Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të grupit u emërua Fetah Efendiu. Lidhur me këtë figurë të shquar shqiptare deri më tash është folur shumë pak, madje disa qarqe dëshirojnë ta tjetërsojnë, duke e paraqitur si “turk”, edhe pse ai me prejardhje ishte nga fshati Cërni Vër (Maja e Zezë) e Karshiakës së Shkupit, një vendbanim i pastër shqiptar.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Me zbulimin e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare – ONDSH (korrik 1946), shërbimi sekret i atëhershëm jugosllavo-maqedonas, i njohur me shkurtesën UDB (Uprava za Državnata Bezbednost / Drejtoria e Sigurimit Shtetëror) i arrestoi qindra veprimtarë të shquar shqiptarë. Në mesin e të arrestuarve ishin edhe ulematë e njohur të Shkupit, të fushëgropës së Kumanovës e të Anamoravës: Fetah ef. Raufi, Haki ef. Taibi, Mehmet ef. Sadiku, Riza ef. Xheladini, Menduh ef. Qazimi, Xhemail ef. Xhemaili, Ferhat ef. Ibrahimi etj. Të gjithë ata, nga ana e UDB-ës konsideroheshin si pasardhësit e politikës së Ataullah ef. Kurtishit, një figurë e shquar fetare e kombëtare shqiptare nga Studeniçani i Karshiakës, veprimtaria e të cilit erdhi në shprehje veçanërisht në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, kur udhëhiqte me medresenë e njohur “Medah” të Shkupit, nga e cila dolën pikërisht ulematë e lartpërmendur. Komunisti jugosllav nga Shkupi me prejardhje shqiptare, Qemal Sejfulla, në një mbledhje të zgjeruar të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Maqedonisë, e cila u mbajt më 13 maj të vitit 1946, veprimtarinë politike e fetare të Ataullah Hoxhës dhe grupit të tij e përshkruante kështu:

“… Këtu te ne kemi një grup në atë bazë fetare, e ky është grupi i Ataullah Hoxhës. Ky është sekt, të cilin e njohin të gjithë në Shkup. Kur flitet për grupin, mund të dëgjohet: Po po, kjo është partia e Ataullah Hoxhës. Ata për shef të grupit e kanë Ataullah Hoxhën, Aga Rizë, për shembull, është sekretar politik i Ataullah Hoxhës, Fetah Raufi është këshilltar i tij. Grupi i Ataullah Hoxhës ka ndikim të madh jo vetëm në Shkup, përmes hoxhallarëve të cilët ndikojnë te disa zejtarë, por edhe nëpër fshatra përmes hoxhallarëve të tyre, të cilët i mësojnë fëmijët në fshat, e të cilët përmes tyre veprojnë atje. Të gjithë hoxhallarët shkojnë te Ataullah Hoxha në vizitë. Ose shkojnë në kafenenë e Ataullah Hoxhës. Atje gjoja pinë çaj, tubohen dhe bisedojnë dhe askush nuk guxon të futet nëse nuk është nga grupi i tyre. Nëse dikush hyn e i cili nuk është i grupit të tyre, ata të gjithë dalin nga kafeneja dhe atë e lënë vetë. Përndryshe, kanë metodë speciale për punë. Vetë Ataullah Hoxha thotë: mua nuk më janë të domosdoshëm shumë njerëz. Më mirë është të jenë më pak, por të jenë të aftë të vdesin për fenë. Të gjithë hoxhallarët myderrizë, ata janë hoxhallarë që kanë arsimim të lartë – shkojnë nga dyqani në dyqan – le ta verifikojnë shokët tanë nga OZN-a, e do të shohin sidomos çdo njëri në mes të ditës se si ata myderrizë shkojnë nëpër dyqane dhe debatojnë për çështjet e tyre dhe përcjellin direktiva. Ata, në atë mënyrë mbjellin pakënaqësi te masat për fenë dhe në përgjithësi për çështjet fetare. Ata, me qëllim kërkojnë ndonjë dobësi apo gabim tonin në atë linjë fetare që të fusin pakënaqësi midis masave…”.

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të grupit u emërua Fetah Efendiu. Lidhur me këtë figurë të shquar shqiptare deri më tash është folur shumë pak, madje disa qarqe dëshirojnë ta tjetërsojnë, duke e paraqitur si “turk”, edhe pse ai me prejardhje ishte nga fshati Cërni Vër (Maja e Zezë) e Karshiakës së Shkupit, një vendbanim i pastër shqiptar. Nisur nga kjo, në këtë punim studimor, i cili mbështetet në burimet e proveniencës policore e gjyqësore jugosllave, do të bëhet një përpjekje modeste për zbardhjen e kësaj figure të madhe fetare e kombëtare shqiptare të Shkupit.

