Recension

(Rreth librit “Magbethi nga Jahja Pasha” (dramë), i autorit Avni Halimi, botuar nga “Konicapress”, Shkup, 2021)

Shkruan Fehmi Ajvazi

1.
Konteksti shkrimorë i të gjitha gjinive letrare, pas rënies së sistemit komunist në vendet e lindjes komuniste (përfshirë edhe hapësirat shqiptare), u fokusua në ridizajnimin e shkrimit si për nga stili dhe struktura, po ashtu edhe për nga motivet, trajtimet, personazhet etj. Ndërsa ranë maskat komuniste, përtej të cilave shtrihej njëmendësia shoqërore dhe e sistemit politik, u kuptua se po përtej tyre rendi shoqëror dhe qytetar, ishte zhvilluar mbi një rend kaosi brenda të cilit shteti dhe pushteti kishte qeverisur si kishte dashur. Normat e rendit komunist, që prej atij moral e deri te ato ligjore, kishin qenë një fasadë e zhvillimit nën diktat, dhe sipas vullnetit të një pakice bastarde. Krahas kësaj, ndryshimi shoqërorë dhe politik në vendet postkomuniste, ende nuk është i standardizuar në plotëni dhe demokracia si sistem, vuan ende pasojat e ndryshimeve dhe mungesën e energjisë së bollshme për t’i tejkaluar dhimbjet, traumat, dhe pasojat e së kaluarës. Të gjitha këto që i shkoqitëm më lartë, janë kujtesë dhe motive të atyre që si vokacion kanë shkrimin, historinë, artet dhe letërsinë etj. Të konsideruar dhe të njohur si “ndërgjegjja” e shoqërisë, krijuesit e zhanreve të ndryshme vazhdojnë të rikrijojnë “tablotë” e së shkuarës, për të qenë ato jo vetëm dëshmi, por edhe mesazhe të të sotmes dhe të së ardhmes! Mijëra e mijëra vepra të ndryshme artistike, letrare, kinematografike, teatrore etj., janë edhe më tutje fokus i krijimtarisë mendore dhe artistike të autorëve të ndryshëm që vijnë nga vendet post komuniste.


2.
Avni Halimi, poet, gazetar, tregimtar, dramaturg etj., është një nga shkrimtarët e njohur që nuk i ka munguar energjia, mjeshtëria dhe guximi për ta shprehur e ndërtuar krijimtarinë e tij, duke pasur si motiv të kaluarën: kujtesën dhe rrjedhën historike të identitetit shoqërorë dhe nacional. I njohur si gazetar dhe poet, mjeshtër i ndërtimit dhe avancimit të kulturës dhe të letërsisë moderne avangardiste, Avniu shquhet edhe si mjeshtër i rrëfimit – tregimit, njësoj edhe i dramës. Nuk ka dyshim prandaj, që konteksti motivues dhe shkrues i tij, buron gjithandej nga sferat e zgjedhura të stilit krijues, tematikës, mënyrës së trajtimit etj. Jo vetëm në poezi, motivet dhe stili e dallojnë atë nga bashkëkohanikët dhe rendi krijues në kulturën dhe letërsinë shqipe. Në sferën e tregimit, Avniu po ashtu, dallohet veçanërisht për mënyrën e gjetjes së temave dhe shtjellimit të tyre! Në krijimet e tij, zë vend të qartë aspekti socio-shoqërorë, struktura e shkëlqyeshme artistike – letrare, si dhe dimensioni psikologjik e filozofik.
Pse duhet zbërthyer profilin krijues të shkrimtarit, qoftë edhe me dy-tri paragrafe? Mendoj se kundrejt veprës së caktuar, janë të duhura pasqyrimet e ndryshme, kjo për të pasur një imazh më të qartë rreth përmbajtjes së veprës, mënyrës së trajtimit, si dhe rëndësisë së saj. Shkrimi i kthyer në vepër të caktuar, nuk bëhet as nga kushdo dhe as në mënyrë të thjeshtë. Për shembull: mund t’i shkruajë ndokush disa mijëra faqe dhe disa dhjetëra libra, por për nga rëndësia dhe kohezioni, të gjitha mund të jenë zero!


