Midis nesh

Me politikat kulturore nënkuptojmë orientimin nacional, përcaktimin strategjik, angazhimin e shtetit si dhe financimin qeveritar për zhvillimin e jetës kulturore si dhe përkujdesin ndaj trashëgimisë së gjithmbarshme kulturore. Thënë shkurt, politikat kulturore janë rregullat e domosdoshme nacionale, të cilat, si një gravurë e bukur, pasqyrojnë identitetin kulturor të çdo populli! E tërë kjo vështruar për nga aspekti nacional, ndërsa për nga aspekti ndërnacional, politikat kulturore sot shprehin angazhimin e çdo shteti, të çdo qyteti, të çdo qytetari botëror në ruajtjen e diversitetit kulturor si dhe në orientimin e botës së civilizuar drejt industrisë kulturore! Sot, vetëm në Britaninë e Madhe funksionojnë mbi 20 fakultete të industrisë kulturore. Kjo industri ka të punësuar mbi 300 mijë punëtorë, respektivisht, dyfishin e atyre që punojnë nëpër miniera! Kjo flet se, kultura, kreativiteti kulturor, në industrinë nacionale po zë pozita të larta dhe po merr një rol të jashtëzakonshëm në krijimin e kushteve për një mirëqenie sa më të lumtur.
Veglat, përmes të cilëve sendërtohen politikat kulturore, pa dyshim që janë institucionet nacionale të sferës së krijimtarisë kulturore. Natyrisht, duke qenë se këta institucione janë pjesë e industrisë kulturore, së këndejmi, edhe institucionet nacionale duhet ta kenë politikën autonome kulturore, por që duhet të jetë në funksionim të përkryer me politikat kulturore.
Politikat kulturore nuk duhet që të ofrojnë vetëm orientime, por ato duhet edhe të kërkojnë obligime dhe përmbushje të detyrimeve të cilët pastaj duhet të sigurojnë qëndrueshmëri dhe lëvizje të lehtë në shinat e industrisë kulturore.
Politikat kulturore të institucioneve nacionale duhet të garantojnë kreativitet si dhe suksese të padiskutueshme në rrafshin përkatës kulturor. Pa dyshim që duhet të organizohen 2-3 ekspozita jashtëzakonisht të suksesshme se s’bën! Duhet të jepen 2-3 shfaqje spektakulare se s’bën! Duhet të bëhen 1-2 filma që do të kalojnë nëpër të gjitha festivalet botërore të filmit; duhet të botohen 50-100 tituj origjinalë, nja 20-30 tituj të përkthyer nga autorët më të lexuar të vitit; duhet të organizohen 3-4 festivale folklorike, nja 4-5 shfaqje të operës, 2-3 shfaqje nga baleti, nja dy koncerte të muzikës serioze, dy-tre ekspedita arkeologjike, manifestime poetike etj. Të gjitha këto të shënojnë suksesin e vitit për çdo institucion nacional përkatës! Pa dyshim, tërë ky aktivitet ngelë në obligimet e këtyre institucioneve që, në njëfarë forme, u diktohen nga politikat kulturore. Ndër detyrat kryesore të këtyre institucioneve ngelë që të sigurojnë sa më shumë publik, shitje sa më të madhe të biletave por edhe të prodhimeve nga produksionet përkatëse dhe, me këtë, ta lehtësojnë detyrimin financiar nga buxheti shtetëror. Thjesht, të krijojnë një “pavarësi” financiare nga buxheti qendror!
Burokratizimi i institucioneve nacionale, parazitizmi i tyre si pasojë e ushqyerjes së gatshme nga buxheti shtetëror, mosdhënia përgjegjësi para askujt për mungesë të publikut-konsumatorit, zhdukja e të gjitha kontakteve institucion nacional-publik – kjo po që duhet të ketë një përgjegjës!
Teatrot dhe hapësirat e tyre të mbyllura apo jo mirë të shfrytëzuara, prezantimet e këqija të galerive dhe muzeve, repertorët demode, manifestimet poetike të mbyllur që, fatkeqësisht, e degradojnë edhe boemizmin më të shëmtuar, vdekjen e botimeve poetike, të dramaturgjisë kombëtare etj., dëshmojnë për “politika” që ngrenë strategji mes miqsh dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me filozofinë bashkëkohore të politikave kulturore. Sot, vetëm krijimi i financave vetanake të siguruar nga konsumatorët e vlerave kulturore është dëshmi se sa një popull e do kulturën e vet dhe, sa është i kulturuar. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Favorizimet dhe diskriminimi kulturor

Midis nesh Favorizimet kulturore janë dukuri që shprehen si pasojë e urdhrave…

FESTIVALET, ARENA TË DEKADENCAVE MORALE E TË KORRUPSIONIT

HEJZA me Sulejman Rushitin, regjisor Regjisori i njohur nga Gostivari Sulejman Rushi,…

Halil Matoshi: LIBRI ÂSHT MREKULLIA E FUNDIT E NJERIUT

HEJZA me Halil Matoshin, shkrimtar Halil Matoshi tashmë është shkrimtar dhe publicist…

Midis nesh / “HESHTJE INTELEKTUALE” APO INTELEKTUALË TË HESHTUR

Heshtja e intelektualëve si pasojë e servilizmit para pushtetit nga i cili…

Gjysmëfinalet e “Eurovision”, kualifikohen 10 të parët

Dhjetë vende, përfshirë Serbinë dhe Slloveninë, u kualifikuan për natën finale të…