Agim IDRIZI, teolog


Medresetë janë shkolla të mesme profesionale që përgatisin kuadro fetar për nevojat e institucioneve të komuniteteve myslimane. Sot, anekënd trojeve shqiptare funksionojnë dhjetëra medrese. Pas rënies së Perandorisë Osmane, këto shkolla fetare do të mundohen ta ruajnë fizionominë dhe traditën e vet fetaro-arsimore. Në atë periudhë, gjegjësisht gjatë viteve 1918-1939, vite këto të sundimit të Mbretërisë së Jugosllavisë, në viset etnike shqiptare, të cilat i mbulonte Ulema Mexhlisi i Shkupit, funksiononin rreth tridhjetë medrese, private e shtetërore, prej të cilave si më të njohura ishin Medreseja Gazi Isa Beu, Medreseja Medah dhe Medreseja e Madhe, “Aleksandri I”, në të cilën ligjëronin kryesisht “hoxhallarë” serbë, rusë etj. Megjithatë, nga këto medrese do të dalin personalitete që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare shqiptare, siç ishin: Sinan Hasani, Hivzi Sulejmani, Abdulla Krashnica, Ibrahim Kelmendi, Idriz Ajeti, Mehmedali Hoxha, Azem Morana, Ilmi Shehu, Haki Efendi Sermaxha, Shaip Mustafa e shumë të tjerë.
Përkundër fakteve historike që flasin për këtë epokë si për njërën nga më të errëtat dhe më të trishtat për shqiptarët e viseve etnike, megjithatë shqiptarizma që kishte marrë hov gjithandej tokave shqiptare, po ndikonte në çdo sferë të identitetit kombëtar. Ndonëse përkujdesi i “hoxhallarëve” serbo-rusë për të serbizuar sa më shumë shqiptarë ishte i jashtëzakonshëm, i shoqëruar edhe me përndjekje, më tortura, me vrasje, me presion për shpërngulje sa më masovike, megjithatë, këta medresantë, por edhe shumë të tjerë, nuk devijuan nga identiteti kombëtar dhe nga interesat e popullit të vet! Medreseja e Madhe “Aleksandri I” ishte e akredituar nën vëzhgimin e qeverisë mbretërore, “kuadri teologjik” përzgjidhej dhe punësohej vetëm me lejen e ministrisë së Arsimit, kuadër ky që në shumicë absolute ishe nga përkatësia serbe, ruse dhe boshnjake sa për t’i dhënë nuanca të “myslmanizmit”!
Gjatë Jugosllavisë ateiste, të gjitha këto medrese do të mbyllen. Më vonë, në disa qendra do të hapen dy-tri medrese. Në Shkup gjatë viteve ’80, do të startojë Medreseja Isa Beu, e cila do të ngelë vatër arsimore e Bashkësisë Fetare Islame. Mbi tridhjetë vite kjo shkollë fetare do të financohet vetëm nga popullata e vendit, asnjë cent nuk do të derdhet në xhiro-llogarinë e saj nga buxheti i shtetit. Shteti nuk do ta njohë, nuk do ta akreditojë as sot e kësaj dite. Shteti i Maqedonisë së Veriut nuk i njeh diplomat e kësaj shkolle të mesme, prandaj edhe ka urdhëruar të gjitha universitetet e vendit që mos të regjistrojnë asnjë medresant në asnjë fakultet. Për pasojë, për herë të parë do të organizohen protesta nga ana e nxënësve të kësaj Medrese që do të shprehin revoltë dhe pakënaqësi si kundër Ministrisë së Arsimit, ashtu edhe kundër Bashkësisë Fetare Islame!
Çuditërisht, nga ana tjetër, kjo shkollë fetare islame, si asnjë shkollë fetare në rajon e më gjerë, do të shërbejë si “poligon” i rekrutimit të bashkëpunëtorëve e të nëpunësve të shërbimit inteligjent maqedonas. Është “sekret publik” fakti se pas një “konkursi intern” në ish-drejtorinë maqedonase për zbulim dhe kundërzbulim janë pranuar njëherazi 8 medresantë shqiptarë! Medresantët nuk kanë të drejtë të vijojnë arsimimin sipëror, kurse pranohen me shumë lezet në zbulim e kundërzbulim! Nuk është e qartë se prej nga kjo dëshirë kaq e madhe e medresantëve për të punuar si bashkëpunëtorë, operativë apo “nëpunës” të zbulimit dhe kundërzbulimit; prej nga kjo dashuri e medresantëve për t’u shtrirë në rrjetin e spiunazhit; nuk është e qartë akoma se cili është kontributi i personelit arsimor, etnikisht “shqiptarë”, i kësaj Medrese! Cili është kontributi i parisë fetare! Cili është kontributi i partive politike shqiptare?
Kurse kreu i BFI-së gjithnjë këtë përfshirje të medresantëve në këtë shërbim inteligjent e ka konsideruar si punë shumë të madhe, si kontribut të kësaj vatre arsimore që përkujdeset për shtetin, ndonëse shteti nuk e shpreh as të voglin respekt për medresantët e “Isa Beut”! Ç’moral i ulët i kësaj logjike “të hoxhallarëve”: “Sa më shumë të kemi të njollosur, aq më e vogël do të jetë përqeshja në mes nesh”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Ku jeni “komandanta” të 2001-shit, pse po heshtni për komandant Sokolin!

Nuzemedin Imeri / Vëllezër e Motra, Të dashur bashkëkombës, të flasësh për…

“Grupi i Kumanovës” ri-dënohet me aminin e Ali Ahmetit

“Rasti i Kumanovës” në fakt është varri moral i BDI-së dhe oqeani…

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Efendi Rexhepi: Me komplot e tradhëti nuk përmirësohen “situatat e vështira”

R E A G I M Mbi Raportin e Komisionit Evropian për…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…