Figura e Shaqir Fetait duket të jetë një enigmë ku përzierja e gënjeshtrave dhe manipulimeve arrin kulmin. Nuk është vetëm një individ që e kanë ngarkuar shërbimet sekrete me “detyrën e drejtësisë”, por një shembull i qartë i abuzimit të pushtetit dhe keqinterpretimit të funksioneve në institucionet që pretendojnë të jenë bastione të dijes dhe etikës
Nga Mahir Rexhepi
I. “Mirë se erdhe reis” – epo, ky është çmimi!
Në mbledhjen e parë të dështuar të Këshillit Arsimor të Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, Shaqir Fetai u shfaq në një atmosferë ku mbizotëronin jo vetëm ngërçet e një sistemi të dështuar, por edhe përpjekjet për të “legjitimuar” pushtetin me çdo mjet të mundshëm. Pas tre vjetësh të mundimshëm për të kaluar pengesat e vendosura nga ish-dekani Prof. Dr. Shaban Sulejmani, i cili nuk e lejonte të merrte pjesë në këshillin akademik, Fetai më në fund e gjeti mundësinë për të shijuar “oskarin” e tij: një tapet të kuq shkallëve jasht dhe një tortë me mbishkrim “Mirë se erdhe”. Po, në të vërtetë, kush mund të kërkojë më shumë? Dhe, përse nuk lejohej pjesëmarrja e Fetait më herët? Sepse, siç e tha dikur ish-dekani Sulejmani, “analfabetët funksionalë si Shaqir Fetai nuk mund të prezantojnë në forume akademike, sepse nuk kuptojnë”!
II. “Medresja Isa Beu” – ky është mashtrimi, jo akreditimi!
Nga kjo skenë akademike, Fetai lëviz drejt një tjetër arene të rëndësishme, atë të Shkollës së Mesme “Medresja Isa Beu”. Mirëpo, mbledhja e tij atje nuk ka qenë për të diskutuar rreth ngritjes së cilësisë edukative, por për të mbrojtur një sistem të dështuar që, për fat të keq, po merr ngjyrat e një mashtrimi institucional. Kur diskuton për “sukseset” e kësaj medreseje e cila, për ironi, është transformuar në një, thjesht, gjimnaz të mesëm, ai harron të përmendë se ky transformim është bërë në emër të një “akreditimi” të dyshimtë. Ja, kjo është arsyeja pse sistemi i Fetait është një ndërthurje e fjalëve pa kuptim, pasi akreditimi që ai flet është asgjë tjetër përveç një justifikim për shuarjen e një institucioni që ka qenë dikur një kështjellë e dijes islame, duke e zëvendësuar me një ndërtesë që nuk ka tjetër qëllim veçse të mbushë ndonjë vakum për të mbajtur pozita që janë larg çdo kuptimi të thellë. Asnjë fjalë për të ardhmen e Medresesë Isa Beu, vetëm një grusht premtimesh bosh dhe një gënjeshtër për “akreditimin” që e vërtetojnë vetëm ata që kanë interesa për të mbushur xhepat.
Natyrisht, për akreditime të shkollave kompetente është Ministria e Arsimit dhe, kur kjo Ministri thotë se nuk ka kurrfarë akreditimi të shkollës së mesme teologjike që prodhon hoxhallarë, por bëhet fjalë për regjistrim të gjimnazit të mesëm publiko-privat që mbanë emrin “Medresja Isa Beu”, kjo është mëse e besueshme, sepse është deklaratë e institucionit shtetëror! Tani, në rastin konkret, më e besueshmja dhe më kompetentja është Ministresha e kësaj Ministrie se sa belbëzimet prej rrenci të Shaqir Fetait.
III. Arabia Saudite – rrena profesionale, finalja e futbollit spanjol dhe ‘diplomacia’ e Fetait
Por, as kjo nuk është mjaft. Fetai, ndoshta për të qenë më tërheqës për syzet e atyre që e mbështesin, vendosi të shkojë në Arabinë Saudite për të nënshkruar kontratën për Haxh 2025. Sigurisht, udhëtimi i tij përfundoi me ndjekjen e një ndeshjeje finale Real Madrid – Barcelona, dhe kjo nuk është vetëm ironike, por gjithashtu e papërshtatshme për dikë që e paraqet veten si përfaqësues të një institucioni fetar. Ashtu siç ndodh shpesh, shpenzimet për këtë “udhëtim të shenjtë” janë mbuluar nga Ministria e Haxhit, ndoshta për t’i dhënë një dorë për të mbajtur fasadën.
Por, për të qenë plotësisht në rolin e “liderit” që ai pretendon të jetë, Fetai shpërndan gënjeshtra të tjera. Ai flet për shoqërues të tij si “Drejtori për marrëdhënie me botën islame”, figurë kjo që nuk është në Kushtetutën e BFI-së dhe “Myftiu i Tetovës”, Selver Xhemaili. Kjo është një strategji e thjeshtë: të krijosh një imazh të rremë për të mbajtur vëmendjen e atyre që ndoshta besojnë çdo fjalë që del nga goja e tij. Po, “Drejtori për marrëdhënie me botën islame” është një titull që mund të ekzistojë vetëm në imagjinatën e Fetait, një titull që do ta kishte bërë çdo ekspert të qeshë me të madhe në zemrën e Arabisë Saudite. BFI ka sektore dhe, me Kushtetutë, njëri prej tyre është “Sektori (individ) për marëdhënie me botën arabe”! Po ashtu, “Myftiu i Tetovës” efendi Selveri është një tjetër pozicion që Fetai e shpiku, pasi askush nga Myftinia e Tetovës nuk e ka propozuar këtë person për myfti, që ky pastaj, në mesin e dy-tri emrave të përzgjidhet dhe të dekretohet nga “reisi”. Ai me gjase do të ngelë i përhershëm ashtu siç u emërua në mënyrë ilegjitime “u.d. myfti”, sepse një post i tillë nuk është në asnjë rresht të Kushtetutës. Ky është një tjetër shembull i ndërtimit të një iluzioni që ka vetëm një qëllim: të mbajë pushtetin dhe të përdorë çdo mundësi për të zbukuruar një realitet të hidhur.
Në fund, ky është modeli që Shaqir Fetai ofron për brezin e ri. Një shembull i çoroditur i përdorimit të pushtetit për të krijuar fasada, për të ndjekur interesat e ngushta dhe për të mashtruar me fjalë të bukura që kanë shumë pak lidhje me realitetin. Nëse ky është shembulli i udhëheqësisë që pretendojmë të ndjekim, atëherë duhet të kërkojmë një mundësi tjetër, një mundësi ku integriteti dhe vizioni janë më të rëndësishme se manipulimi dhe keqpërdorimi i pozitës.