Për çka formohen dhe për çka shërbejnë partitë tona politike. Praktikat e deritanishme dëshmojnë se ato janë vetëm si “zyra ndërmjetësuese” për punësim të militantëve partiakë! Janë totalisht pa platforma politike kombëtare! Struktura e tyre kadrovike, struktura kadrovike në vende udhëheqëse, pesha, personaliteti, autoriteti i këtyre strukturave jo që lë shumë për të dëshiruar por thjesht, janë turpi ynë që nuk po vërejmë assesi tek po na devalvon dhe degjeneron në qenie që vegjetojnë duke e helmuar habitatin e përgjithshëm!
Vjen partia shqiptare në pushtet dhe emërtimet kadrovike bëhen me persona anonimë, me persona me të kaluar jo të pastër, me persona që veçse të gërvallen nëpër mitingje, nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër! Gati në të gjitha sferat e jetës “lideri” mund të kërkojë ndihmë, madje edhe nga ndërkombëtarët për t’ia ngritur ndonjë platformë ekologjike, për arsim, shëndetësi, teknologji, ekonomike, platformë për zhvillimin dhe hapjen e tregtisë, për punësime të reja etj. Megjithatë, është një dikaster që duhet të peshojë ekskluzivisht mbi supet e personaliteteve të kombit! A mundet, për shembull, në udhëheqje të kulturës institucionale të emërohen militantët, “aktivistët e kulturuar” partiakë, besnikët e lidershipit? A mundet që lidershipi ynë të dalë përtej “borxhit” ndaj militantëve dhe këtë dikaster ta lë në duart e ekspertëve kulturor kombëtar?
Nëse ua hedhim një sy programeve partiake, do të shohim se aty mund të ketë lloj-lloj ofertash partiake, gatishmëri “shumë të sinqertë” për të lidhur kontratë me popullin, por ama, për kulturë nuk kemi kurrfarë qëndrimi, kurrfarë platforme, kurrfarë programi! Në asnjë parti nuk funksionon ndonjë komision i veçantë për kulturë, i cili do të përbëhej nga ekspertët dhe më të mirët në fushën e kulturës nga aktorë, regjisorë, shkrimtarë, këngëtarë, valltarë, nga kulturologë, etnologë, antropologë, të cilët, në rast të marrjes së dikasterit të kulturës do të punonin si ekip në realizimin e programit kulturor të partisë gjegjëse!
Fatkeqësisht, ky qëndrim kaq mospërfillës ndaj kulturës kombëtare vërehet te mbarë lidershipi shqiptar, kudo qoftë ai! Prandaj kultura jonë kombëtare sot është mijëra vite larg kulturës së periudhës së Rilindjes Kombëtare! Nëse i bëhet një ekzaminim dikasterit të kulturës, në të gjitha viset etnike, madje edhe institucioneve nacionale kulturore, do të konstatojmë se kultura jonë është në duart e amatorëve, “entuziastëve”, aktivistëve militantë partiakë dhe në duart e kuadrit udhëheqës të partive, paçka që këta mund të jenë politikanë të mirë e që nuk ia kanë haberin kulturës!
Po pse nuk vihen në krye të këtyre dikastereve personalitete me integritet, me vlera të larta kombëtare, të dëshmuar si shtylla të kulturës kombëtare? Sepse, të tillët nuk mund të shantazhohen, nuk mund të jenë “të dëgjueshmit e partisë”, nuk do të pranonin që të vidhin apo të ndanin tenderë për interesa partiake, nuk do të korruptoheshin, nuk do ta partizonin kulturën kombëtare… Ndaj, partia e ka më lehtë që të emërojë anonimë e servilë, të cilët do të jenë të gatshëm që në kontinuitet të dëshmojnë se janë “të dëgjueshmit”, militantët që për parti janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, madje edhe ta varfërojnë kulturën kombëtare deri në amatorizëm e diletantizëm!
Partisë në pushtet i ka hije që ta urdhërojë një personalitet kombëtar që të jetë bartës dhe promovues i vlerave të larta kulturore të kombit dhe, nëse nuk do të pranonte, nëse nuk do të ofronte arsyetime të forta për mospranim të një detyre kaq të lartë kombëtare, atëherë lidershipi partiak e ka gjithë të drejtën e Zotit për ta denigruar atë vlerë deri në paçavurë! Parti pa një sektor me emra të respektueshëm nga sferat e ndryshme të kulturës kombëtare, nuk është parti por thjesht, një tabelë muri ku shënohen emrat e militantëve dhe aktivistëve servilë të partisë që ia kanë arritur të shpërblehen me punësim nga partia të cilës i shërbejnë me “besnikëri” (natyrisht, të njëjtit, nëse nuk rehatohen dhe nuk gjejnë interesa personale, sakaq rebelohen, e shuajnë “besnikërinë” dhe e shantazhojnë partinë)! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

“Kur e ha pazari pse jo…”

Midis nesh Kritiku i artit, Mexhit Prençi në një analizë për kritikën,…

A BËJMË HUMANITET ME LIBËR!

Nuk është thënë kot: të dhurosh një libër është sikur të dhurosh…

Margariti: Logoja e TKOB, vogëlsi/ Artistët paralajmërojnë protesta

Ju falenderoj për vëmendjen që keni dhe për problematika kaq të vogla.…

KRITIKËT QELEPIRXHINJË

Kritika është veprimtari më jetike për një shoqëri që është në mënyrë…