Midis nesh

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vlerësuar si të rrezikshëm “ligjin” e dalë nga marrëveshja e qeverisë shqiptare, respektivisht e Ministrisë për Kulturë me Fondacionin amerikano-shqiptar për të menaxhuar për një periudhë të caktuar me Parkun Arkeologjik të Butrintin, trashëgimi kulturore kjo ndër të rrallat në botë.
Natyrisht, ky dekret i presidentit, përkundër interpretimit dhe arsyetimit kushtetues e institucional, nga shumica parlamentare, si nëpër komisione ashtu edhe në Parlament, do të shpallet tendencioz, subjektiv, politik ndaj dhe i pavlefshëm me arsyetimin se shteti nuk ka mundësi për të siguruar një fond prej 5 milionë eurove dhe se nuk ka fuqinë e menaxhimit siç na e paska Fondacioni. Bordi drejtues i këtij subjekti do të përbehet prej pesë anëtarëve: dy nga qeveria, dy nga fondacioni dhen një ekspert i huaj i cili do ta mbajë anën e subjektit privat. Fatkeqësisht, në këtë bord ka ithtarë që përkrahin mendimin si dhe deklaratat publike se “Butrinti dhe Gjirokastra gabimisht i janë bashkangjitur Shqipërisë, se ato i kanë takuar dhe duhet t’i kthehen Greqisë”!
Trashëgimia kulturore-arkeologjike është ADN-ja e identitetit kulturor të një kombi! Ministritë për kulturë, në shtete të civilizuara, merret me politika të larta shtetërore e nacionale, merren me nxitjet e shoqërisë në kreativitet si dhe merren ekskluzivisht me ruajtjen e pasurisë arkeologjike, shpirtërore dhe të çdo gjëje që paraqet trashëgimi kulturore.
Çka do të thotë vlerësimi i një shteti (i një shteti në NATO dhe që pretendon inkuadrimin në BE) se nuk është i aftë të menaxhojë me pasuritë arkeologjike kombëtare ndaj i duhet një “partneritet publiko-privat”, i duhet një fondacion”, i cili do t’ia bëjë strategjinë dhe do ta menaxhojë për një periudhë të caktuar atë pasuri! Do me thënë se shteti ka ardhur në konstatim që mungon kuadri, mungojnë ekspertët, mungojnë institucionet përkatëse, mungojnë buxhetet e nevojshme për rijetësim dhe menaxhim me pasuritë arkeologjike kombëtare?! Pa dyshim, shtetet e fuqishme, por edhe kombet sado të pasura qofshin ata, inicojë themelim të fondacioneve, por vetëm në rolin e filantropëve, të mbledhjes së fondeve për të kontribuar në rijetësimin apo në menaxhimin e një parku, të një zbulimi arkeologjik, të një zone reprezentative nga trashëgimia kulturore! Për këtë kontribut jepen mirënjohje shtetërore, respekti më i lartë kombëtar e shtetëror! Por ama, t’i lihet në dorë pasuria kombëtare një fondacioni – kjo do të thotë se jemi të gatshëm që të gjitha asetet perlë nga trashëgimia kulturore t’ia “falim” fondacioneve, të cilët do ta kryejnë edhe propagandën lobuese për pushtetin! Shpjegim tjetër nuk ka, për më tepër kur të kihet parasysh se vendimi i qeverisë është që nëse konstaton se ky Fondacion po menaxhon mirë me Butrintin, t’ia jep nën menaxhim pastaj edhe lokalitetin arkeologjik të Durrësit, t’ia jap tërë Beratin, Gjirokastrën, e kështu me radhë!
Marrëveshja e qeverisë me Fondacionin kaloi në mënyrë shumë të heshtur, nuk u mor mendimi i shkencëtarëve, as i Akademisë, as i institucionit shtetëror për arkeologjinë kombëtare, as i shoqërisë civile! Shqiptarët i kanë nja 10-15 biznesmenë filantropistë të cilët, për investime shtetërore në ruajtjen, rijetësimin dhe avancimin e parqeve arkeologjike do të derdhin fonde prej dhjetëra milionë eurove, vetëm sikur të dilte një apel emergjent nga institucionet shtetërore. Pra, një shtet që e ka dert trashëgiminë kulturore do ta ringriste një fond kombëtar, dhe nuk do të lejonte që pasurinë e tërë kombit dhe shtetit t’ia linte në dorë një “fondacioni” qoftë ky edhe amerikan. Është në pyetje prestigji kombëtar! Një pushtet që anashkalon debatin përtej rrëfenjave brenda partiake, që nuk thërret publikisht ndihmë nga kombi për ta tejkaluar një situatë emergjente, që në mënyrë klandestine kalon në parlament (ku e ka shumicën) një ligj a vendim për ta miratuar, kjo flet për matrapazllëqe dhe për korrupsion shtetëror, kjo flet për shitje të interesave shtetërore e kombëtare për një grusht të mirash që do t’i përfitojë partia!
Vetëm një fakt që kjo marrëveshje parasheh degradimin e Parkut të Butrintit si dhe shpërblimin e mafisë urbane në Shqipëri, flet për një “vizion” të pushtetit që vetëm kombëtar nuk mund të quhet! Sipas “strategjisë” së këtij Fondacioni, Parku do të tkurret për 80 hektar, sepse janë prekur nga ndërtimet e egra të cilat kanë dëmtuar deri në pavlerë mbetjet nga ky lokalitet arkeologjik! Pra, duhet një “subjekt” që do ta legalizojë mafinë urbane, për ç’gjë pushteti nuk do të mund të fajësohet! Kriminaliteti shtetëror po shkon atje ku më pilafi nuk mbanë ujë! Dhe, ky turp bie mbi mbarë kombin shqiptar, pa dyshim! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Konkursi, një mënyrë e ndarjes së shapit prej sheqerit

Midis nesh Në të kaluarën, me qëllim të ngritjes së cilësisë së…

KUR BOTIMI BËHET MODË!

Shqiptarët nuk mund të ankohen sa i përket botimit të librit. Vit…

Shtëpitë të kthyera përmbys ndërsa tornadot me shpejtësi mbi 160 kmh godasin Floridan

Florida u godit nga katër tornado të dielën në mëngjes, që lanë…

Ishulli i krijuesve të rinj

Midis nesh “Zëri i Rinisë”, “Bota e Re”, “Fjala”, “Rilindja” (sidomos Rilindja…