3.
Vepra “Magbethi nga Jahja Pasha”, një dramë shumë origjinale për nga motivi dhe tejet intriguese për nga trajtimi, kam përshtypjen që si rrallë ndonjë vepër tjetër, shprehë integritetin dhe nivelin e lartë krijues të autorit Avni Halimit. E para, për nga motivi, po ashtu origjinal, që e ka burimin nga një botë komuniste tashmë e perënduar, dhe e dyta, për nga struktura dhe përmbajtja. Mbi këto shtylla që e diktojnë kornizën e tërësishme të tekstit, Halimi ia ka arritur ta shtjellojë një kohë që ishte e sunduar nga personazhe të cilët, sa ishin autoritar, po aq ishin idiotë, shfrytëzues dhe torturues të individit dhe shoqërisë. Pra, motivi i kësaj drame, buron nga llozhat e errëta të sistemit të krimit dhe qeverisjes politike si mynxyra dhe produkte të shtetit e pushtetit. Askund, më shkurtë në asnjë sistem tjetër, nuk mund të gjesh tipa dhe prototipa më autoritarë të shtetit dhe të pushtetit, siç ishin ata të segmenteve të sigurisë. Mund të konstatojmë pa mëdyshje se, regjimet autoritare-totalitare, siç ka qenë edhe regjimi komunist, i kanë përdorur levat e sigurisë për të mbajtur të kontrolluar çdo mendim dhe shprehje të lirë, dhe për ta mbajtur të kontrolluar shoqërinë dhe shtetin. Në këso ndërmarrjesh gjigante totalitare, mjeshtëria e sundimit ka pasur mënyrat e veta! E para, segmentet e sigurimeve shtetërore dhe ato sekrete, kanë vepruar me duar të lira dhe jashtë kontrollit ligjor. E dyta, ai pak kontroll ligjor, ka qenë i dominuar dhe i shfrytëzuar nga kastat pushtetare. Sistemi, ka shtypur dhe ka prodhuar me instrumentet e tij “njeriun” e varur, të instrumentalizuar, të kontrolluar, të terrorizuar dhe, të qeverisur si mos më keq ! Qeveritarët, ku hyjnë edhe shefat e segmenteve të sigurisë, agjentët e ndryshëm etj., në çdo sistem totalitarë ku dominon autoritarizmi, ideologjia dhe bota e krimit, kanë në rend të parë, këso fytyra. Paradigmë e ekzistencës së tyre, është pushteti dhe të mirat e tij të përvetësuara, dhe jo shoqëria, liria, e mira, zhvillimi etj. Avni Halimi, merr për bazë në veprën e tij këta elementë, dhe duke e kundruar shtetin autoritar-totalitar, i zbërthen totalitaristët, personazhet kriminalë, torturuesit, vrasësit që duke e pasur në duart e tyre pushtetin, janë të gatshëm ta ndërrojnë edhe ngjyrën e gjakut, dhe janë të gatshëm të shkojnë deri në absurd për qëllimet e tyre personale karrieriste. Duke e zbërthyer pushtetin e këtillë, madje pavarësisht edhe nga sistemi, Avni Halimi na e zbërthen deri në absurd figurën e “individit” idiot, batakëqi, totalitar, pa integritet, pa pikë morali dhe të zhytur deri në fyt në botën e interesit personal. Rrallë takon në historinë e shkrimit figurën e një personazhi që është i zhveshur totalisht nga karakteri, nga personaliteti, me një fjalë nga qenësorja si personazhi kryesorë i kësaj vepre! Po, ky është Murat Çaushi (Prushi – një lloj pseudonimi gjysmë sekret), personazhi kryesor i dramës “Magbethi nga Jahja Pasha”, i cili andej kah vitet e fundit të jetës së tij, pasi që ka penetruar si një mumie në llozhat e shtetit dhe të pushtetit, i yshtur nga përvoja dhe fuqia e mentalitetit dhe pushtetit totalitar, ëndrrën që mund të bëhet mbret. Po, thjeshtë ëndërron që mund të bëhet një mbret dhe t’i qeverisë ata të cilët, deri dje i ka mbajtur nën kamxhik!


4.
