Nga Zeno Jahaj

Mistika e stërvitjes ushtarake me të cilën Kremlini veshi rrethimin prej 5837 kilometrave të kufirit të Ukrainës – e invadimit ushtarak dhe e kërcënimit apokaliptik që i lëshoi botës në mëngjesin e 24 shkurtit 2022 – dalëngadalë po davaritet.

Pasi aplikoi një shartim hibrid strategjish e taktikash me pothuajse të gjitha llojet e armëve dhe pasi angazhoi mbi 70 për qind të të gjitha forcave që ka në dispozicion, makineria ruse aktualisht po tërhiqet për t’u përqendruar në mbajtjen me çdo kusht të dy “republikave autonome” dhe, mundësisht, në tërë brezin që i lidh ato me Krimenë – ku përfshihet edhe porti strategjik i Mariupolit.

Kjo do të thotë se makineria ruse e luftës jo vetëm ngeci, por edhe u tkurr – edhe pse sakrifikoi jetët e mbi dhjetëmijë ushtarëve e të jo pak gjeneralëve, shifra tronditëse për vetëm dyzetë e dy ditë luftimesh. Nuk është çështja se ngecën qindra tanke e mijëra makina luftarake ruse nëpër rrugët e baltërat e Ukrainës. Ngeci makineria ideologjike ultranacionaliste dhe neonaziste ruse sipas së cilës, ose do të bëhet një Rusi e madhe ose përndryshe nuk do të ekzistojë fare Rusia; se Rusia është gjithçka dhe gjithçka tjetër është asgjë; se Rusia ka një kod gjenetik të pambarimtë të bazuar në përzierjen e gjakut dhe se ajo, prandaj, është në marshim të përhershëm.

Ngeci makineria politike ruse sipas së cilës ka ardhur koha që vendet dhe popujt duhen qeverisur me autokratë e autoritarë – jo me demokraci e liberalizëm. Kremlini nuk përllogariti se, në një botë gjithnjë e më shumë globaliste, të sulmosh një vend demokratik ke sulmuar gjithë botën demokratike. Nuk përllogariti dot se në krah të popullit të Ukrainës do të luftonte e gjithë bota demokratike, me çfarëdo mjeti të mundshëm. Rusia e mbyti informacionin nga dhe për gjendjen e vërtetë të zhvillimeve në Ukrainë. Përkundrazi, Ukraina ia shpërndau të gjithë botës këtë informacion. Ukraina e fitoi luftën e informacionit për të njëjtën arsye që Rusia e humbi atë.

Ngeci e gjithë makineria ekonomike e Rusisë, e cila me vetëm 0,73 për qind të pasurive të botës që zotëron, guxoi të invadojë jo thjesht Ukrainën demokratike, por të kërcënojë tërë botën demokratike, e cila zotëron mbi 50 për qind të pasurive të botës. Rusia dështoi për shkak të llogarive të gabuara se fundi i botës përcaktohet vetëm nga eksporti i gazit dhe naftës ruse, duke mjegulluar bumerangun që prodhon ky eksport për vetë Rusinë. Vërtet që nafta dhe gazi rus përbëjnë 14 për qind të furnizimit botëror, por nga ana tjetër, nga shitja e gazit dhe e naftës Rusia mbulon 45 për qind të buxhetit federal rus. Rusia u tkurr, sepse u udhëhoq nga planifikimi ushtarak, duke mos besuar dhe madje duke shpërfillur planifikimin dhe dialogun diplomatik. Harroi se bota e shekullit XX u pështjellua në dy luftëra botërore, pikërisht sepse u udhëhoq nga planifikimi ushtarak e jo nga diplomacia.

Ndërkohë, harroi se bota e Luftës së Ftohtë shpëtoi nga një luftë e nxehtë, pikërisht sepse planifikimin ushtarak e udhëhoqi diplomacia, ajo amerikane dhe sovjetike së bashku. Rusia dështoi, sepse nuk bëri dhe as nuk mund të bënte për vete ushtarin rekrut rus të cilit iu kërkua ditën e fundit të kalonte nga stërvitja në luftë dhe, për më tepër, kundër një populli të të njëjtit grup sllav. Rusia dështoi sepse i përhapi forcat e saj mësymëse prej 150-200 mijë ushtarësh në një front prej mbi pesë mijë kilometrash të kufirit tokësor e detar të Ukrainës, me mesatarisht 30-40 ushtarë për kilometër, çka parakupton një disfatë të planifikuar pa filluar invadimi.

