Një aeroplan mallrash u rrëzua pranë qytetit të Kavalës në Greqinë veriore të shtunën vonë, ka thënë brigada e zjarrfikësve dhe televizioni shtetëror.
Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, televizioni shtetëror Ert raportoi se aeroplani ishte një Antonov An-12 në pronësi të një kompanie ukrainase, që po fluturonte nga Serbia në Jordani.
Piloti kishte kërkuar një ulje emergjente për shkak të një problemi me motorin, por sinjali i tij humbi.
Ndërkohë pamjet tregojnë aeroplanin në flakë duke zbritur me shpejtësi përpara se të godiste tokën në atë që dukej të ishte një shpërthim.
Brigada e zjarrfikësve nuk mundi të konfirmonte llojin e aeroplanit dhe numri i njerëzve në bord nuk ishte menjëherë i qartë.
Në një deklaratë ajo tha se kishte vendosur 15 zjarrfikës dhe shtatë makina për të shuar zjarrin që shpërtheu pas përplasjes – përfshirë të tjerë nga ekipet e shpëtimit.
Ndërkohë mediumi serb Blic.rs, shkruan se aeroplani është përfshirë nga flakët dhe ka pas një shpërthim, ndërsa thuhet se shkak për këtë ka qenë se aeroplani ka qenë i mbushur me eksploziv dhe municione.
Po sipas mediumit serb, i cili citon mediat greke, në aeroplanin Antonov 12 ndodheshin tetë persona, duke shtuar se për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme, ekipet e zjarrfikëses dhe shpëtimit nuk mund t’i afrohen vendit ku u rrëzua aeroplani ukrainas.