Logjika e një “ëndrre” të këtillë krejt absurde, shfaqë karakterin e njeriut të instrumentalizuar nga shteti dhe pushteti, deri në absurd. Megjithatë, fajtorë për një gjendje të këtillë të organizuar, gjithmonë është sistemi politik, të cilin, disa herë, të tjerët nuk e zgjedhin. Avni Halimi, me qasje psikoanalitike dhe mjeshtri letrare e filozofike, na e sjell në kohën e sotme, figurën origjinale të një personi me përgjegjësi shoqërore dhe shtetërore, nga këndi më real i mundshëm. Pra, përgjatë njohjes dhe leximit të tekstit, ne arrijmë ta kuptojmë deri diku fytyrën e vërtetë të pushtetit me hallka të hallakatura dhe totalitare, si dhe karakterin e ulët, idiotik, me një fjalë karakterin e paqenë dhe krejtësisht të instrumentalizuar të shërbyesit të një pushtetit të këtillë. Vështirë se mund të gjeshë personazh më ideal se Murati (Prushi), lidhur me kujtesën, historinë, përshkrimin por edhe lidhur me pasqyrën, fotografinë, realitetin dhe strukturën organike e funksionale të pushtetit autoritar e antidemokratik etj. Murati, i cili njihet kryesisht me emrin Prushi, është një funksionar i levave të mekanizmave të sigurisë shtetërore, që në komunizëm ishin mekanizma me pushtet të lartë, pothuajse të pakufishëm, dhe që s’i përgjigjeshin pushtetit politik, ose i përgjigjeshin vetëm në rastet e jashtëzakonshme. Pak a shumë, të këtillë këta mekanizma janë në çdo shtet e pushtet ku autoritarizmi dhe diktatura, janë kupolla e qeverisjes. Murati, personazhi kryesorë i dramës, zbërthehet nga autori deri në palcë. Ai, është prototip i autoritetit dhe pushtetit, përfaqësues i tij ideal që njerëzit i konsideron si numra dhe s’ka asnjë fije mëshire për ta. Ky sigurimc i një kohe, padyshim i pa emancipuar dhe i pa shkolluar në zanatin e tij, e kalon gjithë karrierën e vet duke i ndjekur dhe torturuar pa mëshirë armiqtë e shtetit dhe pushtetit, por edhe duke i qeverisur shtetasit pa ndonjë lloj ndjenje humane e shoqërore. Forca dhe mjeshtëria e tij e të qenit fuksionar, qëndron në mënyrën e përdorimit të mjeteve të dhunshme psikofizike kundrejt “pacientëve” të tij. Ai është i paskrupullt dhe i pamëshirshëm gjithë kohës, duke mos hequr dorë deri në vdekje nga ky zanat. Madje, ai shkon deri aty sa duke qenë një vegël e fuqishme e shtetit dhe e pushtetit, pavarësisht prej moshës dhe gjendjes fizike, mendon dhe ëndërron se mund të bëhet mbret! Murati, është personifikimi tipik i gjendjes shtetërore se deri ku mund të shkojë ideja autoritare që buron nga fuqia e ligjit të grumbulluar në duar të individit – pakicës, dhe e vënies së tij plotësisht në shërbim të pushtetit. Murati, një figurë që e fluturon mendjen e tij deri në absurd, i ka shërbyer pa kompromis pushtetit me duar të pista – të përgjakura. Ai, ka hyrë e ka dalë gjithandej nëpër mendjet e shtetasve përmes fuqisë së autoritetit, për t’i kontrolluar e për t’i gjakosur mendjet dhe trupat e shtetasve, si të “armiqve” dhe si të atyre që kanë guxuar në çfarëdo mënyre ta kundërshtojnë apo të mos e përfillin shtetin dhe pushtetit. Prototip i njeriut monstër, i instrumentalizuar deri në pakufi, i paskrupullt dhe i dhunshëm, vjen një ditë që Murati duhet të largohet nga pushteti për shkak të moshës. Thjeshtë, pensionohet. Në këso situate, ai e sheh për një moment veten të pafuqishëm, të pa pushtet. I ndodhur në këso gjendje, ai nuk e përballon dot humbjen e pushtetit: sa nga frika për veten për shkak të karrierës së dhunshme, sa nga sedra karrieriste.