Sipas këtyre burimeve, shohim se Fetah Efendiu ka lindur në vitin 1910 në Shkup, nga prindërit shqiptarë, babai Rauf dhe nëna Rafije. Në vitet 1920-1923 i kreu tre klasë shkollë fillore në gjuhën serbo-kroate. Në vitin shkollor 1923/24 u regjistrua në Medresenë “Medah”, të cilën e kreu me sukses të shkëlqyeshëm në vitin shkollor 1931/32 dhe mori titullin Muderriz. Pasi e kreu me sukses të dalluar këtë shkollë, në vitet 1932-1935 e vazhdoi shkollimin e lartë në po atë medrese, duke u specializuar në gjuhën arabe dhe osmane. Në harkun kohor 1935-1938 punoi si zëvendës-ligjërues i Ataullah Hoxhës, ndërsa nga ai vitit e deri në mbylljen e medresesë (1945) si profesor i po asaj medreseje.

Krahas veprimtarisë fetare, Fetah Efendiu dha një kontribut të çmueshëm edhe për çështjen kombëtare, veçmas gjatë periudhës kohore 1943-1947. Me kapitullimin e Italisë fashiste, Fetah Efendiu, me propozim të Mehdi Frashërit, emërohet këshilltar i lartë për çështje fetare pranë Kuesturës në Tiranë. Në këtë detyrë qëndroi plot një vjet, me ç’rast ai u njoftua me shumë veprimtarë dhe udhëheqës politikë shqiptarë, si: Xhafer Devën, Mehdi Frashëri, Tahir Kolgjini etj. Në tetor të vitit 1944 Fetah Efendiu, së bashku me Hamit Krujën, Sait Hoxhën, Emin Beun, Rashid Beun e Muhamed Shaban Pashën, e themelojnë në Shkup komitetin Lidhja II e Prizrenit. Kjo ngjarje e rëndësishme historike ndodhi në pjesën e dytë të muajit shtator të vitit 1944, kur Komiteti Qendror i Lidhjes II të Prizrenit për prefekt të Shkupit e emëroi nënprefektin e deriatëhershëm të Gjilanit, Hamit Krujën. Për rrjedhojë, Hamit Kruja, i shoqëruar prej rreth 15 ushtarëve, në pjesën e dytë të shtatorit udhëtoi për Shkup, ku u prit nga myftiu Said Hoxha me bashkëpunëtorët e tij, në mesin e të cilëve ishte edhe Fetah Efendiu. Gjatë bisedës që pati me myftiun e Shkupit, Said Hoxhën, vendosi të organizohej një konferencë më e zgjeruar, në të cilën do të “ftoheshin personalitetet më me ndikim të qytetit”. Mbështetur në këtë, myftiu po atë ditë e ftoi parinë e atëhershme shqiptare të Shkupit. Konferenca u mbajt në sallën e Myftinisë me një pjesëmarrje tejet të madhe. Ja se si e përshkruante, mbajtjen e kësaj konference Said Efendiu: “…Salla ishte e stërmbushur, ndërsa merrnin pjesë këta figura: Fetah Efendi Raufi, Emin Jashari beu, Daut Ali-këpucëtari, Hafëz Nuhiu, Hafëz Mamut Ymeri, Halit Tregtari, Gani Selimi, Esad Doko nga Ohri etj.”. Në konferencë fjalë rasti mbajti prefekti i porsazgjedhur i Shkupit, Hamit Kruja, i cili veç tjerash, kërkoi të themelohet Komiteti i “Lidhjes II të Prizrenit”, i cili komitet, siç pohoi, “do të angazhohet që në pushtetin e porsaformuar t’i mbrojë interesat e myslimanëve, shqiptarëve dhe turqve”. Kjo për Krujën ishte mase e domosdoshme, për shkak se, siç theksoi, “edhe shqiptarët myslimanë të Shkupit janë komb, prandaj duhet t’i kenë të drejtat e njëjta me të krishterët në shtetin e ri, të cilin e krijojnë gjermanët.”. Konferenca zgjodhi udhëheqjen e Lidhjes II të Prizrenit për qytetin e Shkupit, ku për kryetar u zgjodh Emin Beu, ndërsa për anëtarë të kryesisë u zgjodhën: Fetah Efendi Raufi, Ismail Hoxhë Kaçaniku, Riza Aga-Kaçaniku, Gani Selimi etj. Duhet shtuar këtu se, gjatë mbajtjes së konferencës, u vendos para ndërtesës së Myftinisë flamuri kombëtar, të cilin e solli myftiu Sait Hoxha. Në procesin hetimor të zhvilluar më 26 korrik 1947 kundër Fetah Efendiut, në pyetjen e oficerit të sigurimit shtetëror jugosllav për angazhimin konkret të tij në Komitetin e Lidhjes II të Prizrenit, ai përgjigjet kështu: “…Bashkëpunoja me komitetin shqiptar i udhëhequr nga prefekti Hamit Kruja, i cili për qëllim pati luftën për krijimin e Shqipërisë etnike, në të cilën do të futeshin të gjitha trevat nga lumi Pçinjë, pastaj Velesi dhe tërë Maqedonia Perëndimore, Kosova e Metohia dhe Shqipëria e vjetër. Në mbledhjet e këtij komiteti kam marrë pjesë 3-4 herë. Mbledhjet i mbante në Myftini. Në atë komitet unë isha si këshilltar. Mbledhjet i mbanim në Shkup dhe vinin njerëzit të cilët ishin anëtarë të komitetit në Prizren për t’i mbajtur mbledhjet këtu…”.

