Midis nesh

Strategjia nacionale është një dokument qeveritar, në të cilin tërhiqen linjat se nga duhet të shkojë dhe ku duhet të arrijë zhvillimi nacional në fushën konkrete! Zakonisht, këto strategji janë afatmesme dhe varen nga pushtetet. Ndërrimi i pushteteve nënkupton edhe ndërrim të strategjive, duke i përshtatur me programet qeveritare, por dhe me premtimet parazgjedhore!
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kurrë nuk dinë të kërkojnë, kurse politikanët nuk dinë të premtojnë gjëra kulturore! Prandaj dhe përjashtohen nga hartimi i strategjive nacionale për zhvillim të kulturës. Ata mund të përfshihen, por nuk kanë të drejtë në ngritje të problemeve kulturore shqiptare që kërkojnë zgjidhje dhe që duhet të përfshihen në një dokument të tillë! Apo, kanë të drejtë, por që në start e dinë se do të mbivotohen dhe, kjo nuk është e rëndësishme për ta, me rëndësi është që t’u bëhet fjala nëpër kafe e çajtore se si u fjalosën (pa kurrfarë efekti) me anëtarët maqedonas për kulturën shqiptare!
Çuditërisht, hartues i Strategjisë së fundit për kulturë në RMV është edhe një shqiptar, i cili më tepër e ka vënë emrin e vet sa për ta ruajtur vendin e punës dhe “statusin shoqëror” se sa që ka dhënë kontribut real. Ky fakt mbështetet në qëndrimin diskriminues maqedonas që si “vendim shtetëror” parasheh subvencionimin e vetëm krijuesve vendorë! Konkretisht, krijuesit shqiptarë ndahen në të vendit dhe në krijues shqiptarë të huaj për vendin! Shkrimtarët nga Shqipëria dhe Kosova nuk i përkasin kulturës letrare që krijohet në Maqedoninë e Veriut! Nuk i përkasin as serbët, as kroatët, as bullgarët, por ata mund të botohen, të përkthyer në gjuhën maqedonase. Tani, sipas kësaj logjike, a të fillojmë t’i përkthejmë në “shqipen maqedonase” edhe shkrimtarët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, apo edhe nga diaspora? Pse kjo politikë nacionaliste maqedonase e cila “ngadhënjen” në tendencat për ta fagmentarizuar kulturën e përgjithshme shqiptare?! Natyrisht, kjo ka vetëm një logjikë: të shtyhen sa më shumë nevojat e shqiptarëve të këtushëm për të themeluar institucione nacionale kulturore! Ky është kuadri kulturor i shqiptarëve vendorë dhe, përforcime nga jashtë, huazime apo kontribute kombëtare të “shqiptarëve të huaj”, nuk mund të ketë, sepse kjo tashmë është sanksionuar edhe me qëndrimet politike shtetërore të përfshira në Strategjinë Nacionale për Zhvillim të Kulturës!
Pse kjo përpjekje nacionaliste permanente për të ngadhënjyer mbi nevojat reale të shqiptarëve për zhvillim të kulturës së vet? Sepse, pa ndihmën e anëtarëve të Filarmonisë së Kosovës apo të Shqipërisë, pa ndihmën e Operës së Kosovës apo të Shqipërisë, pa ndihmën e arkeologëve shqiptarë nga Kosova e Shqipëria, shqiptarët e Maqedonisë edhe për gjatë kohë nuk do të kenë “të drejtën” për të kërkuar themelimin e një filarmonie të veten, as të ndonjë opere, të ndonjë institucioni nacional arkeologjik! Letërsia shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të vlejë vetëm ajo letërsi (!) që krijohet nga krijues të këtushëm dhe, nëse nuk janë të mirë, mund të përkthehen në shqip autorët maqedonas dhe me këtë të përmbushet nevoja për lexim.
Kori “AKAPELA” nga Tetova tashmë ka rrëmbyer të gjitha çmimet e larta botërore. Ky “asociacion” operistik lejohet të zhvillohet dhe të funksionojë për botën e jashtme dhe jo që të llogaritet si bazë e një opere si institucion nacional shqiptar në RMV. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut lejohet që të pasurohen me sa më shumë subjekte politike, madje kjo stimulohet me simpati të veçantë, por ama nuk lejohet që të kenë subjekte kulturore institucionale. Mbase edhe mund të lejohet, por jo në fazë e tanishme! Kur? Këtë mund ta dinë vetëm ata që nuk mund ta durojnë zhvillimin kulturor dhe ata që kulturën kombëtare shqiptare mundohen ta fragmentarizojnë në copëza kulturore që dallojnë njëra prej tjetrës! Nuk mund të ketë kulturë politike pa të kuptuarit në esencë të politikave kulturore! Kjo mangësi do të prodhojë vetëm pasiguri dhe armiqësi dhe jo mirëqenie e zhvilli të gjithanshëm. Këtë realitet po e shohin dhe po e kuptojnë të gjitha faktorët relevantë ndërkombëtarë, vetëm faktorët vendorë po e injorojnë dhe po e trajtojnë si “përzierje në politikat e brendshme” për destabilizim të vendit! Armiqësia politike gjithnjë rritë dozat e nacionalizmit dhe kjo zgjatë jetën e pushtetit unilateral që nuk është në përputhshmëri me asnjë nga ligjet e BE-së! Së këndejmi, janë të kota anketimet për të parë rënien apo ngritjen e interesit të qytetarëve për t’u inkuadruar në BE! Për këtë duhet të testohen vetëm subjektet politike që më tepër interesohen për ruajtjen e pozitave qeveritare se sa për ta futur sa më parë shtetin në Bashkësinë Evropiane. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Shkumbin Gashi: KEMI PROBLEM ME SHPËRNDARJEN E PËRGJEGJËSISË

Me shkrimtarë të diasporës: SHKUMBIN GASHI Shkumbin Gashi (1991) është shkrimtar i…

HEJZA: Bisedë me Nora Halimin, disenjatore: TRAJEKTORJA E ZHVILLIMIT TË ARTIT KA LËNË PAS SHUMË STACIONE

Nora Halimi është artiste dhe pedagoge në Fakultetin e Arteve në Universitetin…