Propozimi i Francës për zgjidhjen e një kontesti midis Shkupit dhe Sofjes, që do t’i hapte rrugë integrimit të mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, mbetet çështja më e diskutueshme, që ka shkaktuar përplasje politike, tensione dhe protesta në rrugët e Shkupit.

Propozimi, sipas disave, është “tradhti kombëtare”, ndërsa për disa të tjerë mundësi e mirë për ta çuar vendin drejt anëtarësimit në BE.

“Nuk duam të na përsëritet Marrëveshja e Prespës [për ndryshimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut] e bërë nga [ish-kryeministri maqedonas] Zoran Zaev. Ajo ishte një marrëveshje e turpit. Në historinë botërore nuk është parë një tradhti e këtillë. Nuk duam që e njëjta të na përsëritet me Bullgarinë”, tha Stojka Nedelkova, banore e Shkupit, që mori pjesë në një protestë para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të martën mbrëma.

Protestat kundër propozimit francez, të organizuara nga opozita maqedonase, janë në javën e dytë të tyre.

Për më shumë se dy vjet, Bullgaria, si anëtare e BE-së, ka bllokuar hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në bllok, duke e akuzuar Shkupin për mosrespektimin e lidhjeve të përbashkëta kulturore dhe historike.

Ndër kërkesat kryesore të Bullgarisë është të pranohet se gjuha e Maqedonisë së Veriut rrjedh nga bullgarishtja. Sofja, po ashtu, kërkon njohjen e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Propozimi i Francës parashikon lëshime nga të dyja palët. Qeveria në Shkup, mes tjerash, do të angazhohej për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare.

Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, duke thënë se ai nuk rrezikon interesat apo identitetin kombëtar. Por, partia kryesore opozitare, VMRO-DPMNE, si dhe të tjerë nuk pajtohen dhe thonë se propozimi favorizon kërkesat bullgare, që, sipas tyre, vënë në dyshim historinë, gjuhën, identitetin, kulturën dhe trashëgiminë e Maqedonisë së Veriut.

Zoran Dimitrievski, pensionist nga Shkupi, mendon ngjashëm.

“Duan që me Maqedoninë [e Veriut] të bëjnë kasaphanën më të madhe në Ballkan. Këtë nuk guxojmë ta lejojmë. Kemi dalë për të kundërshtuar tradhtinë e radhës që po përgatitet nga ky pushtet”, tha Dimitrievski, duke protestuar në Shkup.

Por, sipas Sefë Osmanit, pensionist nga Tetova, propozimi duhet të pranohet si mundësi e vetme për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Është një propozim që besoj se i jep shans inkuadrimit të Maqedoninë së Veriut në Bashkimin Evropian. Mbi të gjitha, është një kornizë, e cila gjithashtu mbron edhe gjuhën maqedonase, edhe identitetin maqedonas. Mendoj se kjo që është duke u bërë nga opozita, është një gjueti shtrigash dhe një koncept që nuk i kontribuon integrimit evropian të vendit”, tha Osmani.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti për Hulumtime Politike në Maqedoninë e Veriut, 73 për qind e qytetarëve maqedonas janë shprehur kundër propozimit francez, ndërsa, në nivel shteti, ky propozim nuk mbështetet nga rreth 56 për qind e të anketuarve.

Mungesa e transparencës së Qeverisë maqedonase rreth propozimit francez, por edhe rreth negociatave me Bullgarinë për heqjen e bllokadës, ka rritur mosbesimin e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë Bashkim Selmani, njohës i çështjeve politike.

Edhe Zhaneta Trajkovska, nga Instituti për Studime të Komunikimit, thotë se publikimi jo i plotë i dokumenteve që synojnë zhbllokimin e procesit të integrimit evropian, ka shtuar dozën e mosmosbesimit te qytetarët, se Qeveria “është duke fshehur diçka, që mund t’i dëmtojë interesat kombëtare e shtetërore”.

Propozimi francez është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, por nuk ka pasur debate në opinion për qartësimin e të gjitha pikave.

Ai është prezantuar sipërfaqësisht nga Qeveria, e cila, pastaj, e ka ftuar opinionin që ta lexojë atë në ueb-faqen e saj zyrtare. Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe disa ministra kanë theksuar se propozimi “nuk rrezikon gjuhën maqedonase”, por pa qartësuar procedurat mbi të cilat duhet të kalojë i gjithë procesi.

Opozita maqedonase vazhdimisht e ka akuzuar Qeverinë për “bisedime sekrete” me Sofjen, por edhe me Francën, si autore e propozimit për zgjidhjen e kontestit.

Analisti Bashkim Selmani thekson nevojën për transparencë më të madhe për të evituar, siç thotë ai, situata të tensionuara.

“Vendimet e tilla, që sillen në emër të qytetarëve dhe për qytetarët, duhet të jenë transparente… Ne kishim një situatë të ngjashme me Greqinë dhe, në fund, u pa se askush nuk humbi, por të gjithë përfituan. Edhe në këtë rast, të gjithë mund të jenë fitues, por keqpërdorimi dhe mungesa e transparencës shkaktojnë huti te qytetarët dhe pasiguri. Në këtë rast mund të përfshihen edhe faktorë të tjerë destabilizues dhe destruktivë, të cilët në vazhdimësi i përcjellin zhvillimet në këtë vend. Andaj, edhe duhet të ketë transparencë”, thotë Selmani.

Zhaneta Trajkovska, nga Instituti për Studime të Komunikimit, thotë se Qeveria duhet të luajë me letra të hapura.

“Kur kemi një situatë, ku shumica e popullsisë është personalisht e interesuar dhe ka mendimin e vet për disa gjëra që do të kenë ndikim në të ardhmen e vendit tonë, atëherë nuk ka vend për transparencë selektive, as për informacione selektive. Pra, duhet transparencë e plotë, publikimi i të gjitha dokumenteve, shpjegimi i tyre dhe hapja e një debati të gjerë e të gjatë, ku do të dëgjohen të gjithë zërat”, thotë Trajkoska.

Pavarësisht kritikave për mungesë transparence, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të mbajë të enjten seancën për miratimin e propozimit francez.

Shumica beson se i ka numrat e nevojshëm për miratimin e konkluzioneve të Qeverisë.

Shërbimet e Kuvendit kanë njoftuar se deputetëve do t’iu drejtohet me një fjalim edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Pas miratimit eventual të propozimit në Kuvend, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pritet të udhëtojë për në Sofje, për të nënshkruar protokollin me Bullgarinë, që do t’i hapte rrugë mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare midis Shkupit dhe BE-së, në Bruksel.

Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në BE tash e 17 vjet./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Shkupi qyteti i dytë në botë me ajër më të ndotur

Shkupi sot është qyteti i dytë më i ndotur në botë, në…

Vaksina amerikane përballet me “Fazën 2”, në shitje në vitin 2021

Kompania Moderna, me qendër në Kembrixh në Massachussetts, bëri kërkesë te henen…

Rusia e Ukraina takohen ‘online’ më 1 prill

Bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës do të vazhdojnë më 1…

Kosova nënshkruan marrëveshje me USAID në vlerë prej 1.6 milionë dollarë

Presidentja Vjosa Osmani së bashku me drejtoreshën e USAID-it për Kosovë, Lisa…

Bardhyl Mahmuti: Raporti zviceran për rastin “Astrit Dehari” është mbajtur i fshehur 4 muaj nga Prokuroria

Veprimtari i njohur shqiptar, dikur përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,…