Burimet sekrete jugosllave bëjnë të ditur se detyra kryesore e Fetah Efendiut në komitet ishte lidhja dhe bashkëpunimi i ngushtë me Sulë Hotlën. Për këtë qëllim ai dërgoi në shtabin e Sulës dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Xhemail Efendiun dhe Ferhat Hoxhën. Përveç kësaj, ai zhvilloi edhe disa takime me SulëHotlën. Takimi i parë i tij është zhvilluar diku në përfundim të muajit shtator ose në fillim të muajit tetor 1944 në fshatin Mateç, ku ishte edhe selia e Nënprefekturës.

“...Në atë kohë, shprehet Fetah Efendiu para organeve të hetuesisë, unë dëgjova se në fshatin Mateç, Sulë Hotla ka krijuar Shtabin dhe se me njerëzit e tij të armatosur, e mban frontin kundër partizanëve…Vendosa të shkoj deri atje për të parë se çfarë qëllimi ka Sula…Kështu, një muaj e gjysmë para se partizanët të futen në Shkup, shkova në fshatin Nakushtak te Mulla Xhemaili. Ai nuk ishte në shtëpi, për shkak se ishte anëtar i Shtabit dhe ishte në pozitë, prandaj e dërgova një fëmijë për ta thirrur. Para asaj një fshatar e dërgova për ta thirrur Mehmet Sadikun nga fshati Grushinë. Pas një kohe, erdhën të gjithë dhe u ulëm për të biseduar. Unë u thashë se kam ardhur për t’u takuar me Sulën e të bisedoj në lidhje me luftimet të cilat zhvillohen kundër partizanëve. Ata u dakorduan që të më dërgojnë pranë Sulës në fshatin Mateç dhe kështu shkuam të tretë. Kur hymë në dhomën ku qëndronte Sula, ai u çua për të na nderuar dhe duke u përshëndetur me të unë i thashë hajde për hajr, se po e shoh se tashmë e paske krijuar shtetin shqiptar?’. Ndaj kësaj Sula mu përgjigj se për atë që e ka krijuar tashti do të luftojë deri në fund dhe askujt nuk do ia lejoj që t’ia merr dhe u falënderua për fjalët e mia. E pyeta se si qëndron me armatimin dhe se a ka mjaftueshëm për ta mbrojtur frontin. Sula më tha se ka sa i nevojitet… Ia bëra me dije që mos të shpresoj shumë nga gjermanët, sepse ata do të pësojnë humbje. Ndaj kësaj Sula fillimisht tha se kjo është e pamundur, por më vonë më tha se do ta mbajë frontin derisa të vijnë anglo-amerikanët, të cilët do e pranojnë Shqipërinë etnike. Në bisedën që e zhvillova me Sulën e vërejta se shumë i sulmonte partizanët dhe se asnjëherë nuk do të pajtohet me ta. Atëherë unë u çova dhe i thashë le të jetë e hajrit dhe e përjetshme mendimi dhe veprimi i tij që e ka filluar. Gjithashtu Sulës i propozova nëse dëshiron të arrijë ndonjë marrëveshje me partizanët, për t’i ndërprerë luftimet, por as Sula të mos futet në territoret partizane, e as partizanët të vijnë në territorin e tij, e gjithashtu Sula edhe më tej të ketë marrëdhënie të mira me gjermanët. Në fillim të bisedës prezent ishin Mehmet Sadiku e Mulla Xhemaili, e më pas unë dhe Sula shkuam në një dhomë ku e përsëritnim bisedën e njëjtë. Pas bisedës me Sulën në fshatin Mateç unë, Mulla Xhemaili e Mehmet Sadiku u kthyem në fshatin Nakushtak. Shokëve të mi, përkatësisht të dyve që ishin prezent, u thashë t’u shkruajmë një letër partizanëve.Me këta ata u pajtuan. Për sa më kujtohet, letrën e shkroi Xhemaili. Atë ia dhamë një fshatari për ta dërguar deri te partizanët. Në letër theksuam se shqiptarët të cilët luftojnë kundër partizanëve nuk do të qetësohen derisa nuk vjen ndonjë fuqi e madhe…”.

Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjen e brigadave komuniste jugosllave e shqiptare në mbarë viset shqiptare, pa dyshim se kjo përbën ndër humbjet më të mëdha dhe më të dhimbshme që përjetoi kombi shqiptar gjatë shekullit XX. Në emër të “vëllazërim-bashkimit”, parullë e njohur komuniste, këto forca burgosën, vranë e torturuan dhjetëra mijëra shqiptarë kudo që ata shtriheshin, vetëm e vetëm se nuk e mbështetën ideologjinë e tyre. Kësaj fushate të egër, që u zbatua në atë kohë mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare, iu kundërvu inteligjenca e atëhershme shqiptare, në radhë të parë mësuesit dhe ulematë shqiptarë. Në mesin e tyre pa dyshim se ishte edhe Fetah Efendiu, i cili përmes Hasan Bilallit dhe Qemal Skënderit informohet për themelimin e NDSH-ës dhe programin politik të saj. Është e rëndësishme të vihet në dukje fakti se tërë veprimtariae tij përcillej nga UDB-ja jugosllave, e cila në atë kohë kishte arritur të përvetësojë disa hoxhallarë, të cilët njëkohësisht konsideroheshin si njerëz të afërt me udhëheqjen e NDSH-ës dhe me grupin e ulemave, që u printe Fetah Efendiu. Në mesin e tyre duhet veçuar bashkëpunëtorin me nofkën “Shok”, i cili nga nëntori i vitit 1945 i raportonte rregullisht UDB-ës jugosllave për takimet e tij me Fetah Efendiun.

