Midis nesh

Dikur pushtuesve barbarë, për ta nënshtruar e asimiluar tërësisht një popull të një territori të caktuar, i duhej decenie e shekuj! Sot, nuk i duhet shumë, vetëm aq kohë të nevojshme për t’i lansuar nja 50-100 raketa dhe për ta futur makinerinë luftarake dhe numrin e paraparë të ushtarëve e ushtarakëve për ta drejtuar territorin e uzurpuar. Tërë kjo, jo më shumë se, maksimumi, një muaj! Pastaj vjen “rindërtimi” dhe komandimi nënshtrues sipas “kulturës” së okupatorit!
Dikur, Perandorisë Osmane iu desht pesë shekuj që ta zhbëjnë çdo vepër artistike e kulturore të shqiptarëve, ta zhbëjë çdo shkrim, çdo libër, çdo trashëgimi letrare që përmbanin fjalë shqipe të shkruar para pushtimit dhe gjatë pushtimit! Si vepër e shpëtuar, deri më sot njohim vetëm Mesharin e Buzukut, falë asaj që kjo vepër u shkrua dhe u publikua në Itali!
Po kur trashëgimia kulturore të shkatërrohet nga neglizhenca e shtetit, nga pakujdesia noshalante e institucioneve shtetërore, nga papërgjegjësia absolute shoqërore dhe të organeve të shtetit, atëherë, je kolaboracionist me çdo pushtues, me çdo faktor të rrënimit të identitetit kulturor, je jo i denjë për ta trashëguar madje as identitetin kombëtar.
Kosova u çlirua me luftë dhe në liri doli me një numër të konsiderueshëm asetesh, rreth 1600 të tillë, që konsiderohen të rëndësishme për trashëgiminë kulturore. Këto vlera kombëtare dominohen kryesisht nga pasuria arkitekturore dhe arkeologjike. Pjesa dërmuese e këtyre aseteve vështirë se do t’i rezistojnë rrënimeve në themel, sidomos ato që i përkasin pasurisë arkitekturore. Janë dhjetëra objekte jashtëzakonisht të rëndësishme që janë në shkatërrim e sipër dhe që flasin për një papjekuri shtetërore për sa i përket trashëgimisë kulturore. Kosova e sotme, në çdo pëllëmbë të tokës së vet rritet mbi themele, mbi gjurmë arkeologjike jashtëzakonisht të rëndësishme për historinë tonë të hershme.
Asete kulturore llogariten edhe veprat e artit, të cilat, bashkë me asetet arkitekturale kërkojnë një siguri, një mbrojtje e një ruajtje të veçantë, sidomos në kushte lufte! Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në sipërfaqe edhe një vlerë të paparë humane në raport me veprat e artit! U futën nëpër strehimore të bunkerizuara mijëra piktura, ikona, ikonostase, skulptura etj. Përmendoret, statujat dhe një mori veprash, si tërësi e veprave skulpturale, këto ditë anekënd qendrave ku akoma nuk kanë shpërthyer raketat e agresorit okupator rus, qytetarët ukrainas kanë nisu t’i mbështjellin me materiale të ndryshme, nga rrjetet e çelikta deri te mbështjellësit e rëndomtë prej najloni! E tërë shoqëria ukrainase u angazhua edhe për mbrojtjen e aseteve të ekspozuara kryesisht nëpër qendra të vendbanimeve për ta kujtuar historinë, por edhe për ta shtuar krenarinë kombëtare.
Qytetarët edhe mund të ikin, edhe mund të kërkojnë strehim edhe nëpër male, edhe jashtë atdheut, por si të përkujdesemi për vlerat kombëtar të ekspozuara, si nëpër galeritë e artit, si nëpër sheshe e nëpër objekte të kultit. A kanë shqiptarët galeri të bunkerizuar për veprat e artit! Le ta supozojmë më të keqen: ne rast lufte, në ç’bunkere do të ruhen përmendoret e Skënderbeut, të Ismail Qemalit, të Hasan Prishtinës, Isë Boletinit, Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit! Apo, kur të mbyten e të ikin qytetarët, kush po pyet për fatin e “e të vdekurve” më herët, pa çka që këta personalitete, si vepra artistike skulpturale, janë baza e vlerave ku përforcohet trungu i identitetit tonë kombëtar!
Asetet arkeologjike, arkitekturale, veprat e artit, nuk bëhen, nuk investohet në to që një ditë t’i shtohet kënaqësia armikut gjatë shkatërrimit të këtyre vlerave, por kujdesi, investimet dhe strategjitë kombëtare për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre bëhen me qëllim që sot e përjetë ta ndjejmë kënaqësinë, të krenohemi për atë se kush kemi qenë, për ecurinë tonë si kulturë dhe si civilizim.
Kjo që po i ndodhë veprave të trashëgimisë kulturore në Kosovë, do të na turpërojë shumë keq, do t’i humbim të gjitha gjasat për t’u anëtarësuar në UNESKO e nëpër organizata botërore të kësaj natyre! Do të jenë shumë idiotike ankesat se në këto anëtarësime po na pengon Serbia! Ç’na duhen dhe sa i meritojmë anëtarësimet nëpër organizata të tilla kur interesimi ynë si komb e si shtet është nënçmues për sa i përket vlerave nga trashëgimia jonë kulturore. Çfarë fuqie shpirtërore, çfarë synimesh kombëtare, çfarë vetëdije kulturore kanë pasur të parët tanë që na kanë lënë një trashëgimi të hatashme kulturore, ndërsa, ne, pasardhësit e tyre, sot nuk jemi në gjendje të bëjmë jo një objekt opere apo baleti, por as të ndërtojmë një amfiteatër apo një Muze të UÇK-së, në disa nivele ku, në nivelin e parë të bunkerizuar do të shpërndahej një kolonë skulpturash të personaliteteve ndërkombëtarë e të heronjve që çliruan Kosovën. Jo karikatura, por skulptura të denja për t’u vizituar mijëra herë dhe mijëra herë për t’u përkulur para tyre. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Letërsia e diasporës!

Midis nesh Bota akademike e refuzon kategorikisht një emërtim të tillë dashakeq,…

Letër nga Prishtina / PËRTEJ MULTI-KULTIT

Nuk pati Evopë të sigurt derisa populli gjerman nuk u denazifikua plotësisht!…

Arif Molliqi: KRITIKA LETRARE E POROSITUR

Me shkrimtarë të diasporës: Arif Molliqi Arif Molliqi u lind në Llukë…

Kulturë me cirkun e “Mirënjohjeve”

Disa qendra “letrare” të çuditshme kanë shpikur disa mirënjohje të çuditshme, të…