Kjo përhapje i krijoi mundësi ushtrisë ukrainase të zbatojë me sukses taktikat e manovrës me njësi e reparte relativisht të vogla, duke evituar grackën e ndeshjes në front në drejtimet kryesore të mësymjes ruse. Ushtria ruse nuk e arriti dot superioritetin në ajër dhe as në tokë, edhe pse zotëron 15 herë më shumë aviacion dhe katër herë më shumë tanke se Ukraina. Komanda ruse nuk përllogariti që teatri i luftimeve do të “mbillej” me mbi 20 mijë raketa supi e dhjetëra dronë që, veçanërisht në qytetet e qendrat e banuara, janë absolutisht superiorë ndaj aviacionit e tankeve. Strategjia ushtarake ruse nuk përllogariti se lufta në qytet është ndër llojet më të vështira të luftës që kërkon të paktën pesë sulmues për çdo mbrojtës dhe ku çdo pallat, çdo ndërtesë, është një fortifikatë më vete me befasi nga më të paparashikuarat. Nuk mori parasysh që vetëm Kievi ka një gjysmë milioni të tilla. Ndoshta nuk ia deshi puna të kujtojë se në vitin 1942, gjatë Betejës së Stalingradit, trupat ruse arritën ta mbajnë një kompleks apartamentesh, për 58 ditë pa ndërprerje, duke zhvlerësuar sulmet e panumërta të këmbësorisë dhe mjeteve të blinduara gjermane.

Një popull që fiton një luftë, forcon më shumë identitetin e vet. Madje, rruga për t’u bërë komb fillon nga vuajtjet e përbashkëta. Dhe, vuajtja më e madhe është lufta. Duke derdhur gjithnjë e më shumë gjak, ukrainasi bëhet më shumë ukrainas. Nëse ukrainasit nuk e kanë urryer Rusinë më parë, tani vetë Rusia iu dha arsye ta urrejnë me barbarizmin ndaj jetës dhe pasurive kombëtare të ukrainasve.

Me invadimin në Ukrainë, lidershipi dhe gjeopolitistët rusë përllogaritën përçarjen ndoshta të pariparueshme të NATO-s, përmes devizës se “Euro-Azia nuk duhet të kontrollohet nga dikush tjetër, përveçse nga Rusia, në aleancë me bllokun tradicional antiatlanticist gjermano-francez”. Kësisoj, Rusia i bëri llogaritë gjeopolitike mbi bazën e përqasjes së interesave të përkohshme tregtare dhe jo të vlerave të përjetshme demokratike. Të përkundur me këtë klishe, oligarkët rusë e kanë të pamundur të konceptojnë se vërtetë Gjermania është 65 për qind e varur nga gazi rus, por ajo nuk mund të sakrifikojë vlerat e veta demokratike për të hyrë në aleancë me autokracinë ruse.

Putini, në mënyrë cinike, e paraqiti zgjerimin e NATO-s në Ukrainë si kërcënim ndaj sigurisë së Rusisë dhe rusëve në përgjithësi. Në fakt, siguria e rusëve nuk fillon nga Ukraina, as te shpërbërja e NATO-s, por te radha e gjatë e vizave për të ikur në vendet perëndimore të NATO-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Iku një vit plot me komplote e tradhëti

“Lufto në rrugën e Allahut! Ti je përgjegjës vetëm për veten tënde.…

Të metat fatale të autokracisë

Nga Kevin D. Williamson Leksioni i momentit: Shoqëritë jo të lira janë të dobëta. Joshja e qeverive nacionaliste të liderëve…

Pse autorët e krimeve të kryera nga regjimi i Millosheviqit nuk janë pas grilave?

Ky është teksti i fjalimit të Presidentes Vjosa Osmani në takimin e…

Vazhdon Shaqir Fetai të jetë stoik në politikat e H. Sulejman ef. Rexhepit

Puç i bëri, thikën ia nguli pas shpine, e tradhtoi, u bë…

Vitet kur shqiptarët sundonin Jerusalemin: U pritën si çlirimtarë, sollën barazi për të gjithë

Nga: Bajram Peçi / Jerusalemi dhe shqiptarët, ç’lidhje mund të kenë mes…