Reaksionarët shqiptarë në Shkup, theksonte ‘Shok’ në raportin e 26 nëntorit 1945, si edhe reaksioni i përgjithshëm, kanë marrë një grusht të rëndë me RF të Jugosllavisë, e veçmas kjo në Maqedoni. Një grup i reaksionarëve në Shkup, në krye me Ataullah Hoxhën, pas zgjedhjeve është pasivizuar në tërësi apo thënë më mirë është në habi totale. Para zgjedhjeve përpiqeshin dhe ishin shumë aktivë, sepse gjithnjë ishin në kontakt me popullin. Për këtë veçmas dalloheshin Fetah Raufi dhe Mehmet S adiku, që të dy nxënës dhe zbatues të politikës së Ataullah Hoxhës. Pas zgjedhjeve pata dy herë takime me Fetah Raufin… Takimin e parë e pata më 21 nëntor dhe bisedën e zhvilluam për çështje të përgjithshme, për çka mund të konkludohet se Fetah Raufi dhe grupi reaksionar shqiptar përreth Ata Hoxhës janë të pakënaqur në përgjithësi me regjimin e tanishëm qoftë politik, po ashtu edhe në administratë. Takimi i dytë u zhvillua më 24 nëntor 1945, pas dite, saktësisht në orën 4 e 30 minuta. Tema e bisedës ishte përsëri politike dhe me rastin e takimit të dytë u vërtetova se Atullah Hoxha dhe grupi i tij janë të pakënaqur me rregullimin e tanishëm. Ngeli sërish të shihemi dhe t’i vazhdojmë bisedimet. Gjatë ndarjes, Fetah Raufi në mënyrë të qartë më tha edhe atë duke ma përkujtuar se kjo duhet të ngelë vetëm midis ne të dyve: duhet në mënyrë shumë serioze të organizohemi dhe të punojmë kundër kësaj gjendje të rëndë, në të cilën gjendet kombi shqiptar me kurrfarë të drejtash. Puna jonë, shtoi Fetah Raufi, duhet të jetë tepër sekrete dhe e mençur, e sa i përket pushtetit do t’i fusim disa anëtarë tanë në pushtet, me qëllim të kamuflimit. E pyeta se a mund unë të njoftohem me mënyrën e punës suaj, ‘Efendiu’ mu përgjigj: se je i vetmi intelektual që të besojmë, mirëpo nuk të kemi sprovuar në punën tonë, prandaj edhe nuk mund ta dish mënyrën e punës sonë, mirëpo për momentin kënaqu edhe me kaq. Këto ishin fjalët e fundit të Fetah Raufit dhe më ftoi sërish në bisedime kur të dëshiroj”.

Po ky bashkëpunëtor më 17 maj të vitit 1946 i raportonte UDB-ës për një bisedë të tij me Fetah ef. Raufin, të cilin në vazhdim po e paraqesim të plotë:

Bashkëpunëtori ‘Shok’: Më 17 maj 1946, pata një bisedë të gjatë me Fetah Raufin, nxënësin e Ata Hoxhës. I njëjti lidhur me Triesten dhe Krahinën e Julit dhe lidhur me mitingjet që po mbahen ndër të tjerave më tha:

Fetah Raufi: Habitem me Jugosllavinë se si gjërat i sheh në mënyrë aq fëmijërore. Ata mendojnë se me telegrame dhe mitingje ta marrin Triesten. Jugosllavët ishin atje dhe përse e lëshuan Triesten kur ata atje janë të fortë siç po paraqiten dhe nuk janë të vetëdijshëm se asnjë nga kombet nuk e kanë pas veti. Kundër regjimit të tanishëm veçmas janë serbët dhe kroatët. Neve shqiptarëve, na kanë për shkak se frikohemi se përndryshe askush nuk i do. Maqedonasit 95% janë kundër. Këta do të shkatërrohen, për këtë aspak nuk dyshoj. Për këtë së shpejti do të bindesh edhe ti. Para do kohe një amerikan ka mbajt fjalim kundër sovjetikëve, Rusisë dhe ka thënë se ne nuk mund të lejojmë që Rusia të punojë ashtu siç dëshiron ajo. Po kështu mendon edhe Anglia. Ata sërish do ta ringjallin Gjermaninë siç e ringjallën Francën. Për ne myslimanët do të jetë shkëlqyeshëm dhe për këtë mos dysho as pak.