5.
Avni Halimi, krijon skena gjeniale-dramatike në zbërthim e sipër të figurës së Muratit. Ky, Murati (Mbreti Magbeth nga Jahja Pasha, lagj kjo shqiptare, në Shkup), në çastet kur duhet të dalë në pension edhe zyrtarisht, e humb toruan dhe hynë në një krizë mendore psikike e cila, e nxjerrë nga realiteti. Pra, nuk e përballon do të largimin nga puna – zanati i tij. Dhe, edhe njëherë shkon në zyrën e tij – labirint – njësoj si shteti e pushteti totalitar: “Askush nuk e vëren tek zbret korridorit të zymtë, drejt bodrumit, ku ishte zyra e tij si dhe arkivi sekret i dosjeve. Një muaj më parë Prushi ishte përshëndetur me këtë skëterrë, dhe kishte filluar që ditët t’i kalojë nën hijen e parkut të pensionistëve. Hynë brenda dhe sakaq vëren se çdo gjë është në vend të vet, mu sikur e ka lënë herën e fundit. Makina e shkrimit mbi tavolinën e vjetruar, karriga e mbuluar me një peshqir me njolla të thara gjaku, në të djathtë, tavolina tjetër me të gjitha veglat e punës: maska ngjyrë ulliri, darat e ndryshkëta, këllëfi i hapur i gjilpërave të ndryshme, tela, shkopinj të trashë, shufra hekuri si dhe disa vegla të tjera për torturë”. (fq.3)
Për të vazhduar të gjarpërojë në levat e shtetit dhe të pushtetit, mbase edhe të mbrohet apo të shpëtojë nga krimet dhe mëkatet e pafundëta, ai gjykon se duhet të bëhet mbret ! Pra, të dalë mbi sistemin, dhe gjithsesi edhe mbi pushtetin që ta dominojë shtetin, shtetasit, mekanizmat, të mirat dhe pasuritë e shtetit etj. Prandaj, a është e rastit një ide apo një logjikë e këtillë absurde te një përfaqësues i pushtetit totalitar ? Jo, sigurisht sepse, Murati – personifikim i denjë i pushtetit totalitar, bashkë me daljen në pension ka “nuhatur” edhe diçka tjetër: rrënimin e sistemit dhe të pushtetit! Prandaj, ai gjen një zgjidhje të shpejtë – ideale: të bëhet një mbret, një “mbret – Magbeth” që do ta shpëtojë jo veç shtetin e pushtetin por do t’u hakmerret edhe më tmerrshëm armiqve, atyre që e “në një kohë tjetër” e lanë pa pushtet, duke sunduar e përvetësuar pastaj, çdo gjë që prodhon shteti dhe pushteti ! Mendja e Muratit, kuptohet që nuk është funksionale dhe ai ka mbetur pa ndjenja – pa e pritur fillimin dhe përfundimin e ceremonisë solemne të daljes në pension. Kriza psikofizike në të cilën ai ka hyrë, e shtynë atë të flasë gjëra të paqarta, historia e të cilave është në plotë përmasa reale, e ndodhshme, mirëpo, Murati meqë jeton momente të turbullta psikologjike, u referohet pa vetëdije ëndërrimeve, përfytyrimeve absurde, me një fjalë situatave çmendurake. Rreth e rrotull, ai fletë përçartur me familjarët e tij, me bashkëpunëtorët, me vartësit, me njerëzit e pushtetit etj. Herë e ndjenë veten të pafuqishëm, të pavlerë, e herë e ëndërron veten si të fortë, si mbret, madje edhe si perëndi ! Konteksti muratian, zbërthehet nga autori përmes mjeshtërisë së shkrimit, pa çka se mes skenave na e sjell një “Magbeth” të çoroditur, vulgar në shprehje, agresiv, dhe të zhveshur nga çdo element moral dhe etik; Një “Magbeth” me shpatë në dorë që është i gatshëm t’i ndjek “armiqtë e shtetit” deri në ferr, nuk e ka problem t’i sakrifikoj familjarët dhe të gjithë të tjerët për ta rikthyer