Midis nesh

Edhe shkrimtarët duhet të konsiderohen si ndërgjegje e kombit, sepse ata në një mënyrë, përmes veprave të tyre, ofrojnë ushqim shpirtëror, që është gjithnjë në funksion të artit dhe të vërtetës. Mbase, ata më të shquarit janë krenari e kombit dhe jetësohen në panteonin e të paharruarve.
Të jesh ose të pretendosh të bëhesh fytyrë publike, do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm dhe me vetëdije të lartë kombëtare. Megjithatë, janë disa të ashtuquajtur shkrimtarë që rrëshqasin në qëllimin e tyre dhe bëhen model i keq, ndonëse shpesh dinë të flasin për tema patriotike, humane, drejtësie e kështu me radhë, duke u munduar që si e si të jenë prezent edhe më mediat e ndryshme, thjeshtë për ta mbajtur në nivel konstant famën, për të cilën mendojnë se e kanë.
Në këto depërtime të tyre, ata kanë edhe promovimin e veprës, edhe atje ku realisht nuk i njeh askush dhe ku vepra e tyre nuk ka arritur të depërtojë. Dhe ja absurdi, së pari depërton autori anonim dhe pastaj (shpesh me vonesë të madhe) vepra, në vend se të ndodhë e kundërta, që vepra t’ia heq autorit vellon e anonimit.
Në fakt, në këto misione të dyshimta, rolin kryesor e kanë abuzuesit e ndërmjetësuesit e qejfeve. Duke u nisur nga ky motiv i vetëm, apriori është i garantuar dështimi i asaj që planifikohet. Janë disa “shkrimtarë” e “kritikë”, të cilët nëpër promovime veprash nuk ngurrojnë fare të dalin dhe para nja 10-15 miqve të flasin gjithçka, por jo edhe për librin. I kanë mësuar përmendësh disa fraza, të cilat gjithnjë i përdorin për të thënë fjalë miradije për veprën e autorin, të cilin apo të cilën e ngritin në kupë të qiellit.
Kurrë, ama bash kurrë, në asnjë provim të veprave shqiptare nuk është dëgjuar së paku ndonjë kritikë e vockël në kontekst qoftë edhe pozitiv. Çdo vepër e promovuar, ta merr mendje, se i plotëson kushtet për ta marrë çmimin libri më i mirë në hapësirat shqiptare.
Po cili është qëllimi përfundimtar i promovimit të librave nga ana e abuzuesve dhe ndërmjetësuesve të qejfeve? Është një qëllim irritues, që duket qartë se nuk e bren ndërgjegjen e atyre “shkrimtarëve” e “kritikëve”, të cilët, fatkeqësisht, vetë i zbulojnë këmbët.
Në fakt është e drejtë e tyre të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan, por u apelojmë që drekat e tyre të ngjeshura me mish e pije mos t’i fotografojnë dhe mos t’i postojnë në profilet e tyre në rrjetet sociale. Sepse, bie fjala, në Kosovë ka shumë familje që akoma vuajnë për kafshatën e gojës. Sepse, nëse thamë se edhe shkrimtarët duhet të konsiderohen si ndërgjegje e kombit, atëherë vërtet duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe pas promovime publike, së paku drekat e darkat e tyre të ngjeshura me mish, pije e ushqime tjera, t’i mbajnë vetëm për vete dhe jo t’ua tregojnë edhe atyre (me anë të fotove) që irritohen deri në zhgënjim nga të pandërgjegjshmit e kombit, që tentojnë të shiten ndryshe, por që nuk vlejnë as për 5 lekë….
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Nëse do të ekzistonte…

Irma Kurti për kritikën letrare (Enkas për Hejza-n)Nëse do të ekzistonte kritika…

Kulturimi i domosdoshëm i partive tona

Midis nesh Partitë janë grupim i bashkëmendimtarëve, të cilët synojnë që përmes…

ÇDO KOHË I KA ARTISTËT E VETË

HEJZA me Zake Prelvukajn, piktore Zake Prelvukaj është piktore dhe ligjëruese në…

Kushte për kulturë apo për artistë e krijues?

Midis nesh Bashkësia Evropiane për të gjithë ato struktura që bëjnë politikë…

Anarkia e padukshme

Midis nesh Napoleon Bonaparta ishte shprehur se njerëzit i bashkon vetëm frika…