Midis nesh

Subjektet tona politike, sidomos ato që janë bartëse apo pjesë e qeverive, peshën e vet politike e demonstrojnë përmes numrit të dikastereve qeveritare që do t’i menaxhojnë derisa do të jenë në pushtet! Po aq të rëndësishëm do të ndjehen edhe për nga sasia e buxhetit që do ta kenë dikasteret. Natyrisht, ndër më të “pasurat” janë: financat, mbrojtja, diplomacia dhe sigurimi i brendshëm. Pastaj vinë edhe shëndetësia, arsimi, socialja e kështu me radhë. Nga ana tjetër, ndonëse kultura është segmenti më i rëndësishëm qeveritar, qëndrimi i politikave tona është pothuajse mospërfillës! Ministri për kulturë është në mënyrë të përhershëm në një situatë për t’u përgjigjur për çdo politikë jo të shëndetshme për identitetin kulturor, ndërsa në kabinetin qeveritar i nënshtrohet rolit që nuk ka kurrfarë ndikimi dhe as peshe politike!
Nisur nga ky fakt që flet për qëndrimet mospërfillëse të politikave tona në raport me kulturën, pushtetet shqiptare, apo participientët shqiptarë nëpër pushtete të ndryshme, edhe më tej vazhdojnë ta trajtojnë kulturën si një pemë frutet e së cilës më lehtë mblidhen duke ia thyer degët!
Nëse identitetin kulturor nuk e kanë si prioritet të gjitha ministritë e një qeverie, kjo do të thotë se strategjia nacionale për të zhvilluar komb e për të ndërtuar shtet të qëndrueshëm është një ide pa ideal!
Situatë edhe më e trishtë na paraqitet qasja ndaj kulturës e subjekteve tona që pranojnë të participojnë nëpër pushtete pa këmbëngulur që strategjitë nacionale për kulturë të jenë me rrotacion: angazhimin shtetëror për identitet kulturor ta ndjejnë çdo bashkësi etnike, duke i eliminuar të gjitha monopolet kulturore të njërës shumicë apo të tjetrës!
Fatkeqësisht, subjektet tona participientë në qeveritë e ndryshme, kulturën e kanë llogaritur si një grazhd ku mund të hanë taxhi militantët partiakë, apo si një mundësi për pasurim të buxhetit partiak! Kjo logjikë ka ndikuar që nëpër ministri të kulturës të kemi “partizanë” lojalistë të dyfishtë: ndaj pushtetit që imponon politika për kulturë shtetërore dhe, ndaj partisë që nuk i njeh dhe nuk i ka të qarta politikat që i bëjnë mirë identitetit kulturor.
Vetëm kur partitë tona do ta kuptojnë rolin jetik të kulturës në ngjeshjen e identitetit kombëtar, vetëm atëherë do të kemi parti kreative, dinamike dhe të besueshme; do të kemi parti me një duzinë togjesh kulturore që duhet të menaxhojnë me këto vlera, të cilat, fatkeqësisht, sot partitë tona nuk i kanë! Ndaj dhe, për rrjedhojë, për “prijës kulture” na vënë turlifarë tutkuni që nuk ia vlenë të përdoren as për hunjë gardhiqesh. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Ibrahim Kadriu: KRITIKA E MIRËFILLTË DUHET TA NDAJË SHAPIN PREJ SHEQERIT

Për HEJZA-n flet IBRAHIM KADRIU, prozator Ibrahim Kadriu është një nga shkrimtarët…

Hyzmeqarët me pena

Midis nesh Faik Konica në një shkrim të tij të vitit 1923…

SASIA KURRSESI NUK ËSHTË CILËSI

Për HEJZA-n flet Andreas Dushi, shkrimtar Andreas Dushi prej disa kohësh është…

Qyteti muze që po i lëkunden themelet

Luani që ia ka falur emrin qytetit! Lviv! I vetmi qytet në…

Xhambazët e kulturuar

Midis nesh Është një profil personash të cilët kanë kuptuar se me…