Rusia dhe Ukraina do të rinisin sërish sot bisedimet për gjetjen e një marrëveshje për paqen. Komunikimi do të jetë online, sipas kreut të delegacionit ukrainas.
Shefi i shtabit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i tha CNN se ai ka shumë pak optimizëm se do të ketë një zgjidhje pas negociatave diplomatike në Stamboll në fillim të kësaj jave.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se situata në jug dhe në rajonin e Donbasit mbetej jashtëzakonisht e vështirë dhe përsëriti se Rusia po krijonte forca pranë qytetit të rrethuar të Mariupolit.
Po ashtu në një mesazh online Zelensky njoftoi se kishte shkarkuar dy anëtarë të lartë të shërbimit të sigurisë kombëtare me arsyetimin se ishin tradhtarë.
Sipas Sekretarit të Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar Rusia është tani një “vend më i vogël” si rezultat i pushtimit të saj në Ukrainë. Sipas zyrtarit britanik: “Presidenti Putin nuk është forca që ka qenë. Ai tani është në një kafaz që e ndërtoi vetë. Ushtria e tij është e rraskapitur, ka pësuar humbje të konsiderueshme”.
Ndërkaq Zyrtarët ukrainas raportuan bombardime të rënda në Ukrainën lindore, veçanërisht në rajonet Luhansk dhe Donetsk të Donbasit dhe rreth qytetit verilindor të Kharkiv. Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë thonë se rusët mund të rigrupohen në Bjellorusi.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se Ukraina tani u ka thënë atyre se trupat ruse tani janë larguar nga Çernobili.
Disa autobusë evakuimi që udhëtonin për në Mariupol u mbajtën në një pikë kontrolli ruse dhe 14 tonë ndihma humanitare për në Melitopol u konfiskuan nga trupat ruse të enjten.
Forcat ruse thanë se do të rihapin sot korridorin e evakuimit nga Mariupoli i rrethuar në Zaporizhja me kërkesë të liderëve francezë dhe gjermanë. Nga ana tjetër Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola ndodhet për një vizitë në Kiev, por pa zbuluar detaje të agjendës së saj.