Midis nesh

Po flitet mbi organizimin e “orëve letrare” nga kruzhoqet e ngushtë të krijuesve të mëhallëve, të paverifikuar as nga kritika dhe as nga recensentët e krijimeve letrare! Pikërisht ky fakt është motivi i këtyre organizimeve ku ftohen kryesisht “poetët e kombit”, të cilët e arrijnë “verifikimin” me marrjen e duartrokitjeve frenetike që ia japin njëri-tjetrit. Të shoqëruar me ndonjë gotë raki e me ndonjë kokërr kikiriku, arrijnë në delir nga ajo që e dëgjojnë gjatë recitimeve! E çka dëgjojnë? Pallavra “krijuese”, prej të cilave në fakt ndjejnë një dozë turpi, por që nevoja për “verifikim” i tejkalon të gjitha kriteret e turpit!
Ka edhe nga ata “poetë kombëtarë” që përfshihen nëpër kruzhoqe të tilla, sa për t’i dhënë vlerë dhe peshë anonimëve, të cilëve madje “krijimet” ua vlerësojnë si “raketë që shpojnë çdo parzmore”!
Nga ana tjetër, kemi edhe “organizatorë seriozë” të orëve letrare, madje edhe me karakter gjithëkombëtar, natyrisht të përkrahur financiarisht nga institucionet përkatëse shtetërore! Që në start, nëpër ngjarje të tillë, si dhe nëpër “manifestime” kruzhqesh letrare, vërehet një përpjekje e matrapazëve për të përfituar si famë ashtu edhe ndonjë lek! Në të tilla ngjarje pa dyshim që nuk shprehet kurrfarë respekti as për krijuesin dhe as për krijimet letrare, sepse ato shfrytëzohen ekskluzivisht për përfitime materiale të organizatorëve.
A ndodhë në botë, gjatë organizimeve serioze letrare, që të ftohen krijues pa i akomoduar si “mbretër”, pa ua paguar mëditjen si dhe pa bërë kontratë për të drejtat autoriale të krijuesit, i cili para të pranishmëve do të prezantojë një krijim origjinal?!
Krijuesit shqiptarë me gjasë nuk kanë nevojë që të jetojnë nga krijimet e tyre, u mjafton që t’i thërrasë dikush dhe t’i qerasë me ndonjë gotë raki dhe një grusht kikirikësh! Kanë nevojë që pastaj të mburren e të jetojnë me “famën boshe” se kanë marrë pjesë në një ngjarje kombëtare të organizuar në një qytet apo fshat shqiptar, u duhet për përplotësimin e CV-së! Ftesa është respekt për të tillët! Ata as që kanë dëgjuar për të drejtat autoriale! Ata nuk kuptojnë se keqpërdoren nga organizatorët, të cilët, nën logjikën e “veprave publike”, ua tubojnë dhe i publikojnë si “përmbledhje poezish”, duke përfituar nga prona dhe mundi i huaj intelektual!
Vlerësimet e moçme thonë se poezia lindi si krijim që i dedikohej perëndive, lexohej para tyre, me shpresë se, kësisoj, krijuesi do ta arrinte bekimin e perëndive! Sot poezia lexohet për një duartrokitje të porositur! Një “bravo” e dalë nga goja e diletantit vlerësohet si “bekim perëndie”! Kënaqet organizatori, kënaqet “i verifikuari me duartrokitje”, kënaqet perceptuesi kukull! Të gjithë ndahen të kënaqur dhe, nuk harrojnë që të merren vesh se në cilën banesë, në cilin livadh, nën cilën dritare do të organizohet “ora letrare” e ardhshme!
Organizimet e këtilla natyrisht që duhet të vlerësohen si mjeshtri e matrapazëve për të organizuar maratonë vrapimi në drejtim të kundërt nga ligji për të drejtat autoriale! Kjo distancë kilometrike krijon mundësitë e botimeve të pseudo-vlerave, derisa krijuesit e mirëfilltë, duke këmbëngulur në të drejtën e tyre autoriale, ngelin nën hijen e “poetëve trima” të cilët para “auditoriumit” dalin të veshur me pancir para të cilëve bie qoftë çdo kritikë objektive apo çdo shqetësim e brengë për fatkeqësinë e krijimtarisë letrare! Derisa do të ketë raki e kikirikë, djathë e qebapë, do të ketë edhe poezi dhe “orë letrare”; do të ketë “poetë të kombit” që do ta përligjin faktin që poezia, megjithatë, është frymëzim perëndie, diçka e shenjtë dhe se nuk është “vibrator” i tyre për vetëkënaqësi! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Vdiq regjisorja Burbuqe Berisha

Ka vdekur në moshën 51-vjeçare regjisorja Burbuqe Berisha, ka konfirmuar drejtori i…

SHBA/ Një i vdekur, 3 të plagosur teksa shoferi mësyn protestuesit me makinë në Minneapolis

Në imazhe shihet zona e rrethuar ku një grua u vra dhe…

Asnjë diplome s’e kamuflon analfabetizmin!

Thënia e njohur: “të kaplon gjumi si tradhtar e zgjohesh si patriot”,…

Divergjencat

Midis nesh DIVERGJENCAT Divergjencave brenda-shqiptare ndoshta asnjëherë nuk do t’ju shihet fundi,…

Shfaqjeve që u shteret zëri

Midis nesh Lëvizje politike të iniciuara dhe të zhvilluara nga artistë ka…