1
1
1
2
3
4
5
6
7
8
9
Rusia është e gatshme të rifillojë negociatat trepalëshe me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës, të cilat mund të zhvillohen që në muajin nëntor. Lajmi u bë i ditur nga Kremlini pas takimit të presidentit rus, Vladimir Putin, me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në Shën Petersburg.
Takimi mes Putinit dhe Witkoffit zgjati afro tri orë dhe u përqendrua në mundësitë për rifillimin e procesit diplomatik, i cili ka qenë i bllokuar që nga shkurti.
Sipas këshilltarit të Kremlinit, Yuri Ushakov, bisedimet e ardhshme duhet të përqendrohen në krijimin e një sistemi sigurie për Rusinë dhe Ukrainën pas përfundimit të konfliktit.
Gjatë takimit, Witkoff e informoi presidentin rus edhe për diskutimet e zhvilluara në Oslo me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, si dhe me përfaqësues evropianë. Kremlini vlerësoi se propozimet e paraqitura nga pala ukrainase dhe partnerët evropianë ende nuk ofrojnë zgjidhje të mjaftueshme për përfundimin e luftës.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Zelensky ka shprehur gatishmëri për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike, duke kërkuar garanci të besueshme sigurie për vendin e tij.
Megjithatë, palët vazhdojnë të kenë dallime të thella lidhur me kushtet e një marrëveshjeje paqeje, veçanërisht për territoret e pushtuara dhe të ardhmen e sigurisë së Ukrainës.
Rifillimi i negociatave shihet si një mundësi e re për dialog, por ende nuk ka një marrëveshje konkrete për përfundimin e luftës që nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.