U tha se do të sigurohet mbrojtje nga qentë endacakë, ushqim falas për filloristë, por asnjë premtim më i vogël nuk erdhi për kulturën tonë të zbehtë. Apo, mbase nuk kemi nevojë për kulturë kur akoma nuk kemi rrugë, ujë, rrymë, shkolla, probleme këto që bota i ka tejkaluar një shekull më parë

Ka ngelur më pak se dhjetë ditë kur do të mbahen zgjedhjet lokale këtu në Kosovë. Kandidatë të ndryshëm po zhvillojnë një fushatë, secili sipas mënyrës së vet, duke shpalosur vizione e oferta për më të mirën e mundshme për qytetarët lokalë. Po kaq ditë deri në zgjedhjet vendore kanë ngelur edhe në Maqedoninë e Veriut! Edhe atje, sipas informacioneve nga terreni, po zhvillohet një fushatë shumë e nxehtë, madje sikur këto zgjedhje të jenë jetike për fatin e mëtejmë të subjekteve politike. Secila parti paraprakisht jep rezultate se në sa komuna do të fitojnë! Këto qëndrime dhe pozicionime partiake, megjithatë, përçojnë mesazhe se dita e zgjedhjeve mund të jetë e rëndë!
Kandidatët shqiptarë për komunat ku garojnë, në të dy shtetet, në fokus të tyre kanë kryesisht problemet sociale, të infrastrukturës, të arsimit, të shëndetësisë, të sportit etj. Pa dyshim, premtimet kryesore vazhdojnë të jenë ato që kanë të bëjnë me parkingjet e reja për makina, garazhe në kate, ujësjellësi, energji stabile elektrike, shtrimi i ndonjë rrugë rurale, rrugicë për lopë, për biçikleta, qendra trajtimi për qentë endacakë, salla sportive, pishina për fëmijë, parqe të gjelbra, ushqim falas për fëmijët deri në klasë të pestë. Asnjë kandidatë nuk ofron plane financiare se si do të përballohen të gjitha këto premtime, të cilat, megjithatë, janë çështje të pushtetit qendror!
Këtu te ne, në Kosovë, asnjë prej kandidatëve nuk shprehu më të voglën brengë për pozitën kulturore të qytetarëve vendorë! Nuk u premtua asnjë qendër kulturore, asnjë sallë universale për ngjarje kulturore, asnjë teatër për fëmijë, asnjë qendër përkatëse ku do të zbulohen talentet dhe ku do të punohet me talente parashkollorë.
Janë propozime shumë qesharake e të mjerueshme, bie fjala, si ato që dëgjohen nga kandidatët për kryetarë komunash shqiptare në Maqedoninë e Veriut! Fëmijët do të kenë nga pesë e më shumë pishina nëpër komuna, do të kenë rrugica për “sporte ekstreme”, do të kenë autobusë ekologjikë, do të kenë shumë, shumë, shumë parqe të gjelbra… Megjithatë, asnjë kandidat nuk ofroi një shtëpi botuese për libra ekskluzivisht për fëmijë, nuk ofroi bibliotekë për fëmijë, asnjë kandidat nuk foli për ndërtimet e domosdoshme të qendrave apo shtëpive të kulturës, asnjë kandidat nuk ofroi oferta bashkëpunimi me shtëpitë botuese që funksionojnë në kuadër të territoreve të komunave përkatëse, asnjë ofertë për asociacionet kulturore vullnetare, asnjë ofertë për bashkëpunim me shoqërinë civile, e cila në fokus ka problemet kulturore të të rinjve dhe, përgjithësisht, të shoqërisë sonë. Shoqëria jonë do të mbrohet nga qentë endacakë, do të krijohen fonde për këtë “mbrojtje jetike”, por asnjë lek nuk u tha se do të derdhet në zhvillimin dhe avancimin e jetës kulturore. U tha se do të sigurohet ushqim falas për fëmijët filloristët, por asnjë premtim më i vogël nuk erdhi për shpërndarje falas të librave nga letërsia për fëmijë, nuk u premtua repertor teatral për fëmijë. Apo, mbase nuk kemi nevojë për kulturë kur akoma nuk kemi rrugë, ujë, rrymë, shkolla, probleme këto që bota i ka tejkaluar një shekull më parë!
Politikanët shqiptarë që nuk e kanë në fokus kulturën kombëtare, që nuk ofrojnë projekte për zhvillim kulturor përgjatë mandatit të fituar, nuk janë seriozë, ata në fakt synojnë vetëm asetet e komunës të cilat duhet të eksploatohen, mundësisht deri në shkatërrim, për interesa meskine personale dhe për të mirën e partisë! Sepse, partia është populli. Kurse, një popull, para se të jetojë gjelbër, siç “pretendohet” në Maqedoninë e Veriut, duhet të jetë kulturalisht i përgatitur edhe për atë “jeshillëk”. Ndryshe, e bën stërnishtë, madje djerrinë çakejsh. Edhe këtu në Kosovë premtohet gjithçka. Dhe fjalët i merr era…. (HEJZA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…