Midis nesh

Termin politikë kulturore do ta definonim si angazhim për t’u përfshirë në sendërtim dhe zhvillim kulturor, e drejtë kjo elementare nga korpusi i të drejtave të njeriut. Në aspektin politiko-organizativ, politika kulturore është një fushë specifike dhe ndër kryesoret në të cilat përqendrohen institucionet më të larta shtetërore. Në shtetet ballkanike shumë etnike politikat kulturore kanë qenë parapërgatitje e krijimit të “terrenit kulturor” për jetësimin e koncepteve të shteteve etnike, të cilët do të angazhohen edhe për të drejtat në kulturë të “kombësive”, apo të “pakicave kombëtare”! Natyrisht, e drejta në kulturë, për shembull, te shqiptarët e viseve etnike, ka kaluar përmes të drejtës për shkollim, nëpër angazhimet për ta shprehur identitetin etnike përmes manifestimeve tradicionale e deri te “lufta ndëretnike” për ta shtrirë sa më gjerë e më thellë përdorimin e gjuhës shqipe.
Pas Luftës së Dytë Botërore, shtetet perëndimore të drejtën në kulturë e ndërlidhnin kryesisht me problemet e thella ekonomike të cilat, shtresave të mesme dhe të varfra ua pamundësonin pjesëmarrjen në jetën kulturore, kurse në shtetet ballkanike e drejta në kulturë dilte si kërkesë për barazi dhe mosdiskriminim kulturor nga shoqëritë, të cilat, në emër të ideologjisë komuniste, insistonin në krijimin e shteteve etnike që lulëzojnë, duke “respektuar” lirinë për të marrë pjesë në kulturë, madje në ato kultura që dominoheshin nga “shoqëritë e mëdha”!
Fatkeqësisht, kjo politikë, në esencë diskriminuese, e zhvilluar me politesa nga teoritë naziste, zhvillohet edhe sot e kësaj dite, ndonëse herë pas here vërehen “përpjekje” për instrumente më të përshtatshme të politikave kulturore për ruajtjen dhe zhvillimin e pasurisë kulturore që ngrihet mbi shumëllojshmërinë kulturore të vendit. Por, patjetër që duhet të ekzistojnë “nëna kulturë” që përkujdeset për të “vegjlit” e vet”!
Shqiptarët e kanë amën e vet kulturore, e kanë kulturën e vet etnike dhe nuk kanë nevojë për kurrfarë kulture që do t’i merrte “nën sqetullën” e vet! Por, të shtrënguar nga ideologjitë e mbrapshta të pushteteve, ata u detyruan jo vetëm në përforcimin e autocensurës, si mekanizëm që të mbron nga rreziku” por edhe u pajtuan me çfarëdo mase ligjore, me çfarëdo politika kulturore vetëm e vetë që ta gëzojnë “përkrahjen” e pushtetit! Libri shqip edhe sot e kësaj dite i nënshtrohet taksave doganore! Ansambli shtetëror i Kosovës apo Filarmonia ose Opera e Shqipërisë nuk mund të shkojë te shqiptarët e viseve etnike pa iu nënshtruar kontrolleve të holla doganore, me listë artistësh e mjetesh, veshjesh e grimesh, thuajse bëhet fjalë për futjen e grupeve të kriminalizuara e me “aparaturë” luftarake! Kjo bëhet për më tepër edhe për t’i nënçmuar vlerat kombëtare si “potencial i mundshëm” i kontrabandimit të kriminelëve apo mjeteve të palejueshme!
Pra, shqiptarët duhet të jetojnë me kulturën e shumicës dhe të drejtës së tyre për ta kultivuar “kulturën autoktone”, e pasuruar përplot me elemente sllave, orientale, me mekam tallava, të krijojnë letërsi duke qen rob i sintaksës së gjuhëve sllave, sepse përmes këtyre elementeve do të ndjehen më afër kulturës vendore apo ta madhërojnë politikën kulturore që u krijon mundësi për “të drejtën” në kulturë!
Megjithatë, çfarë problemi shpërfaqet nga kjo “e drejta në kulturë”? Këtë “të drejtë” duhet ta jetësojnë njerëzit, respektivisht, nëpunësit kulturorë! Cila është etika e këtyre nëpunësve kulturorë si përkatës e atij komuniteti që “e gëzon” të drejtën në kulturë? Nuk mund të jesh nëpunës kulturorë nëse nuk pajtohesh me politikat kulturore dhe nëse nuk i zbaton një për një ato politika të pushtetit që drejton (qoftë ai serb, malazez apo maqedonas)! Pra, vullnetarisht shndërrohen në vegla të pushtetit politik, ndërsa krijimtarisë artistike ia cungojnë të gjitha të drejtat e zhvillimit normal. Nisur nga dëshira e mjerë për të qenë brenda ekipeve që krijojnë politika kulturore, jo rrallë herë nëpër këto ekipe u përfshinë edhe krijues e artistë “të popullit”, të cilët, fatkeqësisht, menduan se për t’u ngritur profesionalisht është e pamundur pa qenë i përfshirë “profesionalisht” në politikë.
Të synuarit politik në përfshirjes në mënyrë sa më proporcionale në pushtet, në sektorë e administratë të dikastereve kulturore (sidomos rasti në Maqedoninë e Veriut), ne sot zhvillojmë luftë, kritikojmë e shprehim pakënaqësi kundër zgjidhjeve administrative e burokratike në kulturë. Pra, nuk na e ka fajin politika kulturore e pushtetit, por fajin na e ka administratori, i cili aty është për të zbatuar çdo politikë të pushtetit dhe çdo strategji nacionale afatmesme, të cilat administratori, subjekti i tij politik, populli që e përfaqëson, as që e kanë lexuar ndonjëherë. E drejta në kulturë nuk mund të aplikohet pa e pasur, paralelisht, të drejtën në luftimin e ideologjizimit dhe shtetëzimit të kulturës në një arenë ku diversiteti kulturor është dominant në krahasim me kulturën shtetërore të popullit “shumicë”! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Me çka dëshmohet lashtësia

Midis nesh Kulturologia Barbara Kirshenblatt-Gimblett, në veprën e vet “Teorizim për trashëgiminë”,…

Strategjia e diskriminimit kulturor

Në Komisionin parlamentar për kulturë, shpesh u loz loja e njëjtë politike…

“Veprat” kopile!

Midis nesh Jo një herë është përfolur se disa vepra relativisht të…

SASIA KURRSESI NUK ËSHTË CILËSI

Për HEJZA-n flet Andreas Dushi, shkrimtar Andreas Dushi prej disa kohësh është…

Një kënaqësi e “shkrimtarit” shqiptar!

Midis nesh Në komunitetin e shkrimtarëve shqiptar ka lloj-lloj personalitete. Ndër ta…