Bashkëpunëtori ‘Shok’: Në çka mbështeteni Fetah efendi?

Fetah Efendiu: Mendoj dhe dëshmoj në atë se ne sot jashtë kemi njerëz tanë si p.sh. Xhaferr Devën, Mehdi Frashërin etj.

Bashkëpunëtori ‘Shok’: Nga i njihni ju ata?

Fetah Efendiu: I njoh shumë mirë dhe jam i bindur se janë shqiptarë të mirë dhe besimtarë dhe ata sot në mënyrë aktive punojnë për Shqipërinë. Me ta kam bashkëpunuar gjatë kohës së okupacionit, përderisa kam qenë në Shqipëri. Atje isha thuajse një vit të tërë dhe i njoh në mënyrë të shkëlqyeshme.

Bashkëpunëtori ‘Shok’: Ku gjenden sot ata?

Fetah Efendiu: Ata gjenden në Itali dhe jemi të informuar se punojnë në mënyrë shumë aktive për Kosovën dhe në përgjithësi për çështje të mira kombëtare. Përndryshe së shpejti do ta shohësh edhe ti se çfarë do të ndodh, kur anglo-amerikanët do të futen në Ballkan e deri atëherë duhet të durojmë e nënkuptohet edhe të punojmë atë që është e mundur. Shumë vështirë shkon, mirëpo megjithatë do të qëndrojmë, sepse jemi të sigurt se nuk do të zgjasë shumë”.

Për sa më sipër shihet qartë se qëndrimi i Fetah ef. Raufit rreth problemit shqiptar përputhej tërësisht me qëndrimin, përkatësisht me programin e NDSH-s, të përpiluar në shkurt të vitit 1945 nga udhëheqja e saj në krye me Azem Maranën, Hasan Bilallin, Mahmut Dumanin, Qemal Skënderin, hafiz Mexhit Zyberin etj., ku në pikën e parë të tij thuhej: “Bashkimi i mbarë shqiptarëve brenda kufijve etnikë”. Natyrisht, që ky bashkimi do të arrihej me ndihmën e aleancës anglo-amerikane. Bashkëpunëtori “Shok”, më 14 qershor të vitit 1946, i raportonte UDB-ës për një takim tjetër të tij me Fetah Efendiun, i cili i paska deklaruar atij se “midis sovjetikëve dhe anglo-amerikanëve nuk mund të arrihet marrëveshje”, sepse sipas tij (Fetah Efendiut) anglo-amerikanët nuk do të lejojnë të bolshevizohet Europa, e krahas kësaj nuk do të lejohet sundimi i sllavëve ndaj popujve tjerë në Europë e veçmas në Ballkan, sepse tashmë është formuar blloku sllav”. Më tej F. Efendiu qenka shprehur se “ky bllok nuk është asgjë tjetër, veçse imperializëm i sllavëve, por në mënyrë dhe formë tjetër”. Në pyetjen e bashkëpunëtorit “Shok” se a thua shqiptarët nuk duhet të jenë në anën sovjetike, sepse sipas tij “vetëm falë sovjetikëve ne sot e gëzojmë lirinë”, Fetah Efendiu i përgjigjet siç vijon:

“...Po, liri gëzojnë maqedonasit, mirëpo sa na përket neve, robëri më të madhe nuk mund të ekzistoj. Burgjet plot me myslimanë të burgosur pa ndonjë arsye.Më thuaj t’i mua se. Jo miku i dashur kjo liri për ne është armiku numër një, siç është armike e jona edhe politika e Enver Hoxhës, sepse ajo është për zhdukjen totale të fesë islame dhe për krijimin e një kombi shqiptar pa fe, i cili pas një kohe do të sllavizohej. Ne shqiptarët e kemi ruajtur kombin tonë vetëm duke iu falënderuar fesë dhe politikës fetare. A thua duhet të jemi aleatë me drazhistët? Jo, edhe kjo është e keqe. Ne duhet të jemi, përkatësisht të angazhohemi, për një politikë demokratike, e cila pa dyshim se do të mbisundojë edhe në Jugosllavi. Ajo do të vijë dhe deri tani do të kishte ardhur po të mos ishte në Shqipëri në pushtet Enver Hoxha /njeri i rusëve/ por njerëzit duhet të jenë proanglezë. Një Shqipëri të tillë në të cilën do të respektohej feja unë do ta dëshiroja. Anglo-amerikanët do ta krijojnë Shqipërinë etnike, e cila do të shfrytëzohet për sulm dhe mbrojtje nga robëria sllave. Kjo me siguri do të ndodhë, por një politikë të tillë duhet ta ndihmojmë. Sot, kryesisht, duhet të presim, sepse është rrezik, mirëpo megjithatë duhet punuar, por me një fshehtësi të madhe, sepse jemi të rrethuar me spiunë dhe nuk na lënë të qetë. Kjo shumë lehtë do të përballohej kur do ta dinim dhe do të ishim të sigurt se këta do të shpartalloheshin dhe do të vinte liria e popujve nën udhëheqjen e demokracisë anglo-amerikane. Nuk kam aspak dyshim, përkatësisht jam thellë i bindur se me ushtrinë angleze do të vijnë edhe ushtarët myslimanë arabë”.

