Nëse Shaqir Fetai është analfabet në gjuhën arabe, ja që ka dikush që e di mirë këtë gjuhë! Shaqir Fetai lavdërohet se shumë portale paskan shkruar për vizitën e tiij në Egjipt, gjegjësisht, për pranimin e tij nga ana e rektorit të Universitetit të Az’harit! U shkrua për Shaqir Fetain i cili për shtypin egjiptas paraqet një anonimus absolut, apo shtypi vendor përcolli aktivitetet e nikoqërive të një eventi ndërkombëtar? Shaqir Fetai edhe në përpjekje për manipulime na del të jetë injorant i pashoq
Nga Mahir Rexhepi
Është kjo një përpjekje dëshpëruese e Shaqir Fetait për të mjegulluar sado pak të gjitha ato shkrime që e degradojnë deri në qenie të fëlliqtë e që u botuan nëpër portale të shumta kombëtare. Këto shkrime ia shpalosën një sërë skandalesh avdallit, e zbërthyen hipokrizinë e tij, ia zbardhën koordinimin me strukturat antishqiptare e antiislame që po i zhvillon gjithnjë e më pashpirtë, sepse, ka ardhur në atomin e fundit të të bërit keq mbi Institucionin dhe jetën fetare islame institucionale.
Shaqir Fetai mendon se si vetë edhe të tjerët nuk e dinë arabishten dhe ofron shkime në gjuhën arabe duke i titulluar “SHUMË PORTALE EGJIPTIANE SHËNUAN VIZITËN E REISUL ULEMASË H. HFZ. SHAQIR EF FETAI NË EZ’HER”! Injoranti mendon se në këtë formë rregullohet piari, mendon se kësisoj do të zbutet sado pak urrejtja gjithëpopullore kundër këtij avanturieri që ka marrur përsipër shkatërrimin e të kaluarës së begatë të BFI-së dhe perspktivën e ummetit mysliman të vendit!
Po kush e njeh Shaqir Fetain në Egjipt? Çka paraqet Shaqir Fetai për Egjiptin? Çfarë personaliteti i rëndësishëm i botës myslimane na qenka Shaqir Fetai që shtypi arab të merret me të! Në Egjipt ka pasur një event të rëndësishëm që ka mbledhur personalitete fetare nga mbarë bota. Gazetarët kanë shkruar për këtë event. Gazetarët kanë shkruar dhe kanë përcjellë aktivitetet e Kryemyftiut të Kajros, i cili, në kallaballëk qenka takuar edhe me Shaqir Fetain, gjest ky protokolar i domosdoshëm! Gazetat kanë shkruar dhe kanë përcjellë aktivitetin e Rektorit të El-Ah’zarit, i cili, në një takim kurtuazie ka takuar në kallaballëk edhe Shaqir Fetain! Pra, është shënuar aktiviteti i personliteteve vendore, i nikoqirëve, e jo i mysafirëve që kanë qenë me qindra të tillë. Aktivitetet e mysafirëve i përcjell shtypi i vendit të tyre. Po kush nga shtypi vendor ia tëjti Shaqir Fetait për aktivitetet e tij në Kajro!
Të vetmin aktivitet personal që e ka zhvilluar me këtë rast Shaqir Fetai është vizita që ia ka bërë ambasadorës maqednase në Kajro e që nuk shkroi asnjë media e vendit, madje as faqja zyrtare e MPJ-së! Shaqir Fetai vazhdon edhe më tej t’i vizitojë ambasadorët. Jo që e ka në tagrin e vet, por, thjesht, e ka nga inercioni i aktivitetit të spiunazhit që e ka në gjak! Dihet se kush më herët i vizitonte ambasadat dhe pse vizitoheshin ambasadat prej atyreve që nuk kanë kurrfarë lidhje e pune me ambasadat! Vetëm spiunët, gjegjësisht ata që kishin obligim që të paraqiten nëpër ambasada për t’i marrur urdhërat dhe detyrat që duhet t’i kryejnë aty ku do të gjenden!
Shaqir Fetai nga këto takime na informon se ia paska dalur që t’i bindë që të dy subjektet për sa i përket studentëve shqiptarë që do të dëshirojnë të studiojnë në Ez’her! Ambasadorja do të jetë në shërbim të studentëve eventualë ndërsa Universiteti do t’i panojë të gjithë ata që do të shprehin interesim për të studiuar në këtë Universitet!
Sa bursa i sguroi Shaqir Fetai? Sa u mbush me premtime se studentët shqiptarë do të ndihmohen financiarisht për të studiuar në këtë Universitet! Nga ish-reisi i tradhëtuar dhe “i ekzekutuar” nga Shaqir Fetai, për studentët shqiptarë që dëshironin të studiojnë në këtë Universitet për çdo vit siguroheshin bursa studentore! Dhe jo vetëm për në këtë universitet por edhe për qendra të ndryshme universitare në botën islame. Derisa e ndërtoi Fakultetin e Shkencave Islame! Që kur startoi kjo vatër e jona, politikë e ish-reisit ishte që, kuadri ynë i lartë të dalë e të përgatitet vetëm në këtë Fakultet dhe se të mos na degdiseshin studentët nëpër vise të huaja për gjuhën dhe kulturën tonë.
Çka mëton të arrijë Shaqir Fetai me këtë truk? Ta amortizojë të vërtetën e tmerrshme se, për vitin shkollor 2023/2024 ia ka dalur të regjistrojë vetëm 5 (pesë) medresante në paralelen e femrave në Gostivar? Ky avdall e kënaqi në Maqedoninë e Veriut, e “luloi” me Meresenë e Isa Beut e i ka mbetur që ta “pasurojë” edhe Az’harin me studentë shqiptarë! As një hap nuk e ka bërë në drejtim të pranimit të medresantëve nëpër fakultete të vendit, madje, të paktën, në Fakultetin e Shkencave Islame, ndërsa e llogaritë si sukses personal premtimin e autoriteteve të Universitetit El Az’har për t’i pranuar dy-tre studentë nga Maqedonia e Veriut që dëshirojnë të studiojnë atje!
Shaqir Fetai të paktën për një gjë do të duhej të ishte korrekt me opinionin e vendit! Meqë ka vendosur të informojë nga Egjipti, pse nuk tregon se si auoritetet e institucioneve të ndryshme egjiptase e pyesnin me mall për ish-reisul ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepin dhe, cilin nga këta personalitete e rrejti duke i thënë se e ka bashkëpunëtorë të ngushtë dhe krah të djathtë! Pse e gënjeu dhe pse pati nevojë për këtë rrenë! Apo, u tremb nga gjithë ai interesim i autoriteteve egjiptase për shkëlqësinë e tij, H. Sulejman ef. Rexhepin.