Shkelzen Halimi

për ta qetësuar dhimbjen
sërish më vjen ajo
me hijen që lëviz
prapa territ që mbulon
kujtimin
me dorën e padukshme

sëmundje e humbur
në trupin tim
trëndafil i thatë
pranë shtratit
ilaç për ta shijuar
bukurinë çame

në dhomën e njomë
më thahen kujtimet
e viteve shkretëtirë
ylli që iku nga syri yt
ma vizaton rrugën
drejt teje

e dashur
kapma dorën se hëna
s’ma ndriçon vetminë

kur vjeshta mbuloi
pamjet verore të Van Gogut
në derën e zemrës sate
trokiti zymtësia
dhe të mbuloi pikëllimi
për hënën mbi Çamëri
mbi shtëpinë e harruar
me një pllakë mermeri
mbi tregimet plot trishtim
për njerëzit e harruar
që kishin një kore bukë
një grusht kripë
dhe zemër të lodhur

e dashur
një zë nga errësira më tha
do të mbytesh në moçalin e vetmisë
dil nga aty dhe fshihu
në kohën e humbur
në mjegullën e lëshuar
mbi Çamëri

do të dalë nga balada
e strehuar në lashtësi
do të përbirohet
korridoreve të historisë
për të arritur te dita e jonë
e lodhur nga pritja
e verbuar nga drita e zjarrit
që kishte mbuluar trupat tanë

dhe kur një ditë
arkeologët do të gërmojnë
në shpirtrat tanë
do ta zbulojnë pllakën
prej mermeri
që mbulon dhimbjen
për Çamërinë
dhe lotët e nënës
që mbetën atje pas
nëntë maleve
pas ëndrrave të shuara
bashkë me yjet

shiu i vjeshtës sonë
shpërlan pikëllimin
varur në degët
e ftohur të fëmijërisë
e bëhesh kujtim
mbyllur me dry
pikëllim në fund të arkës
mbushur me mall

t’i mbyllim frëngjitë
e ëndrrave trishtim
dhe të zbresim shkallëve
të jetës plot me kthesa
e të arrijmë te
fati i Çamërisë

mbi oxhakun e vjetër
nën çerdhen e zogut të humbur
është zbehur harta e shpirtit
dhe trishtimi
shtrojë me blozë
për udhëtarët e humbur
rrugës që çon atje
në ëndrrën e ngrysur
për Çamërinë e strehuar
në kujtimin e balsamosur

pëllumb i përgjakur
në qiellin e errësuar
i braktisur në ditë feste
valle e ndërprerë
krushq të dehur
nuse me fustan
korb të zi

thanë
ishte një natë pa hënë
me mallkimin hije
që zvarritej drejt Çamërisë

s’e ndjen trupin
as dhimbjen e gjymtyrëve
as frymëmarrjen që të mungon
ndoshta edhe s’je
kujtim në kohët e harruar
e të strehojmë
në kasollen e mallit
atje ku thahesh
nga pikëllimi për
Çamërinë

të dridhet zemra
si trumcakut të lagur
në vjeshtën e vonë

e dashur
akoma dënes
në ëndrrën tonë
që endet midis
largësisë humnerë

ti qan në bregun tjetër
unë të pres këtej
me dhimbjen
që s’më ndahet si hija
kur hëna është e plotë

akoma e dëgjoj pëshpëritjen
një jetë të dua Çamëri
e s’gjej fjalë të të them
se je më shumë se dhimbje

digjem dhe bëhem pluhur
në urnën që derdhet
në lumin e kohës
mermer i skalitur
me një emër
që s’më lë të vdes
as në moshë të thyer
Çamëri

e dashur
më nxjerr nga këto grila
të mbyllura me dry
se jam dru i njomë
në pyllin e djegur
nga dhimbja
për Çamërinë
atje tek e mbulon
vetmia e hënës

nuk lodhet kurrë
duke udhëtuar ditë e natë
duke e përplasur
nëpër shkëmbinj
duke rënë nga lartësitë
as plagoset
as përgjaket
është lumi
lumi i dhimbjes sime

nëse na shteret dashuria
do të shteret edhe vuajtja
bashkë me Çamërinë

do të na marrin
valët e shqetësimit
dhe do të na përplasin
brigjeve të jetës
asnjëherë s’do të dalim tej fatit
duke qepur pullën e fundit
për ta mbërthyer vjeshtën
e shpirtit tonë

qajnë pamjet e harruara
sa herë hapet dritarja e zemrës
qajnë kujtimet e ngurosura
në pllakat e mermerit
mbi varret ku derdhet
muzika e përmortshme
e heshtjes

derë e harruar
digjet në vetminë çame
si në turrën flakë

nata sërish zbret
mbi pagjumësinë
dhe vuan
shekulli i braktisur
diku në pamundësinë
e strehuar
skutave me lagështi

ka kohë që jemi nisur
e asnjëherë s’mbërrijmë

e dashur
është shterë edhe zëri ynë
i dikurshëm
dhe jemi rrugës
për t’u bërë kufoma të gjalla
mbuluar me qefin Çamërie…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Midis nesh / TALENTET E REJA

Çdo paraqitje apo gjetje e talenteve të reja, çdo defilim i tyre…

Evropa kreative që “Diskriminon”

Letër nga Shkupi Në kuadër të Ministrisë për Kulturë në RMV funksionon…

Cila është pesha historike e bibliotekave?!

Midis nesh Bibliotekat përveç që janë “arkiv” i librit, mbi të gjitha,…

Kapërcimi i detit

(Neviana Shehi, DETI I NATËS, poezi, botoi Sh.B. “Konica”, Shkup, 2021) Neviana…

Kujtesa kombëtare

Midis nesh Në çka bazohet kujtesa kombëtare? Natyrisht, mbi të gjitha, në…