Ishin pikërisht këto pikëpamje dhe qëndrime të tij të prera, sa i përket zgjidhjes së çështjes shqiptare, kur autoriteti i tij nga dita në ditë të rritej tek popullsia myslimane në përgjithësi, e te ajo shqiptare në veçanti. Për ta ndërprerë këtë hov, i cili tashmë kishte marrë përmasa të gjëra, organet e UDB-ës jugosllave hartuan planin për burgosjen e tij, të cilin për shkak të peshës historike që ka pasur, e pamë të arsyeshme ta japim të plotë:

Fetah Raufi është anëtar i Ulema Mexhlisit (organi kryesor udhëheqës dhe mbikëqyrës i jetës së përgjithshme fetarë, fetar-arsimor dhe kulturor të myslimanëve). Meqenëse zëvendëson reis-ul ulemanë (kreun suprem të myslimanëve në RFPJ-ës) ky trup përbëhet prej shtatë anëtarëve, udhëheqës më të lartë fetar (të gjithë janë me disponim armiqësor ndaj rregullimit) për momentin është organi më i lartë për myslimanët në territorin e Maqedonisë. Të gjithë anëtarët e Ulema Mexhlisit juridikisht janë tërësisht të barabartë, mirëpo faktikisht, veçmas në rast të çështjeve kontestuese, pranohet mendimi i anëtarëve më të aftë (njëri ndër ta është Fetah Raufi).

Përveç kësaj Fetah Raufi është edhe myderriz (profesor i shkencave të larta islame) edhe atë njëri ndër më të përgatiturit, për çka edhe e ka trashëguar Ataullah Hoxhën. Titulli myderriz i takon në tërësi, sepse i posedon të gjitha kualifikimet për atë titull dhe duhet ndarë nga myderrizët e tjerë, të cilët mbajnë atë titull, sepse është bërë traditë që të gjithë ligjëruesit në shkollat e larta fetare të emërtohen si myderriz, edhe pse për nga kualifikimi janë shumë prapa tij.

Në popull gëzon autoritet, më së shumti si personalitet fetar, mirëpo posedon autoritet edhe në pikëpamjet politike si trashëgimtar i Ata Hoxhës.

Mirëpo, duhet të kemi parasysh se disiplina tek besimtarët myslimanë nuk është aq e fortë, si te fetë tjera, kështu që largimi i Fetah Efendiut nuk do të paraqitej si ngjarje që do të kishte ndonjë jehonë më të madhe, përveç në Shkup dhe në ato vise ku ndikimi i partisë së Ata Hoxhës është më i madh”.

Veprimtaria armiqësore: Një ndër udhëheqësit kryesor të grupit të Ataullah Hoxhës, ndërsa pas vdekjes së tij, trashëgimtar i tij. Metoda e punës së grupit të Ataullah Hoxhës ka qenë me sa vijon:

  1. Gjatë kohës së okupacionit: qëndrim armiqësor ndaj LNÇ-ës nga ana e drejtuesve kryesorë, ndërsa përkrahësit e tyre në mënyrë aktive kanë luftuar kundër LNÇ-ës në bashkëpunim me pushtuesin /Mulla Hamidi, Ferhat Efendia/.
  2. Pas çlirimit: Janë futur në frontin e pushtetit popullor, me qëllim të maskimit të veprimtarisë armiqësore e krijimit të besimit e, në anën tjetër, me qëllim të dobësimit nga brenda;
  3. Ndarjen e masave nga fronti dhe krijimin e jodisponimit ndaj lëvizjes;
  4. Shfrytëzimin e fesë në veprimtarinë antipopullore, duke i paraqitur rregulloret për kurorëzime, shkollat fetare, ndërprerjen e gjyqeve të sheriatit etj., si sulm të drejtpërdrejtë të pushtetit ndaj fesë.
  5. Krijimin e revoltës te masat për dispozitat e mësipërme, me qëllim që masat të kërkojnë ndërprerjen e tyre;
  6. Nxitjen e urrejtjes fetare e nacionale midis popujve në Maqedoni, me qëllim të cenimit të vëllazërim-bashkimit;
  7. Zgjerimin e lajmeve sensacionale për pasigurinë e shoqërisë, për luftën e re, për fitoren e anglo-amerikanëve dhe rrënimin e regjimit komunist.

Duke iu përmbajtur këtyre metodave, Fetah Raufi është futur në organizatën e frontit dhe, si i tillë, u ka rekomanduar shokëve të qëndrojnë në front, me qëllim të maskimit, ndërsa në realitet ta sabotojnë aksionin e frontit. Riza Xheladinit i ka thënë kështu: Largohu nga ajo punë, përse punon kot, ata fare nuk të duan ty, sepse nuk je komunist, mund të jesh frontisti më i mirë, kjo nuk ka për të ndihmuar. Ja edhe unë jam në Plenum e Kuvendit të Qytetit, por shkoj vetëm nga ndonjë herë vetëm për t’u parë’. Ngjashëm u ka folur edhe njerëzve në kafenenë e Ataullah Hoxhës në raste të shumta.