fuqinë e tij karrieriste, në të vërtetë, për ta trefishuar këtë fuqi ! Murati si murat, është i gatshëm të përdorë dhunë e ndjekje, terror, shpërfytyrime të nderit e familjes vetëm e vetëm për t’a mbajtur pushtetin e tij – tani, në cilësinë e mbretit. Ai, veç kësaj, shpreh urrejtjen meskine për ata që ia kanë “rrëmbyer” pushtetin ose, e kanë shkatërruar shtetin e tij. Po, kush janë armiqtë e tij të veçuar…? “Jaaaaa, këtë timin le ta kapin se, sa të jem gjallë, nëse e do nevoja edhe fëmijët e mi do t’i bëj kurban të kësaj mbretërie, do t’i gjuaj si gjuetari derrat e egër, nuk do t’i lë dy nacionalistë bashkë, do t’ua ha nënat dhe gratë, mos më thënçin Magbeth, mua Muratit, nëse nuk i detyrojë t’m’i sjellin në shtrat, sepse, a do të jem unë pushtet, po pra, do të vijnë të gjithë, një nga një, te unë, te pushteti. Kush kundërshton, koqet në sirtar! Nuk ua falë jo, këta që më përzunë nga “Jahja Pasha”, të gjithë do të përkulen para pushtetit, të gjithë, atje do t’i çoj, një nga një, aty do t’i shkundin të gjitha sekretet që i kanë, nuk ka më sekrete sa të jem unë gjallë, do të jem syri i pushtetit, në çdo shtëpi të tyre, në çdo sofër e në çdo shtrat, edhe pushteti do të lodhet prej tyre, duke i rrahur e duke ua shtrydhur (kapet në vete, shtrëngohet, shtanget e bërtet) o ku-kuuu…!” (fq.5)
Murat Çaushi (Prushi), pas kësaj, hynë në krizë të pakthyeshme psikofizike ! Fjalët dhe shprehjet, janë pjesë e një ëndrre që dikton irealitet, mirëpo përtej absurditetit që reflekton një personazh si ky, shteti dhe pushteti postkomunist, vuan nga e kaluara dhe nuk është në gjendje të rreshtohet në proceset e ndryshimeve për t’u shëruar nga e kaluara, dhe për ta vendosur një sistem tjetër që s’ka të bëj me autoritarizmin, me ideologjitë totalitare, me diktaturat etj. Në rrethana të këtilla, autori i dramës, Avni Halimi, nxjerr për lexuesin dhe publikun një pasqyrë të vërtetë të tipit monstrum si Murati që, nuk pendohet për ato që ka bërë në jetën e vet, përkundrazi, ai dëshiron të rikthehet në pushtet: edhe më i dhunshëm, edhe më hakmarrës ! Por rreth e rrotull, askush s’ka mirëkuptim për “dëshirat” e Çaushit, madje as gruaja e tij, as fëmijët që nuk ndryshojnë shumë nga tipologjia e tij, dhe aq më pak bashkëpunëtorët – agjentët sekretë. Megjithatë, i shndërruar në një vegël pushteti, Murati në prag të çmendisë dhe vdekjes, është i gatshëm të bashkëpunojë me njerëzit e pushtetit ( Xhokeri I, II, III…) për ta sendërtuar ëndrrën e tij iluzore, madje nganjëherë beson se ideja e tij për t’u bërë mbret ka ardhur prej së larti! Kundrejt të gjithave pastaj, Murati e di se pushteti ka krijuar shtresa shoqërore që përulen deri në ironi, ka prodhuar mentalitet të përulshëm, servilë, ka krijuar vasalistë që për interesa të ndryshme, janë në gjendje të harrojnë se kush janë – e pse janë…! Intrigant e hakmarrës, Murati thotë përçartur në dialog me gruan e tij, Magbethicën: “… Jo moj, jo. Nuk më përzunë për zullumin! Zullumi është melhem që zbut shpirtin e djallëzuar! Më përzunë sepse janë budallenj, nuk e kuptonin se një ditë do t’ju bëhem mbret! Një herë pushtet – përjetë pushtet! Një herë mbret – përjetë mbret! “ (fq.13)


6.
