1
1
1
2
3
4
5
6
7
8
9
Mjafton të shfletohen faqet zyrtare të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut apo të kreut të saj për të krijuar një përshtypje të qartë mbi atë që konsiderohet e denjë për t’u bërë publike: reisi priti një imam, priti një delegacion nga një xhami, takoi një grup xhematësh, përcolli një mysafir, priti një tjetër…
Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog
Priti. Takoi. Përcolli. Dhe përsëri priti. Drekoi për dua-hatme. “Shperndau certificate hifzi!!!” Natyrisht, një institucion fetar ka nevojë për takime. Ka nevojë për komunikim me imamët, xhematet, institucionet dhe personalitete të ndryshme. Askush nuk mund të kundërshtojë vetvetiu një takim, një vizitë apo një pritje. Problemi lind kur këto bëhen pothuajse vetë përmbajtja e veprimtarisë institucionale. Atëherë duhet të pyesim: çfarë tjetër po ndodh? A mund të matet një institucion me numrin e njerëzve që hyjnë në zyrën e drejtuesit të tij. Apo matet me punën që prodhon drejtuesi jashtë asaj zyre.
Nëse faqet institucionale mbushen vazhdimisht me lajme për pritje e takime, ndërsa mezi gjen aty një program të qartë, një nismë të madhe, një projekt zhvillimor, një analizë të gjendjes, një objektiv të matshëm apo një ide që tregon se ku dëshiron të jetë institucioni pas disa vitesh, atëherë problemi nuk është më komunikimi, por problem bëhet përmbajtja e punës. Dhe këtu lind edhe një tjetër dukuri, më e hollë, por jo e parëndësishme: përdorimi i vazhdueshëm dhe pa masë i epitetit “imam”.
Fjala imam nuk është një dekor gjuhësor që mund t’i vendoset kujtdo që kryen një detyrë fetare. Ajo mbart një histori të gjatë të dijes islame dhe lidhet me figura që kanë lënë gjurmë të pakontestueshme në traditën fetare e intelektuale islame. Kur themi Imam Buhariu, Imam Muslimi, Imam Aliu, nuk kemi parasysh thjesht një funksion administrativ apo një vend pune në një xhami. Emri dhe epiteti mbartin një peshë të jashtëzakonshme dijetare, historike dhe shpirtërore. Prandaj, përdorimi mekanik i të njëjtit epitet për çdo hoxhë që ushtron sot detyrën e imamit e varfëron vetë kuptimin e fjalës. Nuk është çështje se kush e meriton apo nuk e meriton një nderim. Është çështje e peshës së gjuhës. Kur një titull me peshë të madhe historike përdoret pa dallim, ai gradualisht humb veçantinë. Në vend që të nderojmë një traditë të dijes, rrezikojmë ta kthejmë një epitet të madh në formulë rutinore. Dhe këtu problemi nuk është vetëm gjuhësor. Sepse një institucion që ka përgjegjësi të madhe fetare, arsimore, kulturore dhe shoqërore duhet të ketë edhe një kulturë të kujdesshme të komunikimit. Duhet ta dijë çfarë emërton, çfarë vlerëson dhe çfarë peshe u jep fjalëve.
Por le të kthehemi te pritjet. Përse duhet të na bëjë përshtypje një kalendar institucional i mbushur me vizita? Sepse pas një kohe krijohet një iluzion veprimtarie. Zyra duket e gjallë. Gjithmonë ka dikush që hyn, dikush që del, dikush që fotografohet, dikush që përshëndetet. Në fotografi ka fytyra. Në lajme ka emra. Në tituj ka lëvizje. Por ku është puna? Ku është programi? Ku është vizioni? Ku janë reformat që kërkojnë kohë dhe guxim? Ku është përgjigjja institucionale ndaj problemeve që prekin jetën e besimtarëve? Ku është një plan për arsimin fetar, për të rinjtë, për edukimin, për trashëgiminë islame, për bibliotekat, për botimet, për përgatitjen e kuadrove, për transparencën institucionale, për marrëdhënien me shoqërinë dhe për rolin që një institucion fetar duhet të ketë në jetën kulturore të komunitetit? Këto janë pyetjet që nuk marrin përgjigje nga një fotografi me një mysafir.
Dhe, nëse një institucion e ka si përmbajtje kryesore pritjen dhe përcjelljen e njerëzve, atëherë lind një pyetje edhe më e pakëndshme: a janë këto vizita shenjë e një institucioni aktiv, apo janë shenjë e mungesës së një pune që ia vlen të bëhet publike?
Sepse mund të ndodhë edhe e kundërta. Mund të kemi një institucion që punon shumë dhe që, përveç punës së vet, pret edhe njerëz. Por atëherë puna do të dukej. Do të kishte projekte. Do të kishte rezultate. Do të kishte vendime. Do të kishte debate. Do të kishte botime. Do të kishte ndryshime. Pritja do të ishte vetëm një pjesë e vogël e veprimtarisë.
Kur pritja bëhet pjesa më e dukshme e veprimtarisë, ndërsa puna konkrete nuk vërehet askund, kemi të drejtë të dyshojmë se kemi të bëjmë me një institucion që merret më shumë me shfaqjen e aktivitetit sesa me prodhimin e tij.
Dhe pastaj vjen ironia. Mund të thuhet: “Ja sa shumë imamë na vizitojnë. Ja sa shumë xhematë na vijnë. Ja sa shumë personalitete duan të takohen me ne.” “Ja sa shumë me duan…” “Ja sa i fuqishëm jam unë…” E çfarë dëshmon kjo? Mund të dëshmojë respekt. Mund të dëshmojë marrëdhënie të mira. Mund të dëshmojë interes për institucionin. Por nuk dëshmon absolutisht as program, as sukses, as vizion. E një institucion nuk bëhet më i madh sepse shumë njerëz e vizitojnë. Bëhet më i madh kur diçka ndryshon falë punës së tij.
Dhe, nëse këto pritje e vizita janë aq të shumta sa të krijohet përshtypja se drejtuesit nuk po gjejnë kohë për t’u marrë me çështje madhore, atëherë ndoshta ka ardhur koha që dikush t’u thotë edhe mysafirëve: faleminderit për vizitën, por tani na lini të punojmë. Sepse edhe vizita më e bukur nuk e zëvendëson një program. Edhe fotografia më solemne nuk e zëvendëson një ide. Edhe një varg përshëndetjesh nuk e zëvendëson një reformë. Edhe një kalendar plot takime nuk e zëvendëson një plan zhvillimor.
Institucionet serioze nuk kanë nevojë të dëshmojnë çdo ditë se sa njerëz i presin. Kanë nevojë të dëshmojnë se çfarë bëjnë kur dera mbyllet dhe njerëzit largohen. Sepse aty fillon puna e vërtetë.
Dhe ndoshta kjo është pyetja që duhet t’i bëjmë BFI-së së Shaqir Fetait: jo sa imamë, delegacione e mysafirë keni pritur këtë javë, por çfarë keni bërë këtë javë që do të mbetet edhe pasi të gjithë ata të jenë larguar?