Para kongresit të myslimanëve, në mbledhje te Hasan efendiu, në shtëpinë e udhëheqësit të grupit të Ataullah Hoxhës, ka mbajtur fjalim në të cilin ka vënë në pah se ekziston rreziku që nëpër institucionet fetare myslimane të futen komunistët. Që kjo të pengohet duhet të ndërmerren masa që në kongres ta kenë shumicën dhe ka shtuar se është duke u punuar me njerëzit e tyre në Shkup e më gjerë. Që të informohen përkrahësit e tyre nga terreni, ka marrë obligim dhe me shkrim i ka njoftuar nxënësit e Ataullah Hoxhës për konkluzionet e mbledhjes /Ferhat Efendiun e të tjerë/.

Në kafenenë e Ataullah Hoxhës, me autoritetin që e ka gëzuar si funksionar më i lartë fetar, duke u shërbyer me librat fetare, për ta arritur efektin më të madh, rregulloret e ligjet i ka paraqitur si sulm i pushtetit ndaj fesë dhe i ka ftuar që përmes rrugës së deputetëve, nga pushteti të kërkohet ndryshimi i tyre. Si pasojë e kësaj veprimtarie, trashëgimtarët e politikës së Ataullah Hoxhës, në mënyrë publike, nëpër xhami, e kanë paraqitur dëmin që sot Islamit i vijnë nga këto dispozita. Fetah Efendiu, njëkohësisht, i ka ftuar masat në pasivitet në punë të ndryshme, me qëllim që pushteti të detyrohet t’i ndryshojë dispozitat për ta qetësuar pakënaqësinë.

Në vitin 1945, në një manifestim fetar në fshatin Sllupçan, ku ka qenë prezent me tërë udhëheqjen e grupit të Ataullah Hoxhës, disa anëtarë kanë folur publikisht në frymën e të gjitha pikave të veprimtarisë së tyre.

Në janar të vitit 1946 ka folur me sa vijon: ‘Për ta arritur qëllimin tonë nevojitet mobilizimi sa më i madh i masave tona. Në atë këndvështrim duhet të krijojmë anarki. Do të ishte efikase nëse do të krijohej diskreditimi i disa personaliteteve politike, përderisa nuk paraqiten forcat tona’. Si shembull e ka nënvizuar Shqipërinë, ku sipas tij kleri ka arritur t’i komprometojë komunistët, se të tillë fare nuk ekzistojnë në Kroaci, ndërsa sa i përket maqedonasve, është shprehur: ‘Pardje kanë qenë serb, dje bullgar, sot komunistë, nesër kushedi se çfarë do të bëhen, ashtu janë ata. Një është e vërtetë se janë shumë të shkathtë, e kjo është për shkak se nuk kanë fytyrë’. Ka shpërndarë lajme se në Kroaci rrënohen trenat, se në Veles është rrënuar treni dhe se ka shumë të vdekur, se në Kosovë në afërsi të Vushtrrisë, në fshatrat Baçuk e Dërvarë, zhvillohen luftime me të arratisurit në mal, të cilëve u vijnë ndihma etj.”.

Si rrjedhojë e një konstatimi të tillë, në pranverën e vitit 1947 organet e UDB-ës e burgosën grupin e teologëve, që konsideroheshin si pasardhës të politikës së Ataullah Hoxhës, në krye me Fetah ef. Raufin, Mehmet ef. Sadikun, Xhemail ef. Xhemailin, Ferat ef. Ibrahimin, Menduh Qazim Ahmetin dhe Riza Hamid Xheladinin. Procesi gjyqësor kundër tyre u mbajt më 5 e 6 shtator të vitit 1947, në Gjyqin e Qarkut të Shkupit, në përbërje: Panta Marina, kryetar i gjyqit dhe gjyqtarët porotë: Mehmet Shaqiri dhe Remzi Ismaili, ndërsa Boris Isak ka qenë procesverbalist. Vendimi kundër tyre u soll më 6 shtator, me ç’rast ata u shpallën fajtorë:

“a) Pasi kanë pasur disponim armiqësor ndaj pushtetit popullor, ata lidhen midis vete dhee  formojnë grupin e shoqatës ku për qëllim kanë pasur rrënimin e rregullimit shtetëror të RFPJ-së dhe cenimin e përfitimeve themelore demokratike, politike, nacionale e ekonomike të luftës çlirimtare; rregullimin federativ të shtetit, barazinë, vëllazërim-bashkimin e pushtetit popullor;

  1. b) Të formuar si grup për ta realizuar qëllimin e tyre të vetëm, rrënimin e rregullimit shtetëror ekzistues të RFPJ-së, të gjithë të akuzuarit, duke i përdorur të drejtat demokratike qytetare dhe liritë fetare në shtetin tonë (RFPJ-ë – v.j), kanë kryer agjitacion dhe propagandë”.