Disa herë, autori duke ndërtuar skena absurde, na bën të kuptojmë se realiteti me irealitetin, shpeshë herë afrohen goxha shumë mes vete, përputhen, bashkëjetojnë etj. Jo vetëm ish-vartësit, dhe të tjerët por edhe fëmijët e Muratit (Zorrëshpuari, djali i madh dhe Zorromani, djali i vogël), kanë të njëjtin mentalitet me babin e tyre, madje edhe më të shkalluar se Murati. Pse? Ndonëse i ati i tyre është në krizë të thellë dhe frymon me gjendje të ç’rregullt (lucida intervalla), ata të dy, pavarësisht dyshimeve, megjithatë besojnë se babi i tyre, mund të bëhet mbret! Sado që ironia, sarkazma, njësoj edhe vulgariteti, marrëzia, idiotësia etj., mbushin skenat e tekstit, një grixhë e ngjashme me mentalitetin dhe karakterin e Murat Çaushit, sillet vërdallë nëpër këmbët e shoqërisë dhe shtetit, e gatshme për të mos iu shqitur asnjëherë botës së krimit dhe ideologjisë totalitare e autarkiste. Të këtillët si, Tokmaku, Kurthi, Toger Konopi, Xhagajduri etj., personifikojnë në çdo rast, tipin e njeriut servil e të nënshtruar, deri në marrëzi! Megjithatë, si në sistemin matematikor të numrave, Murat Çaushi (Prushi), prototip i dallueshëm i të keqes, ngrihet atje lartë në “piramidën e marrëzisë” që e ndërton me përkushtim sistemi dhe pushteti i papërgjegjshëm – autoritar. Edhe në prag të vdekjes, Murati, nuk heqë dorë nga kjo piramidë, sado i dorëzuar përballë “ëndrrës” së tij për t’u bërë mbret. Ai, pëshpëritë: “…Nuk e dua vdekjen, e urrej, e kam frikë, sepse, në këtë botë nuk më njohin, nuk më dinë, në botën tjetër, ata që po më presin, tashmë më njohin shumë mirë, ndaj më duhet mbretëria e fortë, me thesar të qëndrueshëm, plot e përplot, të ketë çfarë t’ju lë nesër trashëgimtarëve të mi, e çfarë të marr me vete, sepse thonë, paraja hap dyert e parajsës. Pse të shkoj në ferr, kur kam para dhe mund të futem në parajsë, aty edhe ku e kam vendin? “ (fq.39)
Në pjesët e fundit të dramës, autori Halimi, e retushon figurën e personazhit, Muratit, me ngjyrat e fuqishme të çmendjes! Në të vërtetë, këto ngjyra, na tregojnë për fundin e personazheve të këtilla që rëndom, përfundojnë dhe ikin nga kjo botë si, me të vërtetë të çmendur ! Agjenti sekret Murati, në agoni e sipër, frymon çastet e fundit të jetës së tij si “mbret” por, ai jeton orët e fundit në ankth nga frika, nga mëkatet, nga përfytyrimi se do të vdesë nga armiku, se “mbretëria e tij” nuk po funksionon për shkak të vartësve dinakë të tij etj. Prandaj, i drejtohet me ankth dhe me frikë të madhe, Toger Konopit: “…Ku është armiku? Ma jep emrin! Vendin ku fshihet…! Kush e përkrah. Fol…?” (fq.54) Në fund, vjen një vdekje nga një armik i padukshëm për Murat Çaushin që u bë mbret, pa oborr mbretërorë dhe pa mbretëri ! Kjo “vdekje”, është shpagesë për një prototip që e ka përdorur pushtetin në mënyrë kriminale, dhe me duar të përgjakura ka shkaktuar një det me mëkate. Dhe vjen një moment kur, sado në mënyrë imagjinatave dhe absurde, ky “prototip” dërgohet në botën tjetër nga grigja rreth e rrotull me mentalitet dhe karakter si, edhe ai! Në kontekst, Muratit, i një agjenti të fëlliqur, vdes i çmendur ashtu siç, pak a shumë, kishte qenë gjatë gjithë jetës së vet. Pak a shumë, si edhe shteti dhe pushteti i tij…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…