Pas takimit me subjektet politike, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar për media. Ajo ka thënë se 18 dhjetori do të jetë data e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat e veriut.
Osmani ka thënë se e ka pasur detyrim takimin me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve për komunat që kanë mbetur pa kryetarë.
Presidentja ka thënë se pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në katër komunat e veriut, data e fundit sipas afateve ligjore është 18 dhjetori për mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna.
“Ne kemi diskutuar me subjektet që ishin pjesëmarrëse në këtë takim. Në të njëjtën kohë unë do t’i dërgojë një kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorimin e këtyre zgjedhjeve në mënyrë që gjithçka të shkojë sipas standardeve. Iu kërkova partive mendim që data e zgjedhjeve të jetë 18 dhjetori. Ne sapo t’i përfundojmë këto deklarime do të shpallin datën. Opsion tjetër është edhe data 11 dhjetorë por do të ishte më e vështirë përgatitja. Por 18 dhjetori do të jetë dita më optimale për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve”.