhe u kundërshtua fuqimisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe të gjithë liderët politikë shqiptarë të asaj kohe në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri;
— Negociatat inicuan dhe përfunduan dialogun ndëretnik midis maqedonasve dhe shqiptarëve të kurrorizuar me Marrëveshtjen e Ohrit;
-filloi procesin e integrimit më të shpejtë të shqiptarëve në institucionet e shtetit.
-Marrëveshtja nuk I mbylli të gjitha proceset e kontestuara sepse nuk e krijoi barazinë e plotë gjuhësore e institucionele, që ka qenë një nga kërkesat parësore të shqiptarëve që nga fillimi I pluralizmit politik.
-Implementimi I Marrëveshtjes kornizë krahas rezultateve të pranuara dhe të pamohueshme, nga arsyeja e moskuptimit të esencës së nënshkrimit të një marrëveshtjeje të tillë, soli ndasi dhe diskriminim brendashqiptar duke i dhënë shtimit të numrit të përfaqsimit shqiptar në institucionet e shtetit karakter thjesht partiak;
-implementimi bëri mosbarazi institucionale midis ushtarëve të UÇK-së dhe atyre të ARM-së ku me ligj të posaçëm këta të dytët fituan privilegje nga shteti për angazhimin e tyre në luftë kurse ata të parët (UÇK) ngelën me gishtin në gojë, të anatemuar “si terroristë” dhe u detyruan të luftojnë për ekzistencën e tyre dhe familjeve të tyre. Madje disa prej tyre vdiqën në varfëri të thellë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Ku jeni “komandanta” të 2001-shit, pse po heshtni për komandant Sokolin!

Nuzemedin Imeri / Vëllezër e Motra, Të dashur bashkëkombës, të flasësh për…

“Grupi i Kumanovës” ri-dënohet me aminin e Ali Ahmetit

“Rasti i Kumanovës” në fakt është varri moral i BDI-së dhe oqeani…

Xhaferi: Nesër në xhami do vinë politikanët kriminelë, dhe hoxhallarët që heshtin para të keqes

Arianit Xhaferi Mendojeni pak o njerëz të mirë, Nesër do vinë në…

Fituesit e zgjedhjeve në Kosovë po e përkrahin Selën dhe Gashin, humbësit po e përkrahin Ahmetin dhe Musa Xhaferin

Ylber Pilku /Nëse bëjmë një paralele shumë lehtë do ta konstatojmë se…

Kush është spiuni i UDB-së serbe me nofkën “Novinar”?

SHKRUAN: RESHAT BADALLAJZHURIANI Serbosllavia në tërë Ballkanin ka zbarkuar jo më pak…