Duke u mbështetur në këtë, Gjyqi i Qarkut të Shkupit, të akuzuarit i dënoi me vuajte dënimi, edhe atë: të akuzuarin Fetah Raufi me 7 vjet heqje lirie, të akuzuarin Riza Xheladini me 1 vjet, të akuzuarin Mendu Qazimi me 3 vjet, të akuzuarin Memed Sadiku me 4 vjet, të akuzuarin Xhemail Xhemailin me 6 vjet dhe të akuzuarin Ferat Ibrahimi me 6 vjet heqje lirie.

Pa marrë parasysh dhunën dhe terrorin që e përjetoi gjatë vuajtjes së burgut, ai ngeli i pathyer. Këtë më së miri mund ta shohim në dokumentin “Pasqyrë: të dhëna për qëndrimin e të dënuarit Fetah Rauf Haxhi Isaku”, të hartuar më 22 tetor të vitit 1952 nga ndihmës drejtuesi i Burgut të Idrizovës, P. Todorovski, ku thuhet:

I përmenduri Fetah Rauf Haxhi Isaku, ka lindur në vitin 1910 në Shkup, nga babai Rauf dhe nëna Emine, me profesion hoxhë, ka të kryer shkollimin e mesëm, i martuar, baba i 2 fëmijëve. Për nga kombësia shqiptar, shtetas i RFPJ-ës. Jeton në Shkup në rrugën 123 nr. 20. I dënuar me 7 vjet burg të rëndë për arsye se ka qenë jatak i Sylë Hotlës. Dënimin e vuan në SHNK – Idrizovë, i cili ka filluar më 7 korrik 1947 dhe i përfundon në vitin 1954. I njëjti, gjatë kohës së vuajtjes së dënimit ka qenë i izoluar si i dëmshëm në mesin e të dënuarve. Kjo ka qenë para vitit 1948, përkatësisht në pjesën e dytë të atij viti, dhe në izolim ka qëndruar deri në shtator të vitit 1949. Më pas ai qe dërguar për punë në Doboj dhe nga atje është kthyer kah mbarimi i vitit 1950. Si punëtor ka pasur qëndrim të dobët.

Edhe këtu (Idrizovë), në repartin III ka qëndrim tërësisht të padrejtë politik. Duke e analizuar qëndrimin e tij të deritanishëm, mund të arrihet te konkluzioni edhe atë se është njeri me botëkuptime shqiptaro-madhe dhe, si i tillë, ai rreth vetes ka tubuar hoxhallarë (Garip Bejadinin, Hafiz Abdullah Abdullahun, Hafiz Mexhit Zyberin etj.) dhe që të shquhet në propagandën e tij, ai u flet sesi gjoja detyrimisht duhet të vijë deri te ndryshimi i pushtetit dhe atëherë do të realizohen aspiratat e tyre për Shqipërinë Etnike nën mbrojtjen e anglo-amerikanëve. Fanatizmi i tyre fetar shkon deri në ato përmasa, saqë edhe sot mund të vërehet te të dënuarit shqiptarë më të thjeshtë, se kanë respekt, veçanërisht ndaj Fetah Raufit për arsye se e konsiderojnë si myfti të ardhshëm. Ata, në rrethet e tyre, flasin për çështjet e popullit shqiptar, i cili jeton në RFPJ-ë, se nuk ka kurrfarë të drejtash. Ata konsiderojnë se të drejtat do ti fitojnë vetëm atëherë kur do të krijohet Shqipëria Etnike….

Siç theksuam më lart, ai është njeri me arsimim të lartë, me autoritet të lartë në mesin e të burgosurve, ndërsa qëndrimi i armiqësor nuk është vetëm për shkak se qëndron në burg, por të njëjtin do ta mbajë kudo, pasi ai është armiku ynë ideologjik, me pikëpamje të kundërta në shoqëri. Përndryshe, nga ana e Drejtorisë është dënuar disa herë për jodisiplinë”.

Duke e përfunduar këtë shkrim, më duhet të them se Fetah Efendiu, pas vuajtjes së dënimet, si njohës i mirë i gjuhës osmane, regjimi i atëhershëm komunist maqedonas e inkuadroi me kontratë në vepër në Arkivin e Maqedonisë, me detyrë konkrete – të bëjë përkthimin e dokumenteve arkivore nga gjuha osmane në gjuhën maqedonase, me kusht që emri i tij të mos figurojë fare. Një detyrë të tillë e bëri deri në vitin 1973, kur për shkak një sëmundjeje të rëndë vdiq ende pa i mbushur 63 vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Njihuni me Adem Breznicen

Hafizi që i zmbrapsi bullgarët përtej Prishtinës Beteja e Lisicës (1941/42) shënon…

Shaban Polluzha një luftetar i madh i çështjes kombëtare

Kush ishte Shaban Polluzha ???? I blinduar nga divizione të shumta ushtarake…

Këtu e keni foton e vetme origjinale të Shaban Polluzhës me të shoqen

Shaban Mustafë Kastrati i njohur më së shumti si Shaban Polluzha (Polluzhë, 1871 – Tërstenik, 21 shkurt 1945)…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…