Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në dokumente dhe targat ilegale nuk do të diskutohen në takimin e 18 gushtit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Nga ekzekutivi thonë se vendimet janë të institucioneve të Kosovës dhe të parapara edhe në marrëveshjet e kaluara të Brukselit, andaj nuk mund të jetë temë e diskutimit.

Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk tregon se cila do të jetë agjenda e takimit, derisa thotë se nuk do të ketë takim në nivel të kryenegociatorëve, para atij të nivelit të lartë.

“Për agjendën e takimit do t’ju njoftojmë me kohë. Vendimet për targa dhe dokumente për hyrje-dalje janë vendime të qeverisë, që janë të parapara edhe në marrëveshjet për të cilat palët janë dakorduar në të kaluarën, andaj ato nuk mund të jenë temë diskutimi e këtij takimi”, tha Kryeziu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Detaje për takimin e 18 gushtit nuk jep as zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Mund të konfirmoj se pasi përfaqësuesi i lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga përfaqësuesi i lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak për të diskutuar rrugën përpara në dialogun Beograd-Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe agjendës më afër ditës së takimit”, thekson ai.

Këtë takim e shohin me skepticizëm njohësit e procesit të dialogut.

Analisti politik, Artan Muhaxheri thotë se zhvillimet në veri të Kosovës kanë ndryshuar dinamikën e dialogut.

“Zhvillimet në Mitrovicën e Veriut kanë ndryshuar dinamikat e dialogut. Natyrisht nuk pritet që i njëjti të vazhdojë ashtu siç ishte para atyre ngjarjeve. Për këtë arsye, presioni i madh ndërkombëtar pritet të intensifikohet edhe më shumë, pasi kjo është mënyra e vetme që palët të kenë vullnet më të madh dhe mundësi për të arritur një zgjidhje. Zgjidhja natyrisht do të jetë kreative, pasi Serbia nuk mund të pranojë bllanko vendimin e Kosovës, s’i ka pranuar as vendimet e kaluara”, thotë ai.

Megjithatë, ai shton se Serbia mund edhe të tërhiqet nga refuzimi kategorik i dy vendimeve të Kosovës për reciprocitet dhe targa ilegale.

Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel po mbahet pas më shumë se një viti, derisa kanë mbajtur një takim joformal muaj më parë në Berlin./KP

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Kurti: Nuk mund të vij as sonte

Lideri i LVV-së, Albin Kurti i ka bërë të ditur se sot…

9 të vdekur dhe 176 të prekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë kryer 870 teste…

Gjermani-Gjendet i vdekur spiuni rus

Një diplomat rus u gjet i vdekur afër ambasadës shtetërore në Berlin,…

Të shtëna me armë zjarri para selisë së një partie, thirret në polici banori nga Gostivari

Mbrëmë rreth orës 21:30 në Stacionin policor të Gostivarit, është thirrur personi…

Fokusi të vendoset tek zgjidhja për Ligjin për Prokurorinë Publike

Euroambasadori Samuel Zhbogar, sot ju ka bërë apel partive politike që të…