Oda e Afarizmit të Kosovës është shprehur kundër moratoriumit të propozuar nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Sipas këtij vendimi, parashihet vendosja e moratoriumit për gurthyesit e rinj dhe ato në procedurë për pëlqim mjedisor për periudhën dy vjeçare.
Me këtë rast, OAK përmes një komunikate për media, kanë thënë se ky vendim që nënkupton mosvazhdimin e licencave, është problematik për sektorin minerar në Kosovë.
“Bizneset anëtare të OAK-së nga sektori minerar shprehen të jenë jashtëzakonisht të shqetësuara lidhur me vendimin i cili pritet të merret, ndërsa theksojnë se pezullimi i punës për një periudhë kohore për dy vite edhe ashtu pas ballafaqimit me gjendjen pandemike në vend, do të jetë shumë i dëmshëm në të gjitha format”
Nga OAK thonë se nuk janë kundër dhënies së licencave të reja, por sipas tyre, një vendim i tillë duhet të unifikohet me KPMM-në që së pari ata të ndalojnë dhënien e licencave.
Tutje, ata i kanë kërkuar edhe një takim ministrit Aliu së bashku me bizneset e këtij sektori.
“Oda e Afarizimit të Kosovës konsideron se mbajtja e një takimi të përbashkët me bizneset dhe vendosja e disa kritereve bazë të cilat do të mbronin natyrën dhe do të lejonin vazhdimin e punës së këtij sektori do të ishte zgjidhja ideale në të dyja rastet. OAK fton edhe publikisht Ministrin Aliu në takim se bashku me bizneset e ketij sektori”.
Të hënën, Ministri i Infastrukturës, Liburn Aliu, bëri të ditur në Facebook, se ka marrë vendim për vendosjen e moratoriumit për gurthyesit e rinj dhe ato në procedurë për pëlqim mjedisor për periudhën